
Frika e më madhe e parisë së Tiranës nuk është se është e diskredituar, se vendi është në krizë, se ekonomia është e falimentuar, se rinia nuk ka shpresë dhe se vendi është i sunduar nga krimi e nga paligjshmëria, se kauza e integrimit është e një rrenë e pastër, se mungojnë programet e duhura, se kandidatët janë njerëz që e meritojnë të jenë në burg, se fushatat po bëhen me para që s’dihet nga vijnë, etj. etj. Frika më e madhe e parisë së Tiranës është frika nga përplasja që do të ndodhë me 22 Qershor, ditën e zgjedhjeve e mbas zgjedhjeve.
Prandaj, sot, në një takim të zgjeruar me rrogëtarët e shtypit, ata që paguhen shumë dhe ata që nuk paguhen me muaj, doli Presidenti i shtetit Bujar Nishani dhe tekstualisht tha, me aq fuqi sa ka për të folur, që “Çështja e parë dhe më kryesorja që do doja bashkëpunimin tuaj, është të jeni pjesë frenuese apo parandalimin e çdo lloj dramaciteti që nuk ka bazë dhe kthehet në kosto sociale dhe emocionale për vendin. U ndala në këtë pikë, se gjatë fushatës paraelektorale ka pasur shpeshherë opinione të hedhura nga kënde të ndryshme, jo nga njerëzit e medias, për dyshim të procesit zgjedhor, rrezik të përplasjes shoqërore dhe sociale të aktorëve të ndryshëm ditën e zgjedhjeve apo para dhe pas.”
Kjo ishte një deklaratë serioze, nervoze, dhe që shprehte një tension të madh në radhët e parisë. Sepse zotëria punon për zotin Sali Berisha mirëpo i ka ustallarët e vjetër edhe nga ana tjetër, e si të gjithë, pra, punon për interesat e parisë së Tiranës. Paria duket se është e shqetësuar nga përplasja. Edhe sikur të jetë se Sali Berisha duke i dalë para vjedhjes së zgjedhjeve, fakti që po i mëshon kaq fort, e përmes një figurine është domethënës.
A do të ketë përplasje? Duke u nisur nga një vlerësim i përvojave të shkuara, nga ajo që po shihet në terren, nga synimet e prijatarëve, dhe nga sjellja e pritshme e katundarëve, fshatarëve, dhe qytetarëve pasiguria e saj duket e justifikueshme. Ngado që kthehet, mendimi im është se paria sheh shkaqe e mundësi të shumëfishta për sherr, rrëmujë e përplasje, prandaj doli edhe presidenti i shtetit dhe bëri një paralajmërim kaq shumë serioz.
Megjithatë, ndryshe nga të tjerët që e panë si pjesë të fushatës elektorale, unë e pashë si shqetësim serioz të parisë se gjendja mund të dalë nga duart shuëm shpejt dhe paria mund të gjejë veten në një pozicion kritik. Media e shtypi duhet të funksionojnë si një valvulë që nuk flet për përplasjet, sherret, poshtërsitë, rkimet, vrasjet, kërcënimet, djegjet, e dhunimet. Paria e din se ashtu si një gjuhë flake e djeg mullarin e barit të thatë ashtu edhe shqiptarët janë gati të shpërthejnë kundër saj.
Paria sunduese po mundohet që të kontrollojë atë që mund të kontrollojë. Mirëpo, nën këtë shqetësim dallohet edhe vetëdija e saj se gjendja është kritike. E pra, përplasja është e pashmangshme, pavarësisht se nuk dihet se nga do të vijë sherri.Përse e them këtë?
