Fragment nga pjesa e dytë e kujtimeve të Hrushovit për Shqipërinë. Çështja e kufijve të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe reflektimi i Hrushovit për komunizmin si parajsë e pamundur dhe për hapjen e kufijve
Hrushovi: Enver Hoxha, një bandit
“Ç’është ky lloj socializmi në të cilin njeriun duhet ta mbash me zinxhirë? Ç’është ky regjim i vërtetë, kjo lloj parajse? Të gjithë e duan parajsën, por ajo nuk mund të jetë e tillë, përderisa njerëzit duan të arratisen prej saj, kurse dera është e mbyllur”.
Nikita Hrushov
… Hungarezët kanë mosmarrëveshje të forta kufitare me Jugosllavinë, ku jetojnë dy milionë hungarezë. Hungarezët janë në grindje me rumunët për shkak të Transilvanisë. Rumunët me shkumë në gojë, përpiqen të vërtetojnë se që nga lashtësia ajo është provincë rumune, ndërsa hungarezët theksojnë se Transilvania gjithmonë ka qenë tokë e tyre dhe se atje mbizotëron gjuha dhe kultura hungareze. Rumunët bënë të pamundurën në mënyrë që të shkulnin nga rrënjët gjithçka.
Për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën
Një grindje e madhe kufitare ekziston midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Unë mendoj se në Jugosllavi ka më shumë shqiptarë se edhe në vetë Shqipërinë, ndërkohë që Enver Hoxha i druhet Jugosllavisë. Mirëpo shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi nuk i kthejnë sytë aspak nga Shqipëria dhe atje nuk duan të shkojnë, sepse në Jugosllavi jetohet më mirë. Madje Tito ndjek një politikë më të mençur.
Enver Hoxha është thjesht një bandit. Vallë, politikan është ai që njeh vetëm një metodë: litarin në fyt dhe tërhiqe fort? Politikë tipike staliniste. Hoxha mban vrasës të fshehtë, të cilët eliminojnë kundërshtarët: i zënë në rrugë dhe i therin ose sulen drejt shtëpive dhe i masakrojnë. Po Mehmet Shehu? Më parë në Shqipëri ka vepruar një sekretar i Komitetit Qendror të partisë, që ishte punëtor dhe njeri shumë i mençur. Ai konsiderohet themelues i Partisë Komuniste të Shqipërisë, por atë e mbyti vetë Mehmet Shehu. E përse? Sepse ai ndiqte vijën e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo kishte qenë, ndër të tjera, ide e Stalinit. Mbase, në kohën e vet, ajo ka qenë e arsyeshme dhe më pas jo. Por nëse dikush ofendon dikë, përse u dashka zhdukur?
Socializmi, parajsa e pamundur
Krahas problemeve kufitare, ekzistojnë gjithashtu edhe shumë të tjera. Ç’është ky lloj socializmi në të cilin njeriun duhet ta mbash me zinxhirë? Ç’është ky regjim i vërtetë, kjo lloj parajse? Të gjithë e duan parajsën, por ajo nuk mund të jetë e tillë, përderisa njerëzit duan të arratisen prej saj, kurse dera është e mbyllur. Në rast se, siç thuhet, Zoti do të lejojë që të vazhdoj veprimtarinë time, unë do t’i hapja plotësisht të tëra dyert dhe dritaret. Po pastaj, mos vallë të tërë do të largoheshin menjëherë? Lenini i hapi kufijtë sovjetikë pas luftës civile. Dikush edhe u largua si Shaljapini, Andrejevi, Kuprini dhe njerëz të tjerë të përmendur. Por më pas u kthyen, kurse të tjerë për shumë kohë kërkonin të shkonin andej. Vallë, a ka mundësi që i tërë populli të largohet? Po sa të huaj vijnë te ne dhe nuk kthehen në vendin e vet… Përse ne duhet t’i trembemi kësaj?
Hrushovi për hapjen e kufijve
Le të marrim Poloninë. Atje kush deshi të largohej nga vendi, u largua. Por çfarë ndodhi? Më pas shumë vetë u kthyen. Në kohën e vet, një ambasador yni na dërgonte telegrame nga Izraeli, ku thuhej se disa qytetarë që kishin mbërritur atje nga Bashkimi Sovjetik kërkonin leje për t’u kthyer. Unë kam një të njohur, grua fatkeqe, që dy herë ka bërë burg në kohën e Stalinit, burrin ia kanë pushkatuar, vëllanë dhe të shoqin e së motrës gjithashtu, ndërsa gjatë luftës, nënën dhe të atin ia dogjën të gjallë gjermanët”, më keq s’ka ku të vejë! Ajo më ka treguar se një kushërirë e saj kishte vajtur në Izrael, kishte qëndruar për mik, kishte parë se si jetonin dhe ishte shprehur se në përgjithësi hebrenjtë jetonin mirë. Por ata të moshuar, të cilët ishin formuar si njerëz në pushtetin sovjetik, ishin të brengosur. Ajo gjithashtu pati dëshirë të shkonte atje, por kurrsesi nuk pranoi të jetonte në Izrael…
Përktheu nga origjinali: Nikolla Sudar (Të gjithë titujt dhe mestitujt janë redaksionalë)
SOMARIO
Nikita Hrushov për Enver Hoxhën dhe komunizmin shqiptar
“Enver Hoxha është thjesht një bandit. Vallë, politikan është ai që njeh vetëm një metodë: litarin në fyt dhe tërhiqe fort? Politikë tipike staliniste. Hoxha mban vrasës të fshehtë, të cilët eliminojnë kundërshtarët: i zënë në rrugë dhe i therin ose sulen drejt shtëpive dhe i masakrojnë. Po Mehmet Shehu? Më parë në Shqipëri ka vepruar një sekretar i Komitetit Qendror të partisë, që ishte punëtor dhe njeri shumë i mençur. Ai konsiderohet themelues i Partisë Komuniste të Shqipërisë, por atë e mbyti vetë Mehmet Shehu. E përse? Sepse ai ndiqte vijën e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Kjo kishte qenë, ndër të tjera, ide e Stalinit. Mbase, në kohën e vet ajo ka qenë e arsyeshme dhe me pas jo. Por nëse dikush ofendon dikë, përse u dashka zhdukur?”
