Kam pasur një jetë në “bodrumet” e heshtura të dijes, për të mos thënë “shkencës”; më saktë në institucionet e paguara të saj. Me instinktin e mprehur viteve, mund të them sot disa gjëra që dikur nga ndrojtja, vetëdija e paplotë, iluzionet, frika, rrezikimi i vendit të punës nga drejtues kapadainj e me kostume politike, nuk i kam thënë dot. Kam qenë e jam një studiues për artet, pra në fushën e studimeve të botës shqiptare, ndryshe thënë “albanologjike”. Vetëm budallenjtë, kokëboshët dhe kapadainjtë e politikës e të tjerë sosh, studimet “albanologjike”, të inkluduara përfundimisht në Akademinë e Shkencave si institucione unikale të studimit të botës shqiptare, ende vazhdojnë t’i shpërfillin. Këto lami të dijes shqiptare ndodhen përballë sfidave të gjendjes së re dhe statusit të tyre të fundmë institucional. Sikur të mundja e të kisha një spektër, unë do doja ta thoshja me zë të fortë: “Le të marrë fund, më në fund, loja dhe spekulimet që janë bërë deri sot me njerëzit e pabëzajtë të shkencës në këto dije!”
Fusha ime është teatri, dramaturgjia, por kam shkruar e botuar mjaft edhe për kinematografinë, letërsinë, artet pamore etj, duke i ndjerë si pasione të miat të brendshme. Shkurt e qartë: si ndjehet sot një studiues në këto drejtime shkencore, le të themi psh një historian, gjuhëtar, arkeolog, antropolog, etnolog, sociolog, kritik e studiues letërsie, arti? Cila është shkalla e tij sociale, ku e kanë vendosur të pushtetshmit, sa vlerësohen, sa u peshon fjala? E fundit, dhe mbase kryesorja, sa është rroga e tyre, sa janë të ardhurat që sigurojnë, cili është statusi ekonomik? Ju e kuptoni menjëherë se unë s’kam pse i sillem rrotull vetes, pasi e kam “ngrënë çairin”, gëzoj një pension të mirë si profesor; e kam fjalën për studiuesin si profesion, si kategori sociale dhe profesionale, për njeriun që ka si hipotekë të vetën vetëm dijen, librin, germat, për atë që në heshtjen e vet e, mbase, nën shpërfilljen e shumëkujt, i cili ka ca pare tepër a një makinë luksi dhe që ky studiuesi nuk i ka (dhe as mund t’i ketë sot në nivelin ekonomik të sotëm), prapë se prapë ai ka dinjitetin dhe autoritetin e fjalës, dijes, kulturës. Tek shkoja sot në mëngjes të pija kafen, bri meje kaloi me biçikletë dikush që e njihja. Ishte një studiues i ri, historian i talentuar. S’di pse bicikleta e tij m’u duk shumë me e bukur dhe shumë më luksoze se makinat vezulluese të ndonjë qeveritari, deputeti, oligarku, paralliu, maskarai. E dija se ai do mbyllej si murgu pergamenave dhe ashtu si ai dijetari e personazhi i Orhan Pamukut në romanin e tij të famshëm “Unë jam e kuqja” që vetëqorrohej teksa delironte me figurinat e tëholluara anash librave të shenjtë (si nëpër kujtesat e mugëta e të shtypura nga pamundësia), bash aty, tek ato germa e në ato arkiva të pluhurosur edhe këta njerëz të pakët që mbajnë emrin e “albanologëve” gjejnë kënaqësinë e thellë, lumturinë, madje ushqejnë tinëz dhe deliret e veta, ama të bukura, të përligjura nga pikëpamja psikologjike…
1.