Së pari, institucionet zgjedhore janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme, si në strukturë ashtu edhe në drejtim të legjitimitetit e të besueshmërisë. Le t’i rindërtojë sa herë që t’ia ketë qejfi parisë së Tiranës, tashmë, në kulm të fushatës, cdo rikonstituim do të ndodhë me një cmim të kripur të humbjes së legjitimitetit. KQZ është e diskredituar, le të cojë kë të dojë opozita, me 1 Qershor ose me 15 qershor. Po ashtu, KZAZ-të do të jenë edhe më të diskredituara, ashtu si edhe komisionet dhe e e gjithë struktura zgjedhore. Sa më e madhe frika e parisë për humbjen e zgjedhjeve, aq më e madhe do të jetë edhe ndërhyrja politike. Nuk duhet shumë për ta ndalur motorrin, vetëm ca kokrra rërë e pak ujë. Pasoja do të jetë përplasja e pashmangshme në njërin nga tre nivelet institucionale. Kolegji zgjedhor nuk pi ujë. Rëra do të hidhet në qendrat e votimit.
Së dyti, paria ka zbuluar me shqetësim se klanet lokale, që përfaqësojnë familje politike e banda kriminale, tashmë janë të pakontrollueshme. Sepse zgjedhjet, klanet e bandat lokale do ti vjedhin jo vetëm për partitë e Tiranës, që këta dukshëm nuk i honepsin, por edhe për veten e tyre. Marrëveshjet për të mbushur kutitë, për të vjedhur votat, për të bërë gjithë ato gjëra për të cilat ne jemi mjeshtër, do të mundësohen edhe nga fuqizimi i jashtëzakonshëm i klaneve lokale që e kanë humbur dallimin partiak, por kanë ruajtur e shtërguar radhët e familjes, qoftë ajo në bazë të lidhjes së gjakut, qoftë në bazë të lidhjes së krimit. Sepse këtu nuk ndodh vetëm vjedhja, ndodh edhe marrëveshja e hapur që i sheh votat e një partie të shkojnë tek partia tjetër.
Së treti, histeria e militantëve dhe klientëve do të arrijë majat në ditën e zgjedhjeve. Kur të vijë momenti e të shohin se kanë një zgjidhje midis mbushjes së kutisë e ndënjies katër vjetër në opozitë, ‘militantët’ dhe klientët nga të dy palët do të mundohen që të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe nga këndvështrimi i tyre, edhe moralisht të lejueshme: do të mbushin kutitë.
Së katërti, frika e madhe e biznesit të pambrojtur që përvec humbjes së mundësisë së përfitimit nga shteti, do të duhet të përballet edhe me nevoëjn e pasurimit të shpejtë, qoftë edhe modest nga pala tjetër, do ta shtyjë në rrugën e influencimit të zgjedhjeve. Këtu flitet për kocka tani. Mirëpo biznesi e ndjen se paria do të fillojë të kërkojë të hajë nga biznesi. Dhe kjo ndalohet vetëm me politikë.
Së pesti, tundimit të manipulimit të zgjedhjeve, nuk mund ti shpëtojnë as prijatarët e as kandidatët vetë. Për një grusht votash nuk mund të rrezikohet mundësia e ndënjies në opozitë. Si thonë bashkëfshatarët e mi, “shkon dora vetë.” Demokracia është e mirë por kur je kandidat dhe kur ke marrë borxhe e ke dhënë premtime, nuk mund të ndalesh para një sherri të vogël. Se gjithcka nis me sherrin e vogël e pa dëm. Si them ne malsorët, “loja e fmijve shuen fiset.” E në terma modernë, nevoja e vjedhjes së votave do të fillojë sherrin.
Së gjashti, shoqëria e jonë është kaq e fragmentarizuar, e grimcuar, e kontrolluar nga struktura që duhej të ishin shoqërore por që janë bërë autonome dhe pa rrugët e duhura të komunikimit e të zgjidhjes së konflikteve ndërmjet tyre. Gjendja është kaq keq, sa cdo konflikt që mbështetet në fe, në etni, në ide, dhe bile edhe kundërvënie individuale për pazare të pista, sjellje kriminale, për sherre banale etj. do të interpretohet politikisht. Në fund të gjithë e kemi një lidhje politike. Kështu që dhuna, grabitja, ndëshkimi, krimi, do të veshen e paraqiten si krime politike. E nga këtu është vetëm një hap tek përplasja e organizuar nga paria, apo segmented e interesuara simbas parimit “qe baba duart.”