Reflektimi i Hrushovit për krizën e ekonomisë komuniste. Problemet e Bashkimit Sovjetik me vendet socialiste dhe kriza e ekonomisë ruse në vitet ’60, kur të gjithë satelitët komunistë i kishin sytë nga Vëllai i Madh Rus.
Hrushovi për dështimin e
komunizmit përballë kapitalizmit
Para nesh shfaqeshin edhe aspekte të tjera të marrëdhënieve tona me fqinjët. Në atë kohë çështja më serioze ishte cilësia e prodhimeve tona. Për fat të keq, ne asnjëherë nuk do t’i arrijmë dot vendet kapitaliste. Por për të konkurruar me sukses me ta dhe për ta bërë socializmin tërheqës për njerëzit, gjithçka te ne duhet të jetë e cilësisë së parë. Ne nuk duhet të përulemi para kapitalizmit. Ky është turp. Për fat të keq, shikojini radiot, magnetofonët dhe autoveturat tona se si janë. Ja, pra, ne festuam 50-vjetorin e revolucionit të tetorit, duke blerë te “kapitalizmi i kalbur” uzinën e veturave të markës “Fiat”. Të tilla makina, me siguri që atje janë të vjetëruara, por kapitalistët nuk janë budallenj”; ata na shesin ato modele që tashmë i kanë hequr nga prodhimi dhe për vete prodhojnë modele të reja. Për fat të keq, ne akoma nuk jemi në gjendje të punojmë siç duhet. Na thonë se më parë kemi qenë të prapambetur, por ata që kanë jetuar dikur në Rusi, prej kohësh kanë vdekur. Le të marrim Japoninë: ajo u shkatërrua plotësisht nga lufta, kurse sot zë një nga vendet e para në botë. Edhe Gjermania Perëndimore, e cila pjesërisht ka qenë gërmadhë, gjithashtu rivalizon me SHBA-në për sa i përket progresit teknik. Ç’është e vërteta, në disa fusha të shkencës e të teknikës ne ndodhemi përpara tyre. Për shembull, shpikëm shkrirjen e pandërprerë të çelikut, licensën e së cilës ne madje ia shitëm SHBA-së. Mirëpo këta shembuj janë të veçuar në krahasim me ato që ne blejmë atje…
Shumë probleme të ndryshme lindin në marrëdhëniet midis vendeve socialiste. Po të mos i shtrosh ato dhe po të mos i zgjidhësh, mund të çojnë në grindje. Ne na vjen zor kur vendet socialiste e shohin Bashkimin Sovjetik si një lopë të madhe vetëm për t’u mjelë, ndërkohë që ne jetojmë më keq se shumica e atyre vendeve të cilat na ndihmojnë. Niveli i jetesës përcaktohet nga plotësimi i kërkesave për frymë të popullsisë. Le të marrim, për shembull, konsumin e mishit. Në vitin 1964 në RDGJ konsumohej 75 kg mish për frymë, në Çeki 65 kg, në Poloni rreth 50 kg, pastaj vijnë hungarezët të ndjekur nga rusët, ndërsa më ulët ishin bullgarët me 26 kilogramë…
Tashmë ekziston edhe një problem i ndërlikuar: shpenzimet për mbrojtjen e kampit socialist. E drejtë do të ishte që ato të përpjesëtoheshin në mënyrë të barabartë; të llogariteshin sa shkonin, të pjesëtoheshin mesatarisht për frymë të popullsisë dhe secili të jepte kontributin e vet. Unë mendoj se atëherë ne do të kishim mundësi të shkrutonim gjysmën e shpenzimeve të luftës të Bashkimit Sovjetik. Po çfarë rezultoi në realitet? Në kuadrin e Traktatit të Varshavës, në një farë mënyre, u morëm vesh se sa i duhet një vendi që të forcojë aftësitë e veta mbrojtëse: çfarë sasie tankesh duhet të kishte Rumania dhe sa anije duhej të ndërtonte ajo në Detin e Zi. Më pas ministri i Mbrojtjes më raportoi se rumunët nuk po bënin asgjë dhe se ata nuk po i përmbushnin detyrimet e veta. Rumunë t’i binin shkurt: “Ne na mbron Bashkimi Sovjetik, askush nuk guxon të na sulmojë, sepse tremben nga BRSS-ja, prandaj le të shpenzojnë rusët për mbrojtje, kurse ne të ngrejmë standardin e jetesës”… Gjithmonë rusët dhe vetëm rusët… Nëse një frymë tillë e kujdesit social do të avancojë edhe më tej, nëse të gjithë do të shpresojnë se rusët duhet të kontribuojnë, se rusët do të na mbrojnë, kjo mund të përfundonte keq për kampin socialist.
Shekulli
(ARKIV )
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply