Çdo gja asht ndryshe, në horizont dielli copëzohet,
copëzat ngulen në zemrën e tokës si shigjeta triumfuese.
Ngjyrat s’i dallojmë,
nëpër erën që frushkullon kujtesën,
poezi s’lexojmë në universin e marrëzive
ku marrëdhaniet mes territ dhe dritës
shfaqen si marrëdhaniet mes murit dhe mendimit.
Prapa luhet loja e çuditshme, njësoj si dikur
zogjtë bien përtokë, si atë kohë kur u shkrue Ferri.
O Zot, seç ka ndërrue çdo gja,
në kohën kur gardhi i vogël errëson sytë e mëdhenj.
Hëna gjen rrugë
nëpër duart e mpira që rrinë si shtiza drejt qiellit
e dielli shkrihet si qiri nëpër sytë e lodhun t’tokës
që s’shohin gja në qiellin blu, veç një reje t’ vogël
një reje që errëson gjithçka.
Kështu, shikimi përdridhet në hapsinë
si përdridhet era dhe krijon orteqet e saj.
Pastaj shfaqen fytyra,
në një natë, kur çdo gja asht ndryshe,
brenda së cilës kufijtë janë n’ kokën tande
aty kur kambët tua ecin nëpër iluzione
dhe ashtu i shtrydh andrrat e këqija
për kohën që s’asht
për kohën që s’ishte
për kohën që s’vjen
për kohën që ik me erën.
Çdo gja asht ndryshe, në horizont dielli copëzohet
copëzat ngulen në zemrën e tokës si shigjeta triumfuese.
Utopia n’ betejë me realitetin
ia ha andrrat
e strukuna n’ kandin e fshehtësisë.
( Nga libri, Arka e shpetimit, 2012 ©)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply