Erdhi vjeshta, bashkë me reklamat e posterat e teatrove të vëndit që paralajmërojnë “çeljen e sezoit “ dhe hapjen e sipareve të skenave për premierat e reja. Një kënaqësi e artistëve, por edhe e publikut që i pret me padurim ato, kur jeta kulturore varfërohet, apo zhurmon në të tjera drejtime…Dhe ja, diçka më shumë: Festivali i Komedisë në Korçë që risjell të qeshurën, aq shumë të kërkuar. Në 30 vitet e fundit më është dhënë rasti, si kritik e studjues i teatrit, të ndjek nga afër disa festivale teatrore që janë zhvilluar në hapësirat shqiptare (në Tiranë, Korçë, Elbasan, Fier , Vlorë, Gjirokastër e Sarandë, po edhe në Gjilan, Pejë e Podujevë të Kosovës, si edhe në Dibër të Madhe të Maqedonisë Veriore e në Preshevë në Serbi). Duket gjithandej si një prurje e begatë performancash. Njëherësh, ravijëzohet ecuria e teatrit shqiptar, po edhe shkalla e kulturës dhe e vetëdijes së popullit tonë. Një shoqëri e përparuar e rrëfen emancipimin e vet, jo vetëm nga niveli i lartë i performancës skenike, por edhe nga reagimi ndaj së bukurës, të së shëmtuarës, të rëndomtës dhe të madhërishmes, si kategori estetike. Me këtë rast, mos qofsha i gabuar,-“sahati” sikur ka mbetur po aty, tek ….-”Mania e Fesstivaleve”!:
***
“Festivalet teatrore vijnë si rezultat i një jete të pasur artistike nga ritja e nivelit të artistëve të skenës (njëherësh edhe të publikut), pas prurjeve të shumta burimore. Sa më e begatë është natyra me përrenjtë e rrëkezat që zbresin nga malet e thepisura, aq e thellë dhe e këndshme është edhe performanca e krijuar nga arti i aktrimit, i rregjisurës dhe i skenografisë, të cilat sot krijojnë, “magjinë” e teatrit.
Të bësh një festival, kur të “korrat” janë të mbara dhe “burimet” të kthjellëta, ia vlen barra qiranë të dalësh para publikut dhe, kësisoj, teatri do të jetë patjetër pasqyrë e shijeve në rritje, e dukurive të reja dhe e ndërgjegjes së mirëfilltë të kombit. Por, kur festivalet “mbijnë si kërpudhat” për të mbuluar shterpësinë e lëndinave e të krojeve, atëherë shfaqet te dera”festivalomania”. Dhe festivalomania shënon vdekjen e Teatrit. Si rezultat i kësaj shterpësie e i një varfërie të skajshme prurjesh të reja cilësore, sajohen festivale apriori, që i ndajnë zakonisht në tri kategori: Kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare. Që këtu nis loja e vet teatrit. Bëhet “teatër” me publikun, përmes teatrit!
Në qoftë se “jorgani” është i shkurtër, i vihet emërtimi i “kombëtares”, nëse shtohet në repertorin e festivalit një shfaqje, bie fjala nga Rumania, e quajmë “ballkanike” dhe, kur ndodh që të ftojnë edhe një tjetër, le të themi, “nga Kazakistani”, i vëmë etiketën “ndërkombëtare”! Kështu, në “thasët e të korrave”, ka më tepër “kashtë e bykë” dhe fare pak “grurë”, në një kohë kur reklama bëhet e madhe e gjithëpërfshirëse. Dhe, për ta bërë sa më “botërore” një festival të monodramës, u thirrë në një qytet të jugut (nëpërmjet njohjesh të rastit) një grup amator i nivelit më të ulët nga Korinthi i Greqisë, kur ky vënd ka shumë teatro të fuqishme dhe me emër! E pra,-thonë ata, kaq qe buxheti e aq u bë edhe”jorgan”i festivalit, mjafton që spektatori të ketë me se të “përtypet”!
Nuk mund të bëhet një festival teatror nga hiçmosgjëja, kur “sofra” është bosh e rropatemi ta sajojmë “bukën me krunde”! FestivaIi mund t’i hapë “dyert e veta” vetëm kur ka spektakle me dinjitet e dukuri të reja, evenimente, orvatje eksperimentale….Edhe “bredhja” nëpër festivale të dryshme e së njëjtës shfaqje me dhjetra herë, sado e mirë që të jetë ajo, shënohet si varfëri e skamje. O Zot, deri kur do të ketë njerëz që i fyjnë vetes me erashkë!?
