Sezoni veror, letërsi rozë me autorë të huaj dhe histori e kujtime nga autorë shqiptarë
Stina e verës ka sjellë jo pak tituj të rinj librash në stendat e librarive, të cilët janë botime të autorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë, mes tyre nuk mungojnë dhe emra autorësh të rinj. Edhe ky sezon ka bërë që librit ti kushtohet jo pak vëmendje, madje është vënë re një rritje e numrit të shitjeve, që për të gjithë ata që merren me shitjen e librit shpjegohet me faktin se shumë lexues kanë blerë tituj librash dhe për ti pasur me vete gjatë pushimeve.
Mes titujve të rinj të këtij sezoni veçohen disa botime, që lexuesi shqiptar i ka tërhequr si libra të verës. “Lolita” e Vladimir Nabokov, “Pylli norvegjez” i Haruki Murakamit dhe romani “Ankimi i Portnoit” i Philip Roth, që sapo ka dalë në qarkullim, duket se kanë pasur jo pak vëmendje. Shkrimtarja Laura Shaine Cuningha vjen me romanin “Shpirtra të bukur”. Gjashtë shoqe rreth të 30-tave qe jetojnë në New York takohen një mbrëmje në apartamentin e njërës prej tyre për të festuar paralindjen e një bebeje. Janë gjashtë gra profesioniste, që jetojnë në një qytet dhe luftojnë për përzgjedhjen e tyre femërore. Nën flakët e qirinjëve ato tregojnë për përjetime të historive të dashurive sekrete dhe miqësive të krijuara. Gjashtë gra të portretizuara me mençuri, mjeshtëri artistike, humanizëm dhe humor të spikatur. Nikolas Sparks vjen me “Netë të stuhishme”. Adriana ka tre fëmijë dhe disa nipër e mbesa. E di që zakonisht e konsiderojnë si një zonjë të qetë e të matur, madje të padjallëzuar dhe shpesh e zbavit fshehja pas këtij stereotipi, por kur vajza e saj Amanda bie në derpresion të thellë pas vdekjes së burrit ajo vendos ti tregojë një të fshehtë të cilën e kishte mbajtur për një kohë të gjatë brenda vetes, për të mos minuar figurën e saj që shërben si bosht i baraspeshës familjare. Mes autorëve vjen dhe E. L. James, që sjell librin “50 hijet e Greit”. Kur studentja e letërsisë Anastasia Still shkoi të intervistojë biznesmenin e suksesshëm Kristian Greim, ajo gjen një burrë tepër tërheqës dhe të frikësuar. E bindur që takimi i tyre shkoi keq, ajo përpiqet ta heqë nga mendja, derisa ai shfaqet në dyqanin ku ajo punonte me kohë të pjesshme dhe e fton të dalin bashkë. Naive dhe e pafajshme, Ana shokohet kur zbulon se e dëshiron këtë mashkull dhe kur ai e paralajmëron ti qëndrojë larg, kjo e bën Anën ta dëshirojë edhe më shumë. Teksa nis një histori dashurie Ana zbulon më shumë mbi sekretet e errëta të Greit. Në radhën e librave të rinj vijnë në shqip edhe kujtimet voluminoze të ish sekretarit amerikan të shtetit Donald Rumsfeld, si dhe “Libri i Zi i Revolucionit Francez”, një përmbledhje shkrimesh e analizash nga specialistë të historisë. Këtë sezon për femrat shqiptare vjen dhe një libër praktik që t’i bëjë të ndihen më mirë me veten e tyre: “Sekrete bukurie dhe mirëqenieje”.
Botime shqiptare në stendat e librarive
Këtë sezon autorët shqiptarë nuk kanë munguar dhe me kujtimet e tyre. Kështu “Bashkëjetesë me Kohën”, titullohet vepra e shkrimtarit Teodor Laço, i cili ka hedhur në një libër kujtimet e tij, duke sjellë kështu para lexuesit edhe dëshmi të një të shkuare të afërt, por që ka shënuar çaste të rëndësishme në jetën e shoqërisë shqiptare. Autori Ilir Gjipali sjell botimin me titull “Epoka e Gurit dhe Shqipëria” një punë kërkuese disa vjeçare disa vjeçarë jo vetëm për vendin tonë, por edhe më gjerë, botim i cili vjen i ilustruar me shembuj dhe me imazhe të zbulimeve. Mes autorëve shqiptarë, në librari ka mbërritur dhe kolana me katër libra e Martin Camaj, tre përmbledhje me poezi e lirika si dhe gjashtë tregime. Në botimet shqiptare prezantohet dhe “Odhise Paskali, themelues i skulpturës shqiptare” nga Leonardo Voci. Ky është një libër studimor mbi krijimtarinë e skulptorit të njohur Odhise Paskali, shoqëruar edhe me ilustrime grafike të nxjerra nga arkivi i familjes. Në vijim të letërsisë shqiptare, autori Besnik Imeri sjell për lexuesin librin “Epiri, Një Histori Pellazgo-Shqiptare”, një esse historike dhe politike.
