Në biseda të ndryshme dëgjohet të thuhet, me dëshpërim, se nuk ia vlen të jesh i mirë, nuk ia vlen të jesh i sjellshëm, nuk ia vlen të bësh mirë, nuk ia vlen të jesh modest, nuk ia vlen të jesh i sinqertë, nuk ia vlen të jesh korrekt, nuk ia vlen të jesh i ndershëm, etj.
Me keqardhje, por duhet thënë: njerëzit tashmё janë tё bindur, kanë krijuar një përvojë të tillë, dhe kanë arritur në një përfundim, se vërtet nuk ia vlen të dhurosh mirësi! Kjo gjendje është shumë e dhimbshme dhe shqetësuese. Nevojitet që të ndalemi dhe ta pyesim veten pse shoqëria jonë ka mbërritur në këto përfundime. Pse virtyti i mirësisë perceptohet si dobësi!? Ajo çka vihet re gjithnjё e mё shumё ёshtё fakti, se nuk na intereson mё thelbi, që është bota e brendshme.
Ndoshta, sepse jemi duke i kushtuar më shumë vëmendje paraqitjes dhe pamjes së jashtme: njeriu vlerësohet nëse vishet me rrobat e modës së fundit, nëse ka telefonin e fundit që ka dalё në treg, nëse ka tatuazh apo pirsing, nëse ka bërë ndonjë ndërhyrje kirurgjikale estetike, nëse di të gënjejё, nëse e ngre zërin e këtë sidomos përballё të pambrojturve, nëse di të shfaqet sa më farise, sa më hipokrit, nëse di të luajё role për të arritur interesat personale, nëse shfaq sa më shumë fytyra, etj.
Lindin njё sёrё pyetjesh: A ia vlen të lejojmë që të zbehet virtyti i mirësisë tek ne? A ia vlen që ne ta mbajmë të mbyllur këtë dhuratë, që na ka dhuruar Zoti? A ia vlen që ne ta hedhim poshtë mundin dhe edukatën, që kemi marrë mbi këtë virtyt e mbi shumë vlera nga prindërit tanë? A ia vlen që të mos shfaqim mirësi? A ia vlen që të sillemi ndryshe e të mos jemi vetvetja? A ia vlen që të varemi nga vlerësimi i tjetrit?
Sigurisht qё jo, e kjo duhet thënë me një JO të madhe! Asnjëherë nuk duhet lejuar që të zbehet ky virtyt, vetëm pse nuk po e vlerësojmë, dhe nuk po e çmojmë siç duhet. Asnjëherë nuk duhet harruar se mirësia, gjithmonë dhe gjithkund, ka dobinë dhe vlerën e vet si për individin, ashtu edhe për tjetrin dhe shoqërinë në përgjithësi. Asnjëherë nuk duhet dyshuar në dobitë e jashtëzakonshme të mirësisë. Pavarësisht mungesës së vlerësimit ndaj saj gjithmonë të dhurohet sa më shumë mirësi si ndaj vetes, ashtu edhe ndaj tjetrit, sepse aktet e mirësisë janë një nga mënyrat më të mira për ta frymëzuar tjetrin. Vetëm duke kultivuar mirёsi në vetvete, mund t’ua dhurojmë atë të tjerëve.
Njeriu nuk duhet të ndalet së dhuruari mirësi.
Sepse mirësia asnjëherë nuk është e pavlerë dhe e padobishme, siç na e kujton shumë mirë Shën Pali: “Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; për të vërtetё, nëse nuk do të mejmë, patjetër në kohёn e duhur, do të korrim. Prandaj, derisa tё kemi kohë, t’i bëjmë mirë gjithkujt” (Gal 6, 9-10) Pra, mirësia asnjëherë nuk është e pavlerë dhe e padobishme. Por në kohën e duhur do të marrim atë çfarë na duhet dhe kemi nevojë si shpërblim tё mirësisё.
Pavarësisht mosvlerësimit të saj ajo mbetet një virtyt për të cilën sot bota ka nevojë. Edhe pse nuk vlerësohet, edhe pse nuk i jepet rëndësia e merituar, nuk duhet të kemi turp e as të ngurrojmë qё ta shfaqim atё. Duhet tё bёhemi tё vetёdijshёm, se ajo nuk është vetëm një formё mirësjelljeje pёr të lënë njё përshtypje pozitive kundrejt tjetrit, nuk duhet tё jetё njё qasje hipokrite me qёllim nё vetvete, nuk është vetëm thjesht të bësh diçka tё mirё për dikë, por është një virtyt i pandashёm i formimit të personalitetit tonё. Pra, mos kini turp që të visheni me mirësi, por bëni që të tjerët të turpërohen nga mirësia juaj. Siç na porosit sërish Shën Pali: “Vishuni, pra, pasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë” (Kol 3, 12).
