Ali Cenaj
Dje e mora vesh se paska një Ditë Botërore të Familjes. Jo nga ndonjë manifestim apo organizim nacional kushtuar Familjes, kësaj bërthame shoqërore e nacionale, ditën e së cilës këta qeveritarët tanë kanë mundur ta shënojnë, por “s’u paska rënë ndërmend”.
Lajmin për Ditën e Familjes e mësova nga një njoftim i shkurtër, i strukur mes titujve e lajmeve të përçudshme që na bombardojnë përditë: Dhunonte të bijën prej 10 vitesh, Vajza 15 vjeçare kishte nga 13 klientë në ditë, Vret veten 18 vjeçari etj, etj. lajme të tilla që flasin qartë por s’kanë kujt t’ia thonë, se familja në këtë shoqëri është në hall. Në krizë të madhe, familja po përballet me goditje të vazhdueshme në këtë kohë ujqish e transicioni të egër, ku paraja e pushteti na është bërë çdo gjë dhe ku s’ka mbetur gjë pa u përdhosur e relativizuar deri në absurditet.
Në këtë kohë kur dukesh si anakronik e madje është si për turp të pyesësh kush është filani, çfarë familje ka, prej nga i ka dajët e hallat, por me rëndësi është vetëm sa banesa e çfarë veture vozit, a ka dike nga ata atje lart apo është nga ne të tjerët që s’na ka mbetur tjetër përveç të shajmë e turfullojmë kot.
E jo shumë moti, po të përfliteshe për vjedhje, plaçkitje, drogë, ishte marrja e botës. Turpi që s’të linte vend kund. E tash, burri i botës, me gjithë atë emër e funksion, e nxjerrin duarlidhur për zhvatje të parave të shtetit dhe ngre kokën si “qeni në thekër” si ta kishte çliruar sërish vendin.
E kishim menduar, jo vetëm ne, por edhe të tjerët që madje na vlerësonin e na çmonin për këtë, se familjen e kishim si vlerën kulmore, shtyllën kryesore që na mbajti ndër shekuj.
Madje se nami i familjes shqiptare, familjes së organizuar që funksionon me rend e rregull, kishte arritur përtej Atlantikut, deri në Amerikë, ma thotë, jo pa krenari, avokati Lami, bashkëvendës e shok i fëmijërisë, që tash është një nga shqiptarët e suksesshëm në SHBA, pronar i një nga shtëpitë juridike prestigjioze në New York, tek bisedonim verën e shkuar.
Duke kujtuar fillimet e ngritjes në karrierë, Lami kujton një telefonatë që e kishte befasuar pasi vinte nga Shtëpia Juridike më e njohur që drejtohej nga një prej hebrenjve të shquar, i cili e kishte befasuar me ofertën që ta bëjë pjesë të biznesit të tij. T’ia hapë udhën e ngritjes në piedestalin e hierarkisë. Dhe, kishin lënë takimin.
E prita dhe pas një bisede të shkurtër në zyrë i propozova të vazhdojmë në atë restorantin më të njohur në Empire State Building, por më shikoi disi çuditshëm.
Dhe ma ktheu: z. Lami, pse të mos shkojmë në shtëpinë tënde. Kam dëgjuar për ju shqiptarët, por dua të shoh vetë çfarë familje ke. Njeriu pa familje të shëndoshë, familje stabile e harmonike nuk vlen asgjë. Askujt nuk i duhet. Ai që familjen s’e ka si duhet nuk mund të udhëheqë as një shitore çorapësh e lere më një Shtëpi Juridike me renome, thoshte hebreu plak, më thotë Lami atë mbrëmje vere në terasën e “Teutës” në Kala.
Lami e pranon, kishte pak tremë kur ashtu të paralajmëruar, ia behën para derës së shtëpisë. Por, fatbardhësisht familja, gruaja e fëmijët, e dhanë provimin. Dhe Lamit iu hapën dyert e ngritjes aq të shpejtë e të suksesshme në karrierë. Falë edhe namit të familjes shqiptare, për të cilën hebreu plak kishte pasur aq konsideratë.
Familjes, të cilës as një ditë nuk ia kushtuam si duhet. E kemi arsye të shumta që, së paku në Ditën e Familjes ta qesim një pikë në hapësirë për të parë se ku jemi. Që së paku të ndalemi dhe t’ia vëmë gishtin kokës. Së paku të kthejmë kokën prapa dhe të shohim ku ishim e ku po shkojmë. Çka po ndodh me ne që kështu kemi dalë nga defteri? Ç’është kjo shthurje, ky degjenerim, gjithë kjo drogë, prostitucion, hajni, mashtrim. Çka po ndodh me familjen, me respektin për prindin, vëllanë, motrën. Çka ka mbetur nga familja shqiptare, nga ajo për të cilën hebreu plak kishte aq respekt. A do ta sillte fare numrin e Lamit, ai po ta shihte kështu siç është bërë? Ai e kishte me vend kur thoshte se nuk u besoj njerëzve prapa të cilëve nuk qëndron një familje e fortë e kompakte.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply