Çështja e rishikimit për rikthimin në strukturën shtetërore të Ministrisë së Diasporës ka të bëjë me kryerjen e funksioneve të saj në raport me interesat e potencialeve që ajo përfaqëson në interesin kombëtar.
Motivimi i këtij rikthimi ka plotë arësye të shëndosha.
Është i nevojshëm regjistrimi elektronik i shqiptarëve në botë, evidentimi i marrjes së shtetësive të ndryshme, evidenca e heqjes apo dorëzimit të shtetësisë shqiptare, lindjet jashtë shtetit me të drejtë të votës.
Është i pjesshëm dhe e gabuar metoda e votimit nëpër ambasada shqiptare, kur mund të votohet në qendrat e shoqatave më të organizuara, nën kontrollin e shoqërisë civile, të cilat funksionojnë në të gjithë shtetet ku jetojnë shqiptarë.
Për të saktësuar këtë regjistrim, është e nevojshme marrëveshja dypalëshe me shtete të ndryshme, për të hapur rrugën e regjistrimit të përgjithshëm elektronik.
Jemi në prag të Samitit të Tretë të Diasporës, i cili si dy të parat konsiderohet një dështim i politikave shtetërore në Tiranë dhe Prishtinë.
Shoqëria civile duhet të kërkojë shpjegime nga politika: Çështje e Samitit të Diasporës, çfarë bëhet sot me detyrimet që kanë marrë përsipër organet ekzekutive? Ngritja dhe më pas shkrirja e një ministrie të Diasporës janë qëndrimi formal shtetëror në këtë çështje me karakter strategjik. Atëherë, përse zhvillohen veprimtari të tilla që jo vetëm nuk japin rezultate, por diskriminojnë në mënyrë të organizuar potencialet reale të burimeve të energjisë kombëtare.
Pengesat më të mëdha në rrugën e transformimeve të thella demokratike, kushtëzohen nga moskonsolidimi i sistemit politik në këto 32 vjet të funksionimit të shoqërisë shqiptare, nga zgjedhja e modelit të gabuar dhe prania e hapësirave të gjera të korrupsionit të thellë politik brenda institucioneve, sipërmarrjes dhe shoqërisë civile.
Korrupsioni moral, politik dhe financiar, është i shpërndarë kudo në mënyrë të frikshme dhe po synon të godasë dhe të shpërbëjë aleancën amerikano – shqiptare.
Sot kjo aleancë ka hyrë në fazën e ekzekutimit të saj klasik dhe faktik. Gjithçka kriminale që ka filluar të zbulohet në Shqipëri dhe në Kosovë, janë ekspozimi gradual i provave të nevojshme për të denoncuar korrupsionin shqiptar.
Të gjithë faktet dhe ngjarjet që po ekspozohen, duket sikur janë pa lidhje me korrupsionin dhe majën e piramidës politike, por koha do të tregojë shumë shpejtë se ato do të shfaqin stekën e plotë të këtij korrupsioni shumë të rrezikshëm, që vazhdon të cënojë sigurinë kombëtare në rajonin shqiptar.
Krimi i organizuar dhe tendencat e terrorizmit në rajon janë segmente shumë të fortë bashkëpunues deri në nivele të politikës së lartë dhe eksponentët më të mëdhenj të saj.
Është detyra e inteligjencës shqiptare, studentëve, rinisë, patriotëve, shoqërisë civile për ta shpëtuar vendin dhe popullin, që sot lidhet me gjithçka të persoektivës së jetës së tij në raport dhe harmoni me interesat gjeostrategjike amerikane dhe të BE-së në Ballkanin Perëndimor e më gjerë.
Pjesë e këtyre çështjeve të lidhura me sistemin politik në Shqipëri, në Kosovë dhe RMV, në përmirësimin dhe konsolidimin e tij në shërbim të perspektivës, në modelin më të mirë dhe të përshtatshëm, janë propozimet që janë renditur më sipër, të cilat me siguri krijojnë një situatë krejt tjetër, duke mos lejuar që politika dhe shteti të vazhdojnë të jenë viktima të korrupsionit një shekullor, që vepron sot mbi kombin shqiptar.
Për shumë arësye vëmendja e politikës botërore është e fokusuar në Ballkanin Perëndimor, për zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e një përvoje të re në teorinë dhe praktikën e mendimit politiko – diplomatik për zgjidhjen e krizave, të stabilitetit dhe të paqes në rajon.
Hyzri Salihu
23.11.2023


Leave a Reply