Pellumb Sulo
Në Shqipëri vazhdon të jetë shqetësues fenomeni i diskriminimit të individëve apo grupeve shoqërore. Në takimin e zhvilluar në Shkodër me të rinj dhe përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të Keshillit të Europës u shprehën se Shqipëria qëndron në nivelet me diskriminim të pranishëm në të gjitha format e tij.
“Nga 2019 deri në 2024 kemi rritje të rasteve të diskriminimit që, sado fatkeq është të dëgjosh që ka shumë raste të raportuara diskriminimi, në të njëjtën kohë është edhe një sinjal i mirë që tregon se është rritur sensibilizimi dhe se këto raste po raportohen. Shqipëria qëndron, po themi, në nivele me diskriminim prezent në jetën e përditshme në të gjitha format e tij”, thotë Iva Çoku, e cila drejton projektin e KE “Avancimi për mbrojtjen e të drejtave nga diskriminimi në Shqipëri”.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi u paraqitën më shumë se 300 ankesa, jo vetëm nga individë, por edhe nga grupe shoqërore. Sipas zonjës Iva Çoku, rastet e diskriminimit kanë prekur shumë sfera të jetës së qytetarëve.
“Problematike mbeten gjithësesi rastet që përfaqësojnë minoritetin rom dhe egjiptian, të cilët vazhdojnë të mbeten të diskriminuar, komuniteti LGBT, pra orientimi seksual dhe identiteti gjinor, gjithashtu femrat vazhdojnë të mbeten të diskriminuara për një arsye apo një tjetër, personat me aftësi të kufizuar, duke nisur nga fakti që nuk kanë akses në shumë prej institucioneve publike”.
Për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, rritja e numrit të ankesave nuk ka të bëjë me shtimin e rasteve të diskriminimit, por me ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’i denoncuar këto raste që shfaqen në forma nga më të ndryshmet, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve apo komuniteteve lokale.
“Bindjet politike mbeten një problem tjetër, por emëruesi i përbashkët mbetet gjendja ekonomike. Kjo do të thotë se të varfërit diskriminohen më shumë pasi janë më shumë të pamundur jo vetëm ekonomikisht, por pastaj edhe nga aspekti kulturor. Dhe, për rrjedhojë, ekspozohen më shumë ndaj sjelljeve diskriminuese jo vetëm nga organet publike, por edhe nga vetë shoqëria”.
Ajo që vihet re më së shumti në jetën politike, sipas zotit Gajda, është gjuha e dhunshme e politikës, e cila nuk ndihmon në debatin shoqëror, duke i përcjellë një mesazh të gabuar shoqërisë e, sidomos, të rinjve.
“Ka gjuhë të dhunshme, ka gjuhë diskriminuese, ka dhe gjuhë denigruese në politikë. Ne shpresojmë shumë që, sidomos parlamenti, që është organi më i rëndësishëm, përfaqësuesi i demokracisë tonë, të jetë të paktën ai modeli më i mirë ku diskutohen gjërat, ku kuvendohet dhe ku mund të merren vendime shumë të mira pastaj, por edhe në respekt të njerëzve dhe dinjitetit të tyre”.
Përfaqesues të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe nga Këshilli Europës kanë nisur javët e fundit një tur takimesh në disa rrethe të Shqipërisë me synim nxitjen e qytetarëve dhe grupeve shoqërore për të denoncuar rastet e diskriminimit dhe për të vënë para përgjegjësisë strukturat përgjegjëse shtetërore.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply