Tuj Ju falenderue per urimet, po ju tregoj historinë e emnit tim.
Tre-katër ditë, a nji javë, mbasi u linda, im atë shkoi për me ba rregjistrimin në Gjendje Civile. Ishte vendosun me m’quejt Genc.
Kur asht kthye n’shpi, u tregon se ma kishte njit emnin Marin, tuj spiegue se m’kish quejt ashtu, n’kujtim t’nji profesori të tijin, At Marin Sirdanit.
Shkurt po shkruej kush ishte At Marin Sirdani.
Lindi në Guci më 17 janar 1885, i pagëzuar me emrin Ndue. Ingelun jetim herët nga e ama, i ati i kërkoi ndihmë hoxhës së Gucisë, i cili e mori me vete së bashku me të vëllanë, Lekën dhe i çoi në Shkoder, ke kleri katolik, ku të vazhdonin rrugën e priftënisë.
U shkollua në kolegjin e françeskanëve në Shkodër dhe më tej shkollimin e lartë e kreu në Universitetin e Gratzit, ku e përfundoi më 1909.
Vijoi shërbimin meshtar në Kthellë, Pishkash dhe Bazë të Matit. Më pas caktohet mësues në kolegjin e Troshanit, ku shërben deri më 1922, kur e thërrasin në Shkodër për të kontribuar në kolegjin françeskan të qytetit dhe më pas në liceun Illyricum, ku Sirdani do të jepte historinë kombëtare dhe doktrinën e krishterë; më pas u emërua drejtor i kolegjit nga 1932 deri më 1938.
Pas Luftës së Dytë Botërore dhe marrjes së pushtetit nga komunistët, Marin Sirdani me Dom Ernest Çobën u ngarkuan nga Kisha Katolike që të nisnin bisedimet me qeverinë demokratike të Tiranës, përfaqësuar nga Tuk Jakova dhe dy juristë. Në fund të bisedimeve, pala qeveritare propozoi një projekt-statut për ndarjen administrative nga Selia Shenjte dhe emërimin e ipeshkvinjve nga Këshilli i Ministrave. Propozim ky në shkelje të Dogmave të Fesë të Kishës Katolike. Me mënjanimin e Jakovës dhe ardhjes në pushtet të Mehmet Shehut, u urdhërua arrestimi i Sirdanit, i cili u dënua me punë të detyruar. Pasi u caktua me detyrë të negocionte me autoritetet shtetërore për Statusin e Kishës Katolike në Shqipëri, për shkak të kundërshtive të tij e burgosën sërish, burgim prej të cilit doli nga fillimi i 1960.
Kur doli u vendos te Kuvendi i Françeskanëve tek Arra e Madhe, ku më 14 shkurt 1962 ndërroi jetë i sëmurë nga tuberkulozi.
Veprat
Më 1926 Sirdani i dha historiografisë shqiptare veprën origjinale, një përmbledhje të legjendave popullore që qarkullonin në viset ku shërbeu famullitar,
“Skanderbegu mbas gojëdhânash”
Sprova e tij cilësohet nga sivëllau i tij Luigj Marlekaj si përmbledhja më e plotë e traditës kastriotiane.
Më tej botoi shkrime të tjera rreth jetës private dhe politike të heroit:
Zêmbra e Skanderbegut (1931),
Kërkim mí vorrin e Skanderbegut (1932)
Nji rival i Skanderbegut (1932)
Në shka fajiset Skanderbegu (1935)
Për historinë kombëtare (1938)
Shqipnia e Shqiptarëve (1941) monografi.
Vepra atdhetare e Françeskanvet në Shqypní (1940)
Shkroi e botoi materiale etnofolkloristike në revistat Hylli i Dritës e Leka dhe në të përkohshmet të tjera të kohës shkrime me vlerë si:
Kontributi i katolikëve në Shqipní,
Nora e Kelmendit, etj;
Për gjuhën e tij, Ernest Koliqi shkruante tek Dy shkollat letrare:
“ … gjuha e maleve në shkrime të pater Marin Sirdanit ruen gjallnín e forcën e vet, tue u çveshë veç prej rrebtësís madhore epike të dishmueme në veprat e Fishtës, të Gjeçovit e të Palajt. Rrjedh pa hov të rrëmbyeshëm, e begatshme, e qetë, e njinjishme, pasqyrë e qetë qi pasqyron besnikisht shka i perfshin drita.”
Kur u bë Priore i Kuvendit Françeskan të Arrës së Madhe, ku përveç drejtimit të Kuvendit, vazhdoi të interesohej për edukimin e të rinjve, At Giergj Fishta, tha për të:
“Të rinjtë e Shkodrës nuk e dinë ende se cili personalitet është në mesin e tyre”.
Burimi/Facebook


Leave a Reply