“Les Bien Aime”, çel sonte Festivalin e Filmit në Durrës
Festivali i Filmit në Durrës nis sot edicionin e pestë me të ftuar të rëndësishëm, filma premierë dhe një sërë evenimentesh speciale. Mes të ftuarve përmendim regjisorin legjendar Milos Forman, aktorin e preferuar të Kosturicës, Lazar Riztovsi, producenti dhe regjisori Jan Harlan, ku Milos Forman do të nderohet me çmimin e “Gladiatorit të Artë për Karrierën”. Në këtë edicion do të nderohet me Çmimin e Karrierës figura ikonë e kinemasë, Nikolin Xhoja, në mungesë, dhe aktorja e mrekullueshme e skenës se teatrit dhe kinemasë Vera Urumi me Çmimin e Karrierës për kontributin e saj në kinema me figurat e spikatura në role të shumtë. Festivali sonte do të hapet me filmin e suksesshëm bashkëprodhim francez, ukrainas dhe çek “Les Bien Aime”, me skenar e regji të Christophe Honore. “Ky vijon të jetë viti më i mirë i festivalit, sepse do të vijojmë të besojmë se kemi arritur një nivel që e aspirojmë prej kohësh, të ftuarit e shquar, programet e filmave në konkurrim dhe jashtë konkurrimit, që e bëjnë këtë edicion një festë të vërtetë kinematografike, por njëherazi pasqyron edhe nevojat e një festivali modern”, thotë Anila Varfi, drejtoresha artistike e IFS Durrës. 12 filma do të konkurojnë për Statujën e Gladiatorit si artistët më të mirë të këtij festivali. Sa i takon kinemasë shqiptare, këtë vit ajo do të përfaqësohet vetëm nga Kosova me filmin “Kodi i jetës”. “Kosova përfaqësohet me një produksion. Shqipëria nuk vjen me një produksion kështu që do të kemi mundësinë që të jemi edhe me filmin shqip në konkurim për Gladiatorin e Filmit më të mirë ballkanik me shpresën që do të mund ta rrëmbejnë këtë trofe”, tha Varfi. Ndërsa një tjetër event i mrekullueshëm që do t’i takojë natës së fundit të festivalit me 30 gusht është dhe shfaqja speciale e filmit me metrazh të shkurtër “Ëndërroj Amerikën/Dreaming American” me regji të Lee Percy. Ky edicion do të sjellë edhe seksionin e dokumentarit ndërkombëtar, i përqendruar në problemet politike dhe sociale dhe të filmit të shkurtër. Në bashkëpunim me Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Universitetin e Arteve dhe Akademitë e Kosovës dhe Maqedonisë, Festivali do të organizojë sërish seksionin konkurrues për “Filmin e shkurtër të studentëve shqiptarë”. Filmat e këtij festivali do të shfaqen në disa ekrane të mëdha të qytetit bregdetar, ndërsa disa shfaqje speciale do të shfaqen për publikun në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Pogradec.
Ambasade gjermane, fond për restaurimin e mozaikut në Antigone
Mozaiku shumëngjyrësh i artit paleokristian në jug të Shqipërisë, i vendosur në dyshemenë e kishës së dikurshme të Antigonesë, pritet të marrë së shpejti ndërhyrje restauruese me fonde të Ambasadës Gjermane. Arkeologët dhe specialistët e parkut arkeologjik kanë kërkuar mbështetjen e donatorëve për të shpëtuar monumentin që daton në shek. V-VI të erës sonë, dhe që ka probleme serioze të bazamentit të tij, ndërsa ka humbur qindra tesera. Ambasadorja gjermane e ka vizituar personalisht mozaikun para se të fillojë ndërhyrja restauruese, ndërsa shpreson që burokracitë të marrin fund shpejt për të shpëtuar këtë monument, që siç u shpreh Carola Müller Holtkemper, mbart vlera unikale. “Monumenti bën pjesë në trashëgiminë materiale të Antigonesë dhe Shqipërisë. Pas restaurimit të parë rreth viteve ‘80 ai pothuajse u braktis dhe tashmë po përballet me probleme serioze të strukturës së bazës së tij. Ne u treguam të gatshëm t`i japim autoriteteve një dorë për të përballuar restaurimet e këtij thesari kulturor”, u shpreh Holtkemper.
“Jericho”, në Tiranë për “BunkerFest”
Grupi i njohur kosovar i muzikës rock “Jericho” dhe ai nga Maqedonia “Blla Blla Blla” janë ndër bendet që do të performojnë në edicionin e tretë të festivalit të muzikës “BunkerFest”, i cili do të mbahet në fshatin Pezë të Tiranës, mes datave 8 – 9 shtator. Artistët e tjerë që tashmë kanë rezervuar datat për këtë festival janë edhe “Peppa Marriti”, “Ansambli i Tiranës”, “Inspektre”, “Undo and Redo”, “Alien No. 155”, “Sterile Hermaphrodite”, “Iron Van”, “Der Maiden”, “Indripendent FX”, “Roots Raids”, DJ Nino, e të tjerë. “BunkerFest” ka synim që “kërpudhat e betonit”, të ktheheshin në ripërdorim e në të njëjtën kohë njerëzit t’i afrojnë me historinë e tyre. “Dhënia e një vlere ndryshe nga ajo për çfarë janë ndërtuar bunkerët është qëllimi ynë”, ka thënë Zhuljeta Cima, organizatore e festivalit.
Leave a Reply