Pjesëmarrja në këto festivale, nëse i’a vlejnë të bëhen, natyrisht kur “mbjellje-korrjet “ janë të mbara, duhet të arrihet sipas kritereve rigoroze prej një bordi specialistësh të teatrit. Dhe të askujt tjetër. Lashë mëndjen kur mësova se, në një festival spektaklet i zgjidhte njëfarë personi që dikur është marrë me financat, duke shkuar edhe jashtë shtetit, me paratë e shtetit! Dhe menjëherë shkrova fejtonin “Hlestakovi i festivaleve” dhe e shpura në njerën nga gazetat e Tiranës, ku redaktorja e rubrikës më pa me një indiferentizëm shfarosës. “Hmm…Ai,-tha ajo, ka vite të tëra që është anëtar i disa bordeve, ndërsa ti…, kush je ti?!” Dhe, me të vërtetë m’u duk vetja një hiç, tepër i vonuar, me këtë”ecje” marramendëse Hlestakovësh me çantë e maskë në fytyrë. Më tej, ky lloj selektori, vazhdon paradoksin, duke mos e parë fare shfaqjen, por duke llogaritur vetëm numrin e pjesëmarrësve. E, nëse janë dy a tre persona në trupë, Hlestakovi ynë thotë se, -“shfaqja ia vlen të vijë në festival, ndryshe JO!” Krijohet kështu e mbetet po ai “klan” përzgjedhësish teknokratësh, matrapazësh të atit, e amatorësh të përjetshëm që e shohin festivalin si një mjet fitimi vetjak. “O Mete për vete”!
Gjykimin kritik nuk mund ta bëjë kushdo! Flasim për gjykimin e specializuar në fushën e teatrit! “Pa kritikë, nuk ka teatër,-më tha regjisori Mihal Luarasi,-Duke mos patur kritikë, teatri ynë do të jetë në një gjëndje amullie!”. Vlerësimet e shfaqjeve, i bëjnë shpesh gazetarë ose atistë megaloman interesash përfitimi që nuk e njohin aspak specifikën e teatrit dhe filmit, duke mos i kursyer superlativat në të gjitha spektaklet e duke krijuar kështu baraznivelim vlerash, madje ndajnë ҫmime. Mirëpo kushdo e di edhe vetë Luarasi, se kritikën nuk e do askush, se kritiku nuk e ka vëndin e tij në sallën e teatrit (si kudo në botën e kulturuar), si edhe, kur shprehet hapur ndodhë që edhe ta fyejnë, apo të ngrënë lartë “dallgët e zëmërimit të ndonjë aktori dështak, pa përmëndur edhe realitetin e hidhur që askush nuk e paguan kritiku, kur ai shkruan në shtyp apo kur jep intervistat e kërkuara në median e folur! Kështuqë, hopa, më mirë pa kritikë! Dhe, le të themi se: “heshtja është flori”, pa kujtuar që kurajën qytetare, guximin e kritikut, edhe Luarasi, edhe autori i këtyre rradhëve e paguan shumë shtrenjtë dikur, duke e parë veten në dyert e hekurta të burgut! Dhe përse?”Që nuk i pëlqeu Mbretit komedia, a e vraftë Perëndia”,-siç shprehet Shekspiri me gojën e Hamletit!
Duke i ndjekur shumë nga festivalet tona, herë si specialist i kritikës, here si “mysafirë”-vëzhgues (pa pagesë!), po edhe,-jo pak here, si spektatorë i zakoshëm, (që e sillte këndejë festivaleve “dashuria për artin, nga afro njëmijë kilometra larg!), kam vën re se ato karakterizohen nga spontaniteti e mungesa e kritereve organizative e profesionale. Organizatorët e festivaleve e drejtuesit e teatrove, shpesh i zgjedh e i vë aty partia në pushtet, si besnikë të saj! Edhe Juritë i sajojnë që, mundësisht të mos kenë kritikun (lexo: Grerëzën, brënda tyre. Juria dhe pjesëmarrësit e ftuar, janë të njohur nga “tarafi” i festivalbërësit. S’është për të thënë, por njëri prej tyre, më “kërkoi” me gulm që t’ia jepnim atij çmimin kryesor, duke ”ngulur këmbë si mushka” dhe, pasi nuk pranova kursesi, nuk më thirri më në fetivalin tij, ku qe mësuar si “ai që të vinte prift në kishë e pastaj vërtitej që të të “rruante mjekrën””!). Po tashmë e dija se: në burg nuk të fuste dot njeri! Nëdrsa artistët vinin e iknin pa e parë njëri-tjetri, pa shkëmbyer medime e mbresa. Ka patu raste , si në Festivalin Teatror, mbarëshqiptar të Dibrës së Madhe (në Maqedoninë e Veriut), kur ka funksionuar mrekullisht “tryeza e kritikës”, me Profesorët N. Islami, J. Papagjoni, A. Kallulli dhe me mua “të mallkuarin”, por që, në vitet e fudit nuk u zhvillua më , sikudër thuhet “për mungesë fondesh”. Edhe një herë që më vendosën në krye të kësaj “tryeze”në një festival tjetër (e, mos më pyesni, ju lutem se ku?!) sa, përfundoi “festivali”, kur unë mbeta aty fillikat dhe i “prishur” me gjysmën e pjesëmarrësv të kritikuar (aktorë, regjisorë e dramashkrues), qe porositur pastruesja e sallës të më dorëzonte “dhuratën” nga ana e “festivalbërësit”: një qeskë me fanellën e fastivalit, emblemën dhe programin e tij të “ironisë së tejskajshme!” Qyfyre nga këto ka plotë që të thuhen, teksa jemi turpëruar edhe me trajtimin e artistëve të huaj nga “festivalbërësit” e tillë skandalozë!
Ka mandejë, “festivalbërës”, që nuk synojnë vlerat e artit po reklamimin e vetvetes, të cilët bëjnë ç’është e mundur të thonë se “kanë bërë hatanë!”. Bile, njëri prej tyre, edhe pse dështoi, vrapoi në Tiranë, ku, përmes një kanali televiziv tha:- “festivali i tij pati shumë sukses dhe se “bëri hapa përpara”, ndërkohë që ishte në nivele amatoreske, me “hapa” të shumta mbrapa! Mirëpo sot ka nje etje të çuditshme për të bërë sa më shumë festivale. Liria për të “bërë festival” çdo njeri (e për të të mos thënë askush, asnjë gysmë fjale!), është një absurditet që i rëndon artit, shtetit dhe publikut. Organizimin e një festivali duhet ta marë përsipër një “grupim atistësh me përvojë” a një personalitet i artit skenik de kritik, e jo kushdo që ka dështuar në veprimtarinë e tij bazë dhe s’ka ç’të bëjë tjetër e me se të merret me “emrin e tij”. Festivali Teatror Profesionist duhet të ngrihet patjetër mbi amatorizmin e të shprehë vlera, eksperimentime suksesi , në përmbajtje e në formë, në stile e rivënie të ndryshme skenike. Doemos, është gjë e mirë që kemi festivale, se jeta jonë kulturore gjallërohet, por është gjë shumë e keqe “paradë-fasada fesivaliste”, amatorizmi që “shitet” si art, formalizmi e butaforia fallce që nuk i shërben kurkujt, as artit të vërtetë, as publikut e as shtetit. Shoqëruar nganjëherë edhe nga korrupsioni ordiner…