Cila është sot pozita e këtij njeriu që thjesht quhet “punonjës shkencor”, por dikush, për respekt, mund ta quajë edhe dijetar, shkencëtar, profesor, akademik etj? Mua më duket se kjo pozitë është shumë më poshtë nga çka qenë dikur motit. Hijerorja i ka rënë përtokë, ajo e sqimës intelektuale e morale më së pari, por edhe ajo e “xhepit”. Le të bëjmë fjalë për të parën fillimisht. Ky “punëtor i librit” sot më duket më shumë se kurrë i zhvlerësuar. Zhvlerësimi fillon te zhvendosja e tij gjithnjë e më poshtë në raport me interesin e shoqërisë mbytur në mediokritet, rëndomtësi, vizion opak, vulgaritet, imazhe spekulative, perversitet mediatik, varfëri dhe herë-herë idiotësi. Shoqëria duket si e shkëputur nga frytet që sjell kjo punë në rrafshet e vetëdijes kombëtare, të vetë shoqërisë shqiptare, e cila gjithnjë e më shumë priret drejt grindjeve politike, argëtimit, fitimit, moskokëçarjes, kafeneve, kotësisë, marrëzive të tik-tokut, budallallëkut, snobizmit urban – në gjuhën e popullit thuhet ndryshe “pordhë me rigon”. Mediet merren tërë ditën me këto grindje, presin me padurim sa të ndodhin që të mbushin ekranet, të marrin rrogat dhe të tjerrin pafundësisht fjalë. Ngulen te dritarja e një ish politikani, dikur i frikshëm e sot qesharak, dhe dër, dër, dër… Ose ofrojnë në vend të ideve ca shalë femrash që shiten si zarzavatet në tregun e pistë, kronika të zeza pafundësisht, tmerrësisht të lodhshme, libra spekulativë me “zogj” e “pula”, fytyra të tejkonsumuara, ca me mustaqe e mjekra, ca qose e të rruar-kruar, që shesin mend “pa mend”, dhe kurrkush nuk e ka në mendje që të ftoj një albanolog (antropolog, arkeolog, gjuhëtar, kritik letrar, studiues të artit, etnolog) me përjashtim të sherreve për historinë, jo 28 e jo 29, jo Enveri e jo Saliu, jo ma le e jo ta lash! Ose siç është bërë virale një vrullimë inati e kryeministrit para ca gazetarëve “krimi, krimi, krimi… droga, droga, droga…” Edhe kur ftohen, lihen në emisione me kohë e shikueshmëri të ulët, pa mundur të krijohet për ta një opinion apo ata të krijojnë vetë një opinion. Vras mendjen dhe them: Pse kaq pak interes? Ia hedh fajin kohës që duket indiferente për kësi gjërash, e cila kërkon salcra të tjera të një shoqërie “globale”, “grabitqare”, “barkëfryrë”, ku e mjera albanologji struket, mrrudhet e tkurret. Ia hedh fajin shtetit, që e ka lënë në pikë të hallit, me një buxhet qesharak që as pagat s’i rritin dot e jo më botimet etj. Bie fjala, si ka mundësi një profesor në universitet të marrë deri 300 mijë lekë të vjetra më shumë se një profesor në Akademinë e Shkencave, kur dihet se ky institucion është unik dhe cilësia e punës shkencore parashihet si ajo më cilësorja, e përkryera e mundshme. Qysh këtu e 20 vjet më parë ne, studiuesit shqiptarë bëheshim xheloz dhe na vinte inat pse, bie fjala, një profesor në Kosovë, sado më e varfër se Shqipëria, merrte dyfishin e një sivëllai të vet këtu. Pse ata e mbërrinin këtë status vlerësimi e ne jo? Sepse ishte vlerësimi i drejtë i vizionit qeveritar për t’i dhënë kësaj kategorie një status ekonomik të diferencuar. Mirëpo qeveria u ngre rrogat ca kokëgdhëve me emrin deputet, që e kanë lexuar ose jo një libër në jetë, që e dinë ose jo gjuhën shqipe, lëre gjuhët e huaja! Ama, ata dinë të ngrenë dorën kur votohet dhe kur flet “komandanti” ose të ndezin flakadanë dhe të grinden me grushte. Çfarë mjerimi! Këta po, e meritojnë!!! Bukur fort i rritët pagat e deputetëve, por deputetit i pjell edhe kokoshi vezë, se impaktet politike i shndërron në fitime e para, dieta e “borde”, kurse një studiues vetëm paratë e librave të tij ka. Pastaj, s’besoj se shumë nga ata deputetë që mbushin sallat lodhen nga mendimet tek dëgjojnë llogje-kavaje, gati për sherr brirë më brirë si buajt. Ndonjëherë, kur i shoh aq të “menduar”, kam qejf të shpotis se ndoshta mos flenë gjumë me sy hapur. Të më ndjejnë të mençurit dhe të spikaturit e asaj salle, por ja, kështu më shkon mendja ndonjëherë për dreq, kur kundroj ca fytyra të përgjumura nga vetëkënaqësia. Lëre pastaj “heronjë” me shkrepse në dorë!… Dhe ndonjëherë më zë dalldia e shpresës: “E pse dreqin pikërisht ky kuvend, këta deputetë, dhe kjo qeveri, ky kryeministër, kjo opozitë mos të bëhen njëherë bashkë si një “Plutus” që jep kamje për profesoratin e vendit të vet? Ende ne vazhdojmë me 1% të gdp financim nga shteti, kur shteti më i vogël se ne, Maqedonia e Veriut, e ka 2% të gdp, ndërsa vende të tjera 3%. Fjalë të mëdha gjithë qeveritë kanë thënë se shkencat albanologjike ashtu dhe kështu, kanë këto e ato vlera, merita, rëndësi, por kur vjen puna te rrogat hiç, le të rrinë aty ku janë, asnjë mundësi më shumë ose, së paku, ndonjë thërrime për të larë duart si Ponc Pilati. Lëre pastaj të dalë ndonjë ministër finance, deputet a shef dhe të mëlmit për diferencimin e merituar në paga për vetë funksionin social dhe kombëtar të këtyre shkencave. “Aty të rrini qena, ngordhni në vend, lërini fjalët dhe pretendimet, sus, kaq vleni ju!” Po ju sa vleni?! Dhe mua më vjen në mendje ajo metafora e shkëlqyer e zbythjes së katundarit në filmin e Anagnostit “Përrallë nga e kaluara” në skenën e dasmës së Gjinos. Zbythu e zbythu e në fund, atje e ke vendin qerrata! Jemi na, pra jeni ju! Atje në film ajo zbythje ishte komike, këtu ndër ne është dramatike. Do ta quaja, përçmuese. Po pse ngjet kështu vallë përherë: Për inat të sime vjehrre shkoj e fle me millonanë, i thonë fjalës. Pse? Gjithmonë sa vijnë partitë në pushtet, duan të heqin të “padëshiruarit” dhe për ta ngulfatur institucionin, presin fonde, bëjnë “reforma”, zhvlerësojnë, sulmojnë, gjersa gjejnë hilenë dhe i heqin drejtuesit. E për sa karrige bëhet e gjitha kjo mesele a hile, ju lutem? Për pesë? Dhjetë? Shteti im, i yni, shikoje cazë me dashuri institucionin! Nuk janë këta 5 apo 10 vetë që e krijojnë atë, të djathtë a të majtë, të mitë a të tutë. Ata shkojnë e vijnë. Janë të tjerët, të heshturit, ata që edhe po t’ua qasësh atë dreq karrige, nuk e duan se i pengon në punët e tyre! Kjo lojë duhet të marrë fund një herë e mirë. Shteti është nënë, jo njerkë. Njerkë mund të jetë partia, larg qoftë, por jo shteti. Shteti është drejtpeshimi. Pra, më në fund, lëreni institucionin të lirë, në lirinë akademike, në lirinë e të qenit, në lirinë e statusit dhe komoditetit që meriton.
2.
Përveç hierarkisë sociale e intelektuale, përveç kushteve të punës (ikën dritat, erdhën dritat!), përveç frytit të punës shkencore (botimeve, veprimtarive publikuese e promovuese etj.), e munguara e dytë e madhe është shpërblimi. Jo vetëm paga. Ata të kalemit në Ministrinë e Arsimit a të Financave, besoj edhe kryeministri i vendit, e dinë por unë po e kujtoj. Në zuri fjala vend diku, ashtu qoftë! Kam pasur 20 e më shumë vite që jepja ligjërata në Universitetin e Prishtinës. Jo se niveli i mësimdhënies aty ishte më i lart se këtu te ne, përkundrazi. Por ama Hashim Thaçi, doemos duke ia shushuritur evropianët në vesh, i rriti pagat e pedagogëve të universiteteve. Paga minimale në rang vendi këtu tek ne, me sa di unë, nuk ka ndonjë diferencim kushedi çfarë me pagën e ndonjë punonjësi shkencor në institutet albanologjike. Pra diferenca: pagë e lartë-pagë minimale, është shumë më e vogël nga pikëpamja e “barazisë sociale”. Po vallë ky mentalitet barazitizmi duhet ta udhëheq mendjen e njerëzve që bëjnë politikat e pagave të diferencuara në qeveri? A s’duhen caktuar ato gjegjësisht vlerës, rëndësisë, meritës, nevojës? Po të krahasohemi me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe vendet e rajonit sa i përket pagave, jemi shumë më ulët. Budallenj janë ata, nuk e dinë se paga e profesoratit është pikërisht vlerësim, një hierarki e dobishme për të ndërtuar kastat e njerëzve që mbajnë dritën ndezur, fundja edhe për krenari të kombit të vet, epëri, identitet, qenësi, ontologji. Nuk e dinë ata se ky diferencim ndez xhelozitë e të varfërve, e të rëndomtëve, e të “tjerëve”. E dinë, por dinë gjithashtu se pa këtë kastë njerëzish që sigurojnë vijimësinë e brezave dhe diturisë kombi s’ka të ardhme, shpejt bjerret, zvetënohet, e pushton “turma”, rrafshimi i personaliteteve dhe gjeniumeve, mediokriteti mbytës, zerua e madhe që të kthen, siç thoshte Kadare, në një komb “Kra-kra-kra”. Në mos krakaritshim si korbat dhe laraskat sot, nesër si pa kuptuar do krakaritim në kor, ashtu të lumtur në terrin dhe llumin tonë, siç fatkeqësisht kanë zënë të krakaritin nxënësit, studentët, gjer dhe pseudodoktorantët me disertacione të blera. Dhe ç’farë bën kjo mendësi e ngulur më së pari te qeveritarët, deputetët, njerezit që kanë pushtet në dorë ose tek ata që krijojnë opinione? Thjesht, nxit korrupsionin; në vend të diplomave cilësore nxjerr “qofte ke daja”!
*
Ndryshimi i statusit ekonomik të punonjësit shkencor nuk është thjesht paga. Një nga balancat e këtij statusi janë shpërblimet, honoraret për libra, artikuj studimorë, kumtesa, projekte, juri, këshilla shkencore, borde etj., të cilat ndihmojnë kamjen e një punonjësi shkencor. E habitshme është se këto lloj shpërblimesh nuk paguhen më as sipas vendimit të qeverisë të vitit 1997 me 40% si dikur, por shumë më pak duke përdorur gjithfarë manovrimesh. Pyes prapë: Pse? Këto shpërblime, përpos të tjerash diferencojnë edhe punën, meritën, djersën mes studiuesve njëri përballë tjetrit. Jemi në ekonomi tregu apo jo? Edhe truri matet, pra shpërblehet kush lodhet më shumë e jo kush lodhet më pak.
