Nga Përparim Hysi
Emocione
Emocione pak romantike
Si në kohërat kalorsiake
Ndjej tani që jam në ikje
Sevdallisur me zambake.
Është e hijshme dhe shtatëhedhur
I qesh nuri çiltërsisht
Dhe më hyn si papandehur
Mu në vargje, çuditërisht.
Një fustan me një kordele
Varen flokët vezullues
Si do jem, vërtet, në vete
Ballë për ballë me një Venus ?!!!
Dehur “verës” së admirimit
Ato “shënja” mirë i njoh
Sytë e humbin prej shkëlqimit
E më çojnë në tjetër kohë.
Mu në kohë të djalërisë
Kur nuk mbahesha nga pasioni
Tash në moshë të pleqërisë
Më mbërtheu emocioni.
15 maj 2013
Kënga
Kjo këngë është e lidhur me një kujtim
Mbresa është e kahershme
E dëgjoj dhe nuk mbaj nostalgjinë
Sado që mbresa është perverse.
Një vajzë e doja dhe më donte
Më donte, por kufi u bë biografia
Dhe ja tek e dëgjoj këngën sonte
Para m’u shfaq historia.
E dhimbshme, por vallë a pati faj
Se “kloni” qe i përbindshëm
E dëgjoj… humb… dhe, pastaj,
Mallkoj regjimin e pështirshëm.
17 maj 2013
Të jem në ëndërr ?
Seç shkëlqen e tëra
Sikur je rubin
Unë po krejt u zhbëra
Veç nga një vegim.
Fytyrë të gëzuar
Buza vesh më vesh
Më ke mrekulluar
Sa jam bërë përshesh
Pranvera ka sjellë
Tek ti shend e gaz
Mua sikur më ndjellë
Ogiç, gurelmaz!
Buzëqeshjen të ëmbël
Nxjerr gjarprin nga vrima
Dhe sikur në ëndërr
Me ty ia bëj prima…
23 maj 2013
Derguar nga z.Flori Bruqi
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply