La pas një brengë të thellë për familjarët e tij dhe gjerazi për miqtë dhe shokët e tij të shumtë. Keqardhje e vlerësime janë shprehur gjithandej në rrjetet sociale. Edhe unë kam kujtimet e mia. Më së pari e kam pasur pedagog dikur në vitin e parë të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, kur ai s’qe veçse një artist i ri. Qysh atëherë më bënte përshtypje përgatitja e tij, të shkruarit me sqimë e cilësi në rrafshet teorike të artit të aktrimit. U pëlqyem, mbase, për qejfin që kishim ndaj leximeve. Më pas ai e derdhi kulturën teorike për artin e filmit edhe në një libër, të cilit i kam shkruar një parathënie të gjatë.
Eh!…
Në raste ikjesh nga jeta, njeriu ndërmend jo thjesh një bisedë a një kafe pirë diku me të, jo vetëm fytyrën, gjestin, një ngjarje, një qëndrim, një marrëdhënie këtu-atje, qoftë dhe një debat a “grindje”, por shkon më tej e më thellë, te personaliteti. Cili është ky njeri, ç’lidhje ke pasur ti me të? Pse e vlerëson? Dhe pasi i bishtnon qasjes personale, ti rrekesh ta shohësh të ikurin nga sipër; ta shikosh se çfarë gjurme ai ka lënë, a do të mbetet ajo më tutje apo do të shuhet saora? Them se Ladi e ka përfunduar “portretin” e tij artistik. Është një portret që ka qenë aktiv në kujtesën e kolegëve, artdashësve, popullit të tij, por sidomos në vlerësimin e artit që ai krijoi. Ikja nga jeta është mëse normale, mosha vjen, brezat zëvendësohen. Pikëlluese, por një formulë e pandryshueshme, e pamëshirshme. Te njerëzit e rëndomtë trishtimi mbyt zemrat e të afërmve të tyre. Ndryshe është me artistët e spikatur. Ata jetojnë “fshehurazi”, si të thuash virtualisht, në vazhdën që lënë pas. Ikja e Vladimir Priftit ka trishtuar shumë artistë sot, ata që kanë qenë së toku në filmat e tij, ata që e kanë patur kolegë, shok e mik, por them se ai ka prekur dhe shumë e shumë njerëz të zakonshëm, pa kurora lavdie në kokë, pa emër të madh ekraneve. Këta njerëz, që quhen spektatorë, janë ajo magma vorbulluese ku emri dhe kontributi i tij është sprovuar dhe pranuar tashmë si një sipëri e kinematografisë sonë, pjesë e cilësisë dhe historisë së saj.
Vladimir Prifti lindi në Tiranë më 1 qershor 1942. Pas diplomimit në Shkollën e Lartë për aktor “A. Moisiu” dhe një përvoje si aktor e regjisor në Teatrin Popullor, më 1974 kaloi në TVSH. Këtu filloi edhe krijimtarinë kinematografike me sjelljen në ekranin e vogël të pjesëve teatrore, të konceptuara tashmë në formë filmike: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976, dramatizim i romanit të I. Kadaresë nga Piro Mani) dhe “Kur hidheshin themelet” (1978, sipas dramës së K. Jakovës “Lulet e shegës”), secila në dy seri. Dramatike, të rrepta, që e tresnin aktrimin që bëhet në teatër në lëngjet, të themi të “buta” të aktrimit para kamerës. Kjo ndërmjeme është aty, si stil dhe fillesë e udhës që e priste regjisorin më tutje, duke krijuar “shkollën” e tij kinematografike. Ndonse ruajnë mendimin regjisorial të shfaqjes origjinale, në të dy ekranizimet do të gjejmë vizionin e Ladit në zbërthimin figurativ të dramës.
Dashuria për teatrin, gjuha e rreptë dhe skrupuloziteti i tij shfaqet si dëshmi e asaj kulture kinematografike që Ladi solli në filmin e tij të parë artistik “Udha e shkronjave” (1978), nderuar me çmim të veçantë në Festivalin e tretë të Filmit Artistik Shqiptar dhe me çmim Republike të shkallës së parë. Kinoregjisori e mori subjektin nga tregimi “Buka dhe thika” i Dh. S. Shuteriqit, mbi të cilin Peçi Dado dhe vetë ai si skenaristë rindërtuan narrativën, e plotësuan, krijuan personazhet në linjat e plota, zgjeruan hapësirën, i dhanë këtij tregimi të shkurtër një strukturë mirëfilli filmike. Dhe ja ku, nga një shkëndijëz e ardhur prej tij u ndërtua një vepër e plotë kinematografike, një vepër e madhe, e bukur, e tjetër formati, me ide, figura dhe imazhe që na befasojnë për shprehimësinë dhe lakonizmin. Një karvan që ecën reljevit të thepisur, skërkave dhe pyjeve, ditën dhe natën; janë germat e shqipes ngarkuar mbi samarë kuajsh; janë tre personazhe: sjellësi i dritës (Dhaskal Todri), ruajtësi i saj (Tunxhi i Bujar Lakos) dhe shtrigani i territ (Nrioja i Ndrek Lucës). Tre personazhe – simbole. Aq bukur luhet me marrëdhënien e aktorëve, me imazhin, me mjedisin, me hapësirën, me muzikën, sa rrallë në filmat e tjerë e kemi hasur në mënyrë kaq harmonike dhe të ngjeshur. Një vepër që mbetet, dhe sa më shumë të shkojë koha aq më shumë do ta shndërrojë atë në një referencë të pakthyeshme të krejt një epoke arti. Fabula është e thjeshtë, kohëzgjatja e subjektit nuk i kalon dy ditë e dy netë, por brenda saj zbërthehet jo vetëm dhe thjesht tragjizmi i një njeriu, as vetëm vetëflijimi i tij, dramaciteti i gjendjes historike, por na duket sikur merr dritë, tashmë në mënyrë poetike, përpjekja e krejt një kombi dhe vendi për të dalë, më në fund, nga terri i imponuar i regresit.