Unë kujtoj me dhembje, për shembull, që në projektin madhor të Enciklopedisë së Arteve Shqiptare të të gjithë hapësirës sonë kombëtare dhe diasporës, Akademia e Shkencave së paku 50 studiuesve me emër në lamitë e arteve, profesorë të shquar, doktorë shkencash, artistë të mirënjohur etj., të cilët izhin hartues zërash dhe artikujsh nuk morën kokërr leku. Ndërsa mua m’u dha një shpërblim qesharak, as një të dhjetën e punës që kisha kryer si drejtues i këtij projekti, si kryeredaktor dhe sidomos si hartues i mbi 800 njësive dhe zerave enciklopedikë. Dhe kur iu ankova kryetarit të kësaj Akademie, profesor Skënder Gjinushit, pavarësisht justifikimit që ai dha se mungojnë fondet etj, etj, premtoi se diçka do të bënte kur projekti dy vëllimësh me rreth 2300 zëra do të botohet. Nuk kam besim, por pas botimit të pritshëm të tij, le të shohim se sa mbahet fjala; jo vetëm për mua, por së paku për ata 50 studiues që përmenda. Dhe të mendosh se kjo nuk është, le t’i themi një “rastësi”, sepse dikush tjetër, jo i njerkës por i nënës, ka marrë dhe merr, sigurisht me meritë, hakun e mundimit të vet apo të ekipit të studiuesve të këtij apo atij botimi. Qëndrim i drejtë dhe i barabartë është ky apo i “diferencuar”?! Ja, po i iki interesit tim vetjak si profesor e pensionist, dhe po shtroj pyetjen retorike, që nënkupton brenda saj dhe vetë përgjigjen: “Nuk është e aftë qeveria apo ministria e financave vallë që ta hap pakëz atë të uruar qese (sa një kokërr hudhër!) për Akademinë e Shkencave duke planifikuar ca më mirë dhe shpenzimet për botimet dhe veprimtaritë shkencore, për honoraret etj, duke i përfshirë e duke i rritur këto? Dhe kështu shefat, drejtorët, kryetarët kanë për ta hapur dorën më lehtë, se helbete kanë diçka që të të japin, dhe jo me një shpëlarje duarsh a me një “hiç të bukur e rrenacak”, si në rastin tonë. Bah, ç’ne! Nuk dua ta zvogëloj veten. por sa shumë e shumë simotra të punonjësve të tjerë shkencorë (projekte, libra) janë paguar fare pak ose aspak…
*
Ku po shkohet? Cilët do të jenë njerëzit e librit nesër? Të ç’niveli? Këtë nuk e di, veçse dyshoj: zi e më zi po vazhdoi kështu. S’do jetë si komedia e njohur e Kristo Floqit “Zi e më zi”, që nga kujë kthehet në këngë e valle, por nga këngë e valle mund të kthehet në kujë. Kujë për arsimin dhe kulturën. Kujë për dritësimin tonë. Po vrapojmë si të çmendur drejt injorancës me kuç e me maç. Shkolla ka rënë përtokë. Universitetet mos më keq. I shikon studentët me sytë e zbrazët që veç mbushin auditorët për të vrarë kohën apo për “gallatë”, duke zhurmuar e haharitur, dhe pa libra, me duar në xhep dhe Iphon-a. Të zë me të vërtetë kuja. E kam fjalën për shkencat humane dhe aq sa jam në kontakt, nuk i di si venë punët te të tjerat. Por në një vlerësim të përgjithshëm nuk recitohet postulati rilindës i Naimit: “Dhe udhë e diturisë përpara do na shpjerë”, por “ububuja”. Ububu kur teston njohuritë e studentëve a mëtuesve të shkencës, ububu me shumë syresh që kanë mbaruar “shkollat doktorale” dhe pas mbrojtjes së tezës për të “mbrojtur vendin e punës”, askush nuk shkruan më një studim a libër të dytë, kontingjente të paaftësh që shtohen e shtohen gjersa të të marrin frymën, siç ndodhi me masterat me “lopata”. T’i thuash tjetrit sot “kam mbaruar masterin”, përgjigja mund të jetë: “Eja or mik, kape lopatën dhe bëj llaç!” Më ka ndodhur vërtet që teksa e pyesja një student se cili ishte Fan Noli sipas tij, m’u përgjigj se s’e njihte. Mos ka qenë gjë drejtor teatri, u luhat me dyshim. Jo, i thashë duke shpërvjelur buzët nga sarkazma, ka qenë regjisor…
