Me dy ditë vonesë po sjell mbresat nga transmetimi i pare i BBC në shqip (28 shkurt 1993), ashtu siç i kanë përjetuar protagonistët. (Pjesë nga libri Kur e vërteta vjen nga larg).
“BBC ka dashur disa herë që t’i rifillonte transmetimet në gjuhën shqipe. Por kjo u vendos përfundimisht në gusht 1992”, kujton Tim Cooke, njeriu që i dedikohet më shumë se gjithë të tjerëve rikrijimi i shërbimit shqip dhe i katapultimit në majë të preferencës së publikut shqiptar.
I pyetur mbi arsyet e vendimit për rifillimin e transmetimeve, Timi thotë se atij iu komunikua nga drejtoria e përgjithshme e Shërbimit Botëror. “Nuk pata asnjë kontakt apo sinjal nga Foreign Office. Por mendoj se ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe nevoja e njerëzve për një informacion të lirë e objektiv, si dhe zhvillimet në Jugosllavi e sidomos rreziku i një shpërthimi të mundshëm në Kosovë, kanë qenë motivet kryesore që BBC vendosi ta rihapte shërbimin dhe qeveria britanike pranoi të jepte fondet”.
Për Tim Cooke-un, Shqipëria ishte një vend krejtësisht i panjohur dhe ai e konsideroi detyrën e re si një sfidë të jashtëzakonshme. Puna përgatitore avancoi shumë shpejt. Në dhjetor 1992 Timi shkoi në Tiranë për të zhvilluar intervistat me kandidatët. Më pas në Shkup, ku kishin ardhur edhe kandidatët nga Kosova. “Nuk kishte kritere specifike”, kujton Timi, “thjesht, të dinin relativisht mirë anglishten dhe të kishin njohuri për marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Arben Manaj ishte një nga ata që fituan. Beni punonte prej vitit 1986 si analist për marrëdhëniet ndërkombëtare në RTSH dhe mbulonte Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara. “Pjesë e punës time ishte edhe të dëgjoja rregullisht shërbimin Botëror të BBC-së”, kujton Beni. “Nuk e kisha ëndërruar se një ditë do të isha pjesë e stafit të BBC; dhe kjo është ironia e jetës”, shton.
Intervistat u bënë me shkrim dhe bashkëbisedim gojor, në godinën e shkollës së gjuhëve të huaja, ku kishin studiuar shumica e fituesve. Përveç Tim Cooke-ut, ishte edhe shefi i Europës në shërbimin botëror të BBC, Chris Psenizky, si dhe një punonjëse e burimeve njerëzore. Që nga qershori 1991, kur Tiranën e kishte vizituar ministri i jashtëm amerikan James Baker, Beni punonte si korrespondent në Shqipëri i agjencisë Associated Press. Një nga pyetjet që iu bë ishte nëse e dinte ku ndodhej atë ditë ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Michail Gorbachov. “Sapo kisha lexuar buletinin e ATSH-së që na vinte në redaksi dy-tri herë në ditë. Gorbachovi atë ditë ndodhej në Kili. Ia thashë Psenizky-t, dhe shtova madje se kishte deklaruar këtë apo atë. Kjo përgjigje u vlerësua si një parapërgatitje serioze për konkursin…”.
Krahas përzgjedhjes së stafit, një procedurë që Timi thotë se kaloi pa vështirësi, nisi edhe fushata promocionale në shtypin shqiptar, me lajtmotivin domethënës “Ne thyejmë akullin informativ”.
“Gjithçka u bë shumë shpejt”, kujton Julia Goga-Cooke. “Javën e dytë të janarit 1993 ishim në Londër dhe, pas një trajnimi intensiv, më 28 shkurt, u bë transmetimi i parë.
“Unë pata privilegjin që në emisionin inaugural të 28 shkurtit 1993, të isha zëri i parë që dëgjohej në eter pas siglës së hapjes”, kujton Franko Egro. “Kisha ardhur në BBC pas një eksperience disavjeçare në Radio Tirana, çka besoja se ishte e mjaftueshme për të bashkëmoderuar një emision 30 minutësh, i cili kishte përkushtimin dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të gjithë kolegëve të seksionit dhe të korrespondentëve tanë… Fjalët e para dolën disi të mekura dhe pa energjinë e duhur; mendova se e kapërceva “ngërçin” e parë për të hyrë në rrjedhën e tij, mirëpo, e dëgjova edhe një herë atë emision të parë, pas vitesh, për shkak të një reportazhi që përgatita, dhe sinqerisht nuk e njoha zërin tim…”.
Franko thotë se në studion e transmetimit të emisionit të parë ishin, veç tij, edhe tre kolegë: Julia Goga, Diana Kola dhe Veton Surroi. “Kujtoj mbi të gjitha skrupulozitetin dhe kompetencën e drejtuesit të seksionit, Tim Cooke, i cili kishte planifikuar gjithçka në detaje. Pasi bindej që stafi e kishte kuptuar, ai krijonte hapësirën që gjithsecili nga ne të shprehte vetveten”.
“Transmetimi i parë ishte një ngjarje që nuk kam për ta harruar gjithë jetën; kishte emocione dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ishin vetëm 30 minuta emision në 28 shkurt 1993 dhe më pas ne habiteshim se çfarë bënim si staf gjithë ditën për të përgatitur një emision 30 minuta… Por pak vite më vonë, i njëjti staf përgatiste “live” pesë e më shumë orë transmetime në ditë”.
“Emocionet e transmetimit të parë ishin të veçanta, janë të pashlyeshme”, vazhdon Juli. “Na dukej e pabesueshme që ne flisnim nga një studio në Londër dhe në të njëjtën kohë dëgjoheshim në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, kudo në botë ku kishte shqiptarë”. “Ishim të gjithë në studio: Tim Cooke, Julia Goga, Veton Suroi, Mirela Shtëmbari, Arben Manaj, Franko Egro, Paulin dhe Diana Kola, Ragip dhe Faik Luta, Genc dhe Elira Lamani, Gëzim Guri, Rudi Bobrati, Majlinda Male”.
Krahas tyre, rrjeti i korrespondentëve në Shqipëri, rajon dhe në botë: Ilir Kadia, Aleksandër Furxhi, Fatos Ahmati në Tiranë, Aleksandër Çipa në Gjirokastër, Adrian Hoti në Shkodër; Jonuz Hallaçi në Kukës, Muharrem Nitaj, Blerim Shala e Besim Abazi në Prishtinë; Seladin Xhezairi e Harun Ibrahimi në Shkup; Augustin Palokaj në Bruksel, Shkëlqim Beqari në SHBA, Zenel Katana në Ulqin, Ilir Gurakuqi në Romë, Robert Goro në Athinë.
Nëpër vite u shtuan edhe të tjerë. Në Bush House: Ilir Nishku, Arian Koçi, Majlinda Zeqiri, Albana Kasapi, Irena Luto, Blerina Goga, Sokol Gruda, Adi Krasta e Sokol Balla –këta dy të fundit qëndruan vetëm tre vjet e pastaj u kthyen për të vazhduar një karrierë të suksesshme në Shqipëri.
Korrespondentë: Fahri Musliu në Beograd; Klara Buda në Paris; Alida Berisha-Cani në Gjermani; Arbër Vllahiu, Violeta Hyseni e Hajrije Fazliu në Kosovë; Nazim Rashidi në Shkup; Irida Cami e Keti Biçoku në Itali.
Këta ishin nismëtarët, vazhduesit dhe realizuesit e një historie suksesi që do të zgjaste për 18 vjet rresht, duke e bërë BBC-në në shqip jo thjesht dhe vetëm një mjet të rëndësishëm për informimin e dëgjuesit shqiptar, kudo që ndodhej, por edhe “një model konstruksioni, si një shkollë për mediat me standardet e larta, standardet e vërteta profesionale që vendosi”, siç ka vlerësuar vite më vonë Remzi Lani, një gazetar i njohur dhe drejtor i Institutit Shqiptar të Medias.

Burimi/Facebook/Robert Goro


Leave a Reply