Ai që është i veshur me këtë virtyt ka brenda vetes edhe vlera të tjera, si p.sh. respektin, mirëkuptimin, zemërgjerёsinё, thjeshtësinë, dhembshurinё, dashurinё, të domosdoshme për mirëqenien e personit dhe përparimin e shoqërisë. Kështu, kuptohet që kemi të bëjmë me një person që ka dinjitet e personalitet të formuar dhe të edukuar.
Për ta pёrftuar atë kërkohet një pjekuri njerëzore, mendore, dhe formim shpirtëror i vazhdueshëm. Kërkohet punë me veten, jo me kohë të pjesshme, por të plotë. Kërkohet vullnet e qëndrueshmëri. Virtyt ky, që, siç ka thënë Papa Gjoni XXII, “është rezultati i punës me veten”.
Personi që e zotëron këtë virtyt është i ekuilibruar, i vetёpërmbajtur dhe nuk është i varur nga ajo se çfarë mendojnë e thonë të tjerët për të. Atij pak i intereson tё ngrejё pikёpyetje nëse mirësia është dobësi apo virtyt, pasi është i sigurt për rёndësinё dhe vlerën që ajo ka. Ai vazhdon të dhurojë mirësi, me modesti dhe qetësi, pa e prishur zemrën dhe mendjen, sepse e ka të qartë se mirësia është forca që e ndihmon atë, që të mos mundet nga e keqja dhe se baza e tij është drejtësia dhe e vërteta. Ai jeton në harmoni me veten e tij dhe me tjetrin, duke e treguar “mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshje” (Nënë Tereza).
Mirësi nuk do të thotë vetёm të bësh gjëra të mira në një kohë të caktuar apo kundrejt personave në nevojë, sepse këtë gjё mund ta bëjnë të gjithë, ajo gjithashtu nuk do tё thotё të bësh gjëra të mëdha vetëm për të bërë emër, por mirёsia duhet tё manifestohet tek individi nё gjithё dimensionin njerёzor tё qenies sё tij. Janё pikёrisht gjestet e vogla dhe të bukura që flasin e dёshmojnë mirësi. Mënyra se si flasim, komunikojmë, dialogojmë, qëndrimet qё mbajmё, si i drejtohemi tjetrit, si i menaxhojmё situatat, si ia shtrijmё dorën tjetrit, si e shikojmё tjetrin, pra, përfshihet gjithë personaliteti i personit. E këtë gjë e bëjmë jo vetëm kur jemi nën vëzhgimin e të tjerëve, por edhe kur jemi vetëm. Të mundohemi që mirësinë tonë ta shohin, ta ndjejnë dhe ta përjetojnë edhe ata që kanë vështirësi me shqisën e të parit dhe të dëgjuarit. Mark Twain shprehet: “Mirësia është gjuha, të cilët të shurdhët mund ta dëgjojnë dhe të verbëritë mund ta shohin”.
Personi që është i veshur me mirësi nuk ka nevojë ta ngrejё zërin apo të bërtasё, nuk ka nevojë të çajё me bërryla për të arritur diku dhe diçka, nuk ka nevojë që të tregojё se ç’vlera ka, nuk pret duartrokitje dhe vlerësim nga të tjerët, por i mjafton qetësia e brendshme shpirtёrore që reflektohet mё sё miri sё jashtmi. Mjafton heshtja, maturia, thjeshtësia dhe urtia. Sepse mirësia nuk ka nevojë për fjalë, por mjafton shembulli dhe sjellja e mirë, që lë mbresa e gjurmë tek të gjithë e mbetet në kujtesën e të gjithëve.
Pra, mos lejoni që veset dhe dobësitë t’ia zënë frymën këtij virtyti kaq të çmuar. Mos e kërkoni diku jashtë, sepse nuk mund ta gjeni, mirësia vjen prej zemrës dhe është fryt i Shpirtit Shenjt, sikurse na mëson Shën Pali: “Fryt i Shpirtit është mirësia” (krh. Gal 5, 22).
Mbajeni veshur gjithmonë mantelin e mirësisë dhe mos e hidhni atё përballë çfarëdo situate. Jepuni arsye të tjerëve se ia vlen ta vlerësosh mirësinë. Mos kini turp të shfaqni mirësi. Mos dyshoni në dobinë e saj! Dhuroni sa më shumë mirësi!
Shkëputur nga Libri ” ARTI I TË JETUARIT” (Edukim dhe formim i vazhdueshëm)
Postim plot urtësi nga : Lekaj Suzana 💜👑
Piktura: Eridan Xharahi
Burimi/Facebook/Enida Kaziu


Leave a Reply