Më 1982 V. Prifti realizoi filmin “Era e ngrohtë e thellësive”, bashkautor në skenar me N. Prifti, fitues i çmimit të tretë në Festivalin e gjashtë të Filmit Artistik Shqiptar. Është një farë poeme për njerëzit e thjshtë të galerive, e gërshetuar me valëzime shpirtërore të një djaloshi për t’i dhënë sens dhe synim jetës së tij, paçka se velloja e atyre klisheve morale që impononte koha u rri personazheve përsipër, sidomos kur bëhet fjalë për konfliktet e punës. Pas këtij filmi, më 1983 V. Prifti kaloi në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Me filmin e tij të parë të ekranit të madh, “Kush vdes në këmbë” (1985, bashkëskenarist N. Prifti) Ladi i rikthehet historikut të shkronjave shqipe, por këtë herë me figurën e Petro Nini Luarasit. Dramaciteti dhe tragjizmi janë po aty, vetëflijimi po aty, por seç ka diçka si më të “qendisur” në raport me “Udha e shkronjave”. Elementi historik dhe ai biografik bëhet më konkret, jo i abstraguar si te filmi i parë. Po kështu dimensioni social dhe ai antropologjik i kohës fitojnë një përmasë më të madhe.
Në vazhdim, ai do të realizojë dy filma, ku në qendër vendoset njeriu bashkëkohës dhe problemet e tij. “Dhe vjen një ditë” (bashkautor skenari T.Laço) u nderua me çmim të dytë në Festivalin e shtatë të Filmit Artistik Shqiptar dhe prezantoi për herë të parë filmin shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias (1987) në seksionin e Panoramës. “Corriere della sera” e 8 shtatorit 1987 shkruante për të: “Një film kurajoz që denoncon se edhe në këtë vend ka nga ata që bëjnë karrierë në mënyrë të pandershme, që arrijnë t’i japin të drejtë vetes për çfarëdo lloj privilegji”. Më 1988 realizoi filmin “Flutura në kabinën time” (Fitues i çmimit të dytë në Festivalin e 8-të të Filmit Artistik, bashkëautor skenari T. Laço). Këtu vjen njeriu që në rrjedhë e sipër të së keqes vendoset në udhëkryqin e pendesës dhe peshën e riformatimit moral, mes të mirës dhe të ligës; efekti katarsik i të mirës, të butës dhe të bukurës te shpirtrat e ndërkryer nga graviteti i rrethanave posesesive të një fëmijërie e rinie të vështirë.
Dhjetë vjet më pas (1998) Ladi realizoi një dëshirë të kahershme mbetur në mes, filmin “Dasma e Sakos” (shkruar në bashkëpunim si skenarist me autorin e novelës Vath Korreshi). Është film me një dramë të vërtetë njerëzore dhe shoqërore, ku përvijohet një nga karakteristikat më të mira të regjisorit: zbërthimi realist e kompleks i botës së brendshme e të trazuar të personazhit, i ngucur keqas nga komplekse inferioriteti seksual, që shfaqen si hakmarrje e egër dhe e paarsyeshme ndaj të shoqes. Dhe brenda kësaj situate iracionale, një dashuri tragjike që degëzohet në tri skaje: vetëpërmbajtja, urtësia dhe dinjiteti i Sakos; sfilitja prej pamundësisë seksuale të Alush Beut, e cila kthehet në sfidë, cinizëm dhe krim; përpëlitja e Mukadezit, mes gruas dhe të dashurës, në kërkim të lirisë dhe të drejtës së saj, vetëshprehjes. Tok me këto, filmi sjell për herë të parë një cilësi jete të elitës së vendit, paçka se feudale, e shoqëruar me një ravijëzim antropologjik të dhënë me finesë nga kamera, skenografia, kostumet etj. Me këtë film regjisori ka fituar çmimet e para për skenarin, muzikën, skenografinë dhe kostumet në Festivalin e 11-të të Filmit Artistik Shqiptar.
Në vitet 2000-2003 V. Prifti si producent-regjisor realizoi filmat dokumentarë “Të bekuarit”, “Në botën blu lufta vazhdon”, “Legjenda e baltës”, “Rruga Egnatia” si dhe “Butrinti”, një ndërthuarje e filmit artistik (trillimit) me dokumentarin, nderuar me çmim të veçantë në Festivalin e 10-të Ndërkombëtar të Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë. Po kështu xhiroi filmin dokumentar “Skënderbeu”. Për shumë vite ka qenë pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, më pas si efektiv në shkollën e filmit dhe multimedias “Marubi”. Për aktivitetin krijues është vlerësuar me titullin Artist i Merituar dhe Mjeshtër i madh.
Përtej njohjes dhe vlerave njerëzore, Vladimir Prifti ishte një përmasë e kulturës dhe artit tonë, veçmas e kinematografisë. Filmat e tij janë zgjime të shpirtit në zgrip, të sulmuar, të tunduar a të sfiduar nga e keqja, sa ç’janë edhe përtëritje morale, kërkim i dritës, i të mirës, i dinjitetit, i atdhetares gjer dhe i sublimes, vetëflijimit. Pikërisht kërkimi i së mirës, i sakrificës ndaj saj, liria e vetvetes, thjeshtësia dhe nevoja e dinjitetit paçka se në kushtet e korruptimit, gjer dhe sublimja në rrethanat e të pamundurës, janë veti të ngjizura në “mishin” e filmave të tij.
Lamtumirë mik dhe artist!
Burimi/Facebook


Leave a Reply