Mandej lindin edhe pyetje të tilla: Përse, për njëfarë kohe e periudhë vitesh në tranzicion, u synua vetëm “monodrama”? Kuptohej qartë: jo vetëm për lehtësi manovrimi, po edhe për mungesë fondesh….Qe një kohë kur u mbyllën 15 Estrada e pastaj edhe Teatri i Komedisë! Përse u mënjanua për vite të tëra edhe Festivali i Komedisë, aq i mirëpritur për spektatorët? Ndërkohë shtohet pyetja tjetër binjake: Përse u injorua e u eliminua krejtësisht Festivali i Estradës, që preferohej aq shumë, kur arti i humorit e i satirës përsëri ekziston “i konservuar!”(pas ekranit!), për t’u shfaqur me “pikatore”vetëm çdo fundviti në TVSH?! A mund të kemi Festivale Alternative, si sprova eksperimentale të regjisorëve të rinjë e të vjetër? Po Festivale të vetëm një vepre skenike që te rivihet nga 7 deri 10 regjisorë të ndryshm? Po, të paktën, të kemi një festival teatri, të përhershëm dhe të mbështetur vetëm në dramën kombëtare, ( ku mund të përfshihen edhe dramatizimet e inskenimet nga letërsia jonë)? A nuk mundemi ne të gjallërojmë veprat kombëtare, si kundërpeshë edhe me “vërshimin” në skenat tona të spektakleve të huaja, të klisheve spekullative që jo pakë herë serviren si plagjiatura nëpër skena filmi e festivale teatrosh?! Dhe, më në fund, a nuk duhen profilizuar teatrot tona, që të mos kemi vetëm festivale të “kallëpizuara”, të njëtrajtshme e të një “ngjyrosjeje”? Doemos. E kishte të gjetur profilizimin e vet Festivali Teatror Ndërkombëtar i Butrintit, që lidhte bukur antikitetin tonë me kohën e sotme, si një gjetje artistiko-turistike nga më tërheqëset. Po ku është vallë tai?! Edhe pse veja aty e ulesha në shkallaret e gurit të moçëm, ngadonjëherë, si spektator i heshtur (ikognito!) e asnjëherë si kritikë e regjisor që kishte botuar edhe 10 libra per themeluesit e Teatrit Shqiptar, deri atëhere! Se diçka nuk “funksiononte,- ta marë e mira, ta marë,-në hierarkinë e artit, të vlerave pëzgjedhëse e të vet shtetit! Por ai duhet drejtuar nga një bord profesionistësh të teatrit, të institucionalizohet patjetër, me në krye direkte Ministrin e Kulturës, për vet shkallën e lartë të EVENTIT, si performancë botërore, duke patur kështu edhe përkujdesjen totale të Qeverisë, po edhe buxhetin e siguruar vjetor?! Është për tu admiruar shëmbëlltyra e regjisorit A. Filipi që ka 23 vite që mba ngritur si institucion një Festival Botëror në Elbasan , nga më të mirët që bëhet e mbahet me “shpirt ndër dhëmbë”, si edhe rastet e Y. Nuredinit në Dibrën e Madhe e i Z. Kitës në Korçë, qe as vet nuk tërhiqen dhe as kryevendorët nuk i lënë të qetë, për t’i angazhuar edhe ata në krye të këtyre punëve që nuk quhen “punë”e shihen shtrëmbër kur hartohen “buxhete” e programe kulturore nga disa tipa zyrtarësh që nuk kanë hyrë ndonjëhere në sallën e një teatri, nga ku është “vendosur” edhe “barometri matës i kulturës së një kombi!!
Me pak fjalë, koha ka ardhur që të mos kemi më stereotipet që ofron spontaniteti, rastësia, mediokriteti e amatorizmi, po festivale teatrore të menduara e të organizuara mirë. Të profilizuara e profesionale. Jo çdo shfaqje, qoftë kjo edhe e huaj, mundet të paraqitet në një festival, me një tringëllim zileje të telefonit apo me një “ulje koke” miratuese të një personi. Ata që meren me festivalet duhet të ndjejnë edhe përgjegjësinë qytetare për barrën e rëndë që marin përsipër duhet të jenë profesionalistë të Artit Skenik. E vërteta është se ka një shpërthim talentesh në fushën e teatrit, ndërkohë edhe një “lidhje këmbësh” me litarë, për t’i mos i mbështetur artistët e teatrit e festivalet e tyre, jo vetëm nga zyrat e shtetit, po edhe nga individë apo nga producentë të paprofesialuar, si edhe fondacione të bëra publike e të mbetura në “shurdhërin “ e tyre”!?!
(Botuar në gazetën “Tirana Observer” më 27 gusht 2010, në librin tim “55 vjet publiçitikë” (v.”2017) dhe mbajtur si Kumtesë në Sesionin Shkencor të Teatrit, organizuar në Manastirin e Pojanit (Apolloni), në kuadrin e një programi të përbashkët midis Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi).
Piqeras, fillim shtatori 2023
Miho Gjini MM
Burimi/Facebook


Leave a Reply