Afërmendsh, ky është një rast anekdotik. Por pyesni sa romane kanë lexuar, sa monografi, sa vargje përmendsh dinë nga poetët tanë më të mirë. Terra inkognita. Tmerrohesh. Kultura, njohuria, informacioni është më së shumti “viziv”, vrap nëpër foto, abstrakte, imazhe, internet, Youtub. Kulturë “youtube”-iste dhe “tik-tok”iste. një kich kulture që çmerit gjithçka. Mbamendja është dembelosur se gjithçka është e gatshme si qoftet, aty në plazmën e ekranit të Iphon-it apo Ipad-it veç duke klikuar. Gjuha shqipe është si e trullosur, sikur e kanë goditur me vare në kokë. Fjalë pa fund nga leksiku i huaj, më së shumti i anglishtes. Gjithfarë mburravecësh e snobësh që s’dinë shqip mbytin ekranet. Dhe një llum zhargonesh e nëndialektalizmash, ku sqima, përhitja, spikama, rrëzëllima e normës letrare, farfuria e standardit, zhyhet e zhgërryhet në vaskat e pista të kësaj lëngate e zdërhalljeje që e ka zënë për qafe të bukurën dhe madhështoren gjuhë shqipe. Ja, kjo është një pasojë, veç të tjerave, edhe e zhvatjes së hapësirës që i është bërë albanologjisë prej anarkisë dhe “pornografisë” së kulturës së rrugës, dhe bri saj edhe misionit të Institutit të Gjuhësisë. A ka një shërim, apo do të biem poshtë e më poshtë, e të çmendesh nga kjo shqipe e çatrafilluar nëpër blogje, nga ky jerm, përçartje e harakiri, sa shpirti të dhemb. Kolegët e mi të antropologjisë kulturore ankohen se s’ka më ekspedita në terren për studime serioze në këtë lëmi për shkak të mungesës së fondeve. Pas vitit 1990 ka një ndryshim rrënjësor, një përmbysje dhe zhvendosje të jashtëzakonshme të krejt dokeve, normave të sjelljes, zakoneve, raporteve pronësore, mendësisë, marrëdhënieve erotike, ritualit të festave, dasmave, vdekjes, veshjes tradicionale, folklorit, të përkthyera në tjetër format antropologjik. Por pa këto ekspedita dhe hulumtime të materies kulturore identitare, me zhvendosjet e shpejta e të rrëmujshme demografike nga periferia e veçuar rurale drejt qendrave urbane ku socialiteti është shumë më i shprehur, a mund të bëhen libra seriozë që i vlejnë dijes së kombit, që dëshmojnë procesin e ndryshimit historik të shpirtit tonë, “hartën” e ashtës sonë identitare? Kaosi i botimeve dhe pamundësia e vendosjes së një steke vlerësuese mes shkrimtarëve dhe artistëve të gjinive të ndryshme a s’është pasojë edhe e shpërfilljes së albanologjisë, pra e studimeve letrare artistike? Po sa nxiten këto botime, sa mbështeten me fonde? S’di për të tjerët, por në institutet albanologjike këto fonde janë pakuar vitet e fundit dramatikisht, sirtarët e studiuesve janë me libra-projekte të fjetura, si “luanët e vdekur” të Hemingueit. O Zot, kaq shumë i kushtoka qeses së shtetit, sado i shtrënguar fort e me arsye, për një grusht librash? Po fondacionet, të pasurit, mecenatët çfarë financojnë vallë, vetëm sfilata, spektakle, farfuri seksuale dhe Big Brothera?! Unë di se Ministria e Kulturës e Maqedonisë (mos qofsha i gabuar!) jep para për 1000 tituj librash të rinj në vit. Po ne ç’bëjmë, apo vjedhim bankat, sigurimet, majmin oligarkët dhe e lëmë një nga kabinetet dhe fakultetet e mendjes shqiptare në qorrsokakët e shpërfilljes? Shteti, jo pushteti, thuhet se përfaqëson të “drejtën absolute”. Mirëpo ky shtet, shkon një qeveri e vjen tjetra, ikën Hasani e vjen Hyseni, ka lënë pas dore vite e vite projekte të një dimensioni madhor mbarëkombëtar që vetëm institutet e Albanologjisë mund t’i nxjerrin matanë. S’po flas për të tjerat, po përmend vetëm Enciklopedinë e Shqipërisë e menduar në 10 vëllime. Sa të vonuar jemi, o zot! Nisi puna me fjalësin e shqipes, por nuk e njoh ritmin e saj. Padyshim eshtë një punë e madhe para, por sakaq shumë nga mendjet e ndritura të gjuhësisë dikur kanë ndërruar jetë ose janë pensionuar. A nuk duhet nxituar që të fitohet koha e humbur dhe të shfrytëzohen kapacitetet filologjike të të gjallëve? U botua “Historia e shqiptarëve” në katër vëllime me një vështtim të ri komplementar, pritet një tjetër botim i historisë së Shqipërisë. E pra, kur ka para, uji lëviz. Paraja e hedh shurrën përpjetë, shpotit populli. Prandaj ç’i duam fjalët e bukura. Duhen para, domethënë një ndryshim i ndjeshëm dhe meritor i pagave dhe pas tyre i shpërblimeve të gjithfarta të punës shkencore. E ç’janë të gjitha këto?! Ndoshta një rrugë fshati a më pak. Por këtu në vendin tim janë shtruar rrugë fshati edhe atje ku lopët dhe dhitë i mbushin me kakërdhi e bajga çdo ditë, ku lëvizin tre qerre e tre makina, ku s’ka më njerëz por shtëpi të zbrazta, e jo më s’paska para për ca libra, honorare dhe ngritje pagash! Edhe njëherë turp! Epo mjaft me kukamfshehje!
*
Nëse jepen më shumë para unë e di fare mirë se puna e instituteve të Albanologjisë do të ketë një zhvillim të ndjeshëm. T’i lëmë fjalët e mëdha dhe panegjerikën shterpe, por qeveria të rrit buxhetin e Akademisë. Kur ka para punët lëvizin vetë, njerëzit ngulen, kjo është ABC-ja e këtij sistemi që ne dhe vendi ynë përqafuan dhe aplikojnë fort. Por Akademia s’është pulari ku ngrohen vezët e klloçitin zogjtë e vegjël, duke i mbajtur nën krahë gjersa të rriten. Ky koncept është i tejkaluar. Për fat të keq ai ka bërë kërdinë. Nëse ofrohen kushte të mira pune, paga të mira, privilegje të merituara, vallë e vështirë është të gjenden individë të afirmuar, me botime serioze e imponuese, njerëz të respektuar që iu “heq kapelen” për ndihmesat e dhëna dhe autoritetin shkencor të fituar me punë e talent? Konkurrenca “rrezikon” këdo që ia këput gjumit dhe s’boton dot dy libra, por merr rrogën qyl nga taksapaguesit dhe majmet nëpër zyra e kafene. Tok me të edhe kontrata individuale me afate kohe të matshme. Pa produkt s’ke pse rri në këto institute, qofsh drejtor a qofsh “doktor”. Botimet janë treguesi kryesor i të qenit studiues, jo “dënglat”. Duhet të marrë fund praktika e “katapultimit” të drejtuesve në institucionet shkencore përmes parapëlqimit apo përkatësisë politike, preferencave, përkohësisë së reformave etj. Pushteti duhet t’i heqë më në fund kthetrat nga shkenca. Mos të përsëriten më tipe pranimesh tragjikomike të “akademikëve” në tufë si dikur, me ca juri qesharake, edhe këto të importuara nga jashtë, si kinse “europiane”, që s’dinin nga binte shqipja, lëre më studimet dhe librat për botën shqiptare! I krijoni këto kushte ligjore ju njerëz që keni pushtetin dhe qesen, shtoni edhe mbështetjen financiare për botime dhe veprimtari shkencore në rang mbarëshqiptar, rajonal dhe evropian dhe këto institute te albanologjisë a forume e studiues të botës shqiptare, pasuri e këtij populli, kanë për të lulëzuar. Megjithëse e thash çdo gjë e merak që kisha, rishmëzi dua ta bërtas fjalën, mbase ndonjë vesh atyre zyrave diku më dëgjon: “Paraja ngre të vdekurin nga varri!”…
Burimi/Facebook


Leave a Reply