Së shtati, kriza është e përgjithshme dhe pasojat që po c’orientojnë njerëzit dhe po i frigojnë do të ndikojnë edhe në zgjedhje dhe në sherrin e pritshëm. Shteti është i falimentuar, i mbytur në borxhe që nuk i paguan dot, pa aftësi me pague rrogat, pa mundësi privatizimi, pa mundësi marrje borxh, pa mundësi taksimi, pa prodhimtari të mirëfilltë, pa mundësi me krijue punë. Bizneset janë duke punuar sa me mbijetue, ritmi i shitblerjes ka rënë, ritmi i investimeve është përtokë, ritmi i turizmit është dobësuar, të ardhurat nga remitancat janë në pikiatë, kapitali është duke ikur me shpejtësi. Banka shqiptare është pa mundësi me përdorë mekanizmat financiarë që diku tjetër do të bënin dobi e me radhë. Gjendja ekonomike është shumë e keqe. Kushdo që të dalë në krye të shtetit do të trashëgojë një gjendje të pashpresë.
Së teti, shoqëria e jonë është e pjekur për sherr. Tërinjtë që sillen vërdallë me makina, që përdredhin kutitë e cigareve dhe rrinë në klub gjithë ditën e lume, kanë nisur të mprehen për sherr. Nuk kanë të ardhme, diplomat nuk iu hyjnë në punë, nuk kanë mundësi emigrimi, dhe politika bëhet më shumë se simbolike, por një mënyrë për të shpërthyer.
Së nënti, sjellja e parisë tregon panik të qartë. Njerëzit nuk kanë besim. Askush nuk po gënjehet nga falja e taksave, nga uljet e taksave, nga legalizimet gjysmake që mund të kthehen mbrapsht me një vendim ligjor, nga inaugurimet, ceremonitë mitingjet e me radhë. Kjo është gjendja shoqërore dhe ajo është shumë mosbesuese ndaj parisë së Tiranës. Edhe një segment tjetër që fillon të luajë një rol në këto zgjedhje janë emigrantët e kthyer që ende nuk po lexohen si duhet nga paria. Emigrantët po kthehen por nuk kanë mundësi investimi, as përkrahje, gjenden të izoluar në një shoqëri të deformuar e të kriminalizuar deri në palcë dhe me traumat e emigrimit.
Pra, mundësia e përplasjes është qartësisht e prekshme. Përpjekja e e pandalshme parisë së Tiranës për të kontrolluar gjendjen i ngjan përpjekjes së kuzhinierit që ngren valvulën e shkarkimit të avullimit dhe i jep kohë gjellës të gatuhet në njëzet tenxhere me presion në të njëjtën kohë. Mirëpo kuzhinieri i mirë ul zjarrin. Këtë paria e jonë nuk e ka në dorë sepse zjarri është kriza e thellë dhe e gjithanshme. Ajo mund të luajë vetëm me valvulat dhe këtë duhet ta bëjnë të gjithë palët bashkë e në harmoni të plotë. Mirëpo këtu na kanë dalë ca dinamika që e bëjnë të pamundur lojën politike me tenxheret. Nga do që të shkojë puna, valvula e njerës nga tenxheret do të plasë, dhe mandej përplasja është e pashmangshme. Sepse paria hap e mbyll valvulat e tenxhereve me presion por zjarrin nuk e shuan dot. Dhe për shkaqet që u përmendën më lart, valvulat do të shpërthejnë e kështu, erët ose pak më vonë, përplasja është e pashmangshme.
SHERRI I PASHMANGSHËM: LOJA E TENXHEREVE ME PRESION DHE ZJARRI I PASHUAR
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply