Poeti yne kombetar, nje nga penat me te ndritshme qe ka nxjerre ky popull, i madhi Dritero Agolli; ja me sa art e sjell ai erotiken e bukur!
BALADA E KALIT
Limo Labinoti hipi kalin
Dhe u nis të blinte një qemane.
Në Pazar takoi evgjit nallbanin,
Ia la kalin e hyri në mejhane.
Pa ia nisi gotave t’i zbrazte,
Pa ia nisi lodrat me çingitë,
Pa çingive ç’u pëlqente nazet,
Ç’u pëlqente këmbët, kofshët, gjinjtë.
Mburrur mes çingive tha një fjalë:
– Kush e ka qemanen më të mirë,
Për qemanen unë e jap një kalë,
Që s’e ka arab në shkretëtirë.
– Unë e kam! – tha një nga muzikantët
Dhe qemanen vithe-femër ngriti.
Sytë e tij të turbullt e të vakët
Feksën në lëkurën prej evgjiti…
Limo Labinoti i ra ballit:
S’i t’ia jepte kalin një zuzari!
– Ky evgjit nuk vlen sa bishti i kalit,
Kali im këtij i vë samarin!
Kalë, o kalë, plumbin s’e përfillje,
Me revan ia pritje rrugën plumbit
Kalë, o kalë, hënën e përpije
Kur e ngrije kokën anës lumit.
Kalë, o kalë, ç’m’u fanit qemania
Ç’më plagosi këngë e saj pa emër,
Do ta nxjerr qemanen nga mejhania,
Do ta ngjit në mal, t’i fut një zemër.
Harkun e qemanes ta bëj kalë
Dhe qemanen kodër mbi një fushë,
Të trokasin kodrat valë-valë,
Kur ta vë nën sup, ta mbaj nën gushë.
Ky evgjit nallbani qimedrizë
Solli kalin drejt e në mejhane,
Ia dha sazexhiut mustaqespicë,
E la Limon vetëm me qemane.
Limo Labinoti sazexhinë
E vështroi me dy thëngjinjtë e vëngër:
– Merre kalin, hidhu në lëndinë,
Të krekosesh si çomagë e shtrembër.
Po më prit, evgjit, nga hija e ftonjve
Të dëgjosh me smirë e ngashërimë
Nga qemania trokun e potkonjve
Vërshëllimë jelesh, hingëllimë!
Dhe i tha: –Evgjit, unë ta jap kalin
Veç ma lër çingjinë ta nxjerr jashtë!
T’i tregoj si hëna rri mbi malin,
Si përgjon mullarin tim me kashtë!
Ta mësoj si barku i mullarit
Bëhet shtrat nga shtretërit më të lumtur,
Ku pikon nga hëna pikë e arit
Dhe vjen erë e lumit e përhumbur.
Limo Labinoti hop në kalë,
Hop mbi kalin bashkë me çinginë
Dhe vrapuan ngjitur në një shalë,
Një kurriz, një bark plot përcëllimë
Vrap e vrap dhe zbritën pas mullarit
Ku këndonm bulkthit këngëshumë
Ku përgjonte breshkëz e ugarit
Zgjatur qafën nga samari i murrnë
Heshtni, bulkthe, mos më kërkërini!
Dhe ti, breshkëz, mbaje brenda qafen!
Limo Labinotin do ta shihni,
Kur mullarit plak t’i verë flakën!
Obo-bo, mullar, ç’të panë sytë,
Obo-bo, ti kashta e florinjtë!
Hënë e kallaisur plot me yjtë
Panë si kërcejnë valle gjinjtë!
Panë si kafshon çingjia kashtën,
Kur përdrdhet si purtekë e thanës
Panë si shalon një pelë natën
Limo Labinoti i qemanes.
Panë si ky Limo Labinoti
U bë hark qemaneje mbi çingjinë,
Harku nxirrte tinguj, pika loti,
Në fërkim me barkun e me gjinë.
Lumë, o lumë, mos i trego fushës
Britmat e çingjisë dhe ofshamat,
Kur ia vinin buzët zjarrin gushës,
Tek kumbonin cicat si kambanat!
Kalë, o kalë, mos rrëfe ç’ke parë,
Mos rrëfe për pelën që kam hipur!
Kjo çingjija – pelë krejt mullarë
Ma rrëzoi përdhe me këmbët ngritur!
Kur u kthyen gjithë evgjitët panë
Qafën e kafshuar të çingjisë
Dhe qemaneve në aheng u ranë
Shtrembëruar sytë prej rakisë.
Lere, lere Limo Labinotin,
Nga qemania sytë seç iu prishën!
Jashtë kali qante për të zotin,
Brenda kurva në akull ftohte sisët.
Mjegull e mejhanes ra mbi brengat,
Gjokset e çingjive u mbuluan,
Heshtën harqet, u nemitën këngët,
Gotat flakën blu në buzë e shuan.
Limo Labinoti ngrti telat
Pa i ra qemanes më të qarë.
Qau për kalin gjersa thirrën gjelat
Dhe kur shkoi në fshat i thane “I marrë!”
Foto: Dritero Agolli, Ymer Nurka. Tetor 2005
Burimi/Facebook/Ymer Nurka


Leave a Reply