Lexojeni këtë tregim të Arbër Ahmetajt për të mësuar se nga ishin italjanët që ikëm pa paguar në Berat.👋
Japoneze e italianë në Londër
Në avionin e kompanisë japoneze “J-Air” ndodheshin dy vajza të reja nga Tokio. Shkonin në Londër për të mësuar anglisht e mundësisht për të gjetur ndonjë boyfriend: “italian origine, please!”. Nga “Hithrou”, i solli në hotel minibusi i hotelit. Ad Sheldia, shoferi i ri, pak para se të mbërrinin, e ndali minibusin dhe po fliste me shoferin e një veture tjetër, që vinte nga krahu i kundërt. Qe shoku i tij i fëmijërisë, Man Bajza Me krahë të varur në xham, biseda e tyre zgjati dy-tri minuta, duke bërë që makinat e bllokuara pas tyre t’u binin borive. Më në fund, pasi e përshëndeti me një “Ciao” bashkëbiseduesin e tij, u nis. Vajzat u habitën pak nga kjo sjellje, por meqenëse makina ishte e hotelit, nuk kishte rritje shpenzimesh për vonesën, siç mund të ndodhte me taksitë që kronometrojnë kohën. Kur zbriti valixhet e tyre, Adi u tha me mirësjellje: “Ciao ragazee!”. Japonezet e zbehta nga lodhja, fërgëlluan duke i drejtuar qindra buzëqeshje e shprehje trupore falënderimi.
Ad Sheldia e mbaroi punën për atë mbrëmje. Të nesërmen do t’i duhej t’i transferonte vajzat në “London’s school of English”. Atje do regjistroheshin dhe do merrnin apartamentet e caktuara nga shkolla. Prej pak muajsh punonte në atë hotel dhe ishte shumë i gëzuar. Kishte hyrë në Britani përmes një kontejneri indonezian, që transportonte qengja të gjallë për myslimanët e Londrës, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. I ri. Kjo e kishte ndihmuar të përfitonte nga programet sociale të integrimit. Italisht fliste dhjetë-pesëmbëdhjetë fjalë, fiksuar që nga fëmijëria, por i përdorte gjithë kohës. I lyente flokët me xhel “Bjorn Voks” e mbante rroba të markave italiane. Gjatë punës jo; uniforma e hotelit ishte e detyrueshme. Mbrëmjeve po. Mbrëmjet ishin të tijat, pas orës njëzetë e dy. Një indian e merrte minibusin pas kësaj ore, ndërsa në mëngjes sër Xhon, burri i vjetër nga Lids, që s’kishte pasur kurrë patentë shoferi. Duhej të kishte dalë në pension në fund të viteve nëntëdhjetë, por hoteli e kishte mbajtur në punë. Ai atë donte; i biri i kishte vdekur në konfliktin me Argjentinën në vitin një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy. “Puna më shpëton nga çmendja”, thoshte përherë, por as puna nuk ia kishte dalë dot. Sa herë takoheshin, ai qante: “Ti i ngjan tim biri”, i thoshte Ad Sheldisë, që s’dinte si të sillej ato çaste. Por e respektonte; ai e kishte propozuar në punë dhe kish dalë garant për të.
Japonezet e vogla shkëlqenin në mëngjes. Ndoshta ngaqë vinin nga lindja e largët, lindja e diellit u jepte një dritë e tejpashmëri të paimagjinueshme. Trupi i tyre dukej si një re fluturash që shkojnë në harmoni, herë-herë duke dallgëzuar drejt së parës lule që i tërhiqte. Ad Sheldia vëreji se njëra prej tyre po e këqyrte drejt e në sy. Tjetra ruhej, i mbante kapakët e syve pak më të varur. Rruga deri në adresën e tyre nuk qe fort e largët.
Dy net më vonë, të premten, kur po merrte në dorëzim punën, sër Xhon i tha se në hollin e hotelit po e priste një vajzë e imët aziatike. Adi e njohu. Vajza dridhej. Ishte ajo që s’ia kishte ndarë sytë. Në pritje të porosive të klientëve, ai mori një lëng molle dhe porositi për vajzën një akullore. Anglishtja e të dyve ishte e cunguar. Gjuha e syve e përsosur. Në orën njëzetë e tre, Adi trokiti në apartamentin e saj, në rezidencën studentore të shkollës. Një tufë me lule dhe një shishe verë italiane me flluska, i kishte thënë sër Xhoni t’i merrte me vete. Më të bukurat lule zgjodhi, ndërsa verën ia këshilloi një veneciane. “Mio amore”, i tha japonezja sapo hapi derën. “Amore mio”, iu përgjigj ai e mbrëmja kaloi si një përrallë. Të nesërmen shëtitën së bashku. Pasdite Adi shkoi në punë dhe u rikthye në të njëjtën orë. Për rreth dy muaj nuk u kthye në apartamentin e tij. “My italian lover”, e thërriste japonezja Suzuki. Një prej netëve, në telefonin e vajzës, që ato momente po bënte dush, mbërriti një mesazh në anglisht: “I’m in love too, with one italian lover!” (kam rënë në dashuri edhe unë, me një të dashur italian) . Sipas fotografisë, ajo që shkruante ishte shoqja tjetër e Suzukit. Pastaj dhjetëra mesazhe të tjera në japonisht. Disa ditë më vonë, Suzuki iu lut Adit të shkonin në një darkë të përbashkët me shoqen e saj, e cila qe lidhur me një italian.
Çfar lajmi i bukur! – tha Adi, pa fshehur një lloj druajtje.
Apo jo??
Po, vërtetë! – qeshi Adi.
Darka e përbashkët u caktua në një restorant italian, që drejtohej nga Zef Shkodra. Adi ndihej pak i turbulluar. Vendin e takimit e kishte caktuar italiani i Orakamit. Adit iu duk e habitshme, por, gjithsesi, “shtëpia e Zefit” ishte një vend shumë i njohur; deri edhe nigerianë, malazezë e kilianë hanin aty. Ndodhej në një vend të njohur, “172 Walton Street, Saouth Kensington”. Adi i kërkoi sër Xhonit ta zëvendësonte në turnin e dytë. Ai e këshilloi mikun e tij të shkonte në darkë me një kostum sa më të paraqitshëm. Hapi makinën dhe nxori nga varësja një kostum të të birit, të pa veshur që nga vitit një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një. “E ka veshur vetëm njëherë, kur shkoi për darkë te mikesha e tij. Pastaj veshi uniformën ushtarake dhe u varros me të!”. Adi veshi kostumin e ushtarit britanik dhe iu duk vetja si anglez i fundshekullit të kaluar. Sër Xhoni me zor i ndali lotët. “Ta kam falur!”, i tha.
Suzuki u vesh me rroba në ngjyrë të mbyllur në lejla; modë e përhapur nga Lejdi Dajana.
Çuditërisht, në restorant kishte pak njerëz. Një djalosh e shoqëroi çiftin deri tek tavolina ku i prisnin italiani dhe Orakami.
Man Bajza u ngrit në këmbë: “Bongiorno signorina!”, e i puthi dorën Suzukit. Adi bëri të njëjtën gjë me Orakamin. U çlirua. Dy italianët u treguan super të sjellshëm me vajzat nga lindja e largët. Tri ditë më vonë, ata i përcollën shoqet e tyre për në aeroportin “Hithrou”.
Herën tjetër e lanë të takoheshin me vajzat në Itali, në “Via Kol Idromeno 26, Scutari, veri-lindje e Romës, Albani”.
Burimi/Facebook/Bislim Ahmetaj


Leave a Reply