Në 100 vjetorin e aktorit të madh NAIM FRASHËRI:
Përballë Shekspirit…
Përjetësia e Shekspirit mbeti si një frymëzim i përhershëm për cilindo artist, sidomos për ata të paktët (aktorët e talentuar!), që dinë të kapërcejnë “vorbullat e lumenjëve”, mediokritetin e kohës e të amatorizmit të artit banal. Duhen parë vepra të tilla, që të distancohesh paksa nga ato mori “krijimesh” pa vlerë, që janë në funksion të konsumit të përditshëm të skenave, ekraneve e të kanaleve televizive, duke “helmuar” sistematikisht shijet artistike të njerëzve. Dhe, duhen kujtuar e evidentuar emra artistësh të mëdhenj e të ndritshëm (“aktor” do të thotë dritë!), që kanë përjetuar besnikërisht krijimtarinë dramatike të niveleve shekspiriane, në veçanti kryeveprën e tij, “Hamletin”. Dy prej tyre, ndërmjet një “katalogu” emrash të shkëlqyer, janë aktori shqiptar Naim Frashëri dhe ai rus, Inocenti Smoktunovski, që fatlumërisht kam mundur t’i shohë. Të parin në skenë dhe të dytin në ekran. Të dy personalitete të arenës së përbotshme, që arritën “Majën e Olimpit” sidomos me rolin e princit të Danimarkës,- një HERO TRAGJIKË, duke qenë kaq të barabartë dhe po kaq të ndryshëm në artin e tyre të papërsëritshëm. Sepse,-sikundër theksonte edhe NOLI YNË: “Hamleti është piktura më e pasur dhe më e thellë, që ka dalë nga penda e Shekspirit…,ku ka hedhur tërë mëndjen, tërë shpirtin e tërë zëmrën, ku ka hedhur dritat më të shkëlqyera, hijet më të errëta…”
Naim Frashëri (1923-1975)
Lindi në Leskovik, tek “Guri i thatë”, siç thotë kënga. Dhe jo rastësisht mba emrin e poetit të madh të Rilindjes. Ai rridhte nga “Dera e Tyre e Madhe”….Pa hedhur shtat, e pret një jetë endacake, nëpër tetë nënprefektura të vendit (të “kohës së merhumit”!), ku do të punonte i ati si nëpunës. Në vitin 1936 hyn në Gjimnazin e Tiranës, ku edhe angazhohet në trupën teatrore, që inspirohej prej mësuesve të tij Skënder Luarasi dhe Lasgush Poradeci. Shquhet në interpretimin e Vilhelm Telit, në dramën me të njëjtin titull të Shilerit.Në vitet e Luftës merr pjesë në Rininë Komuniste të Tiranës dhe përfundimisht del në mal si partizan.Idealist i “thekur” për ndryshim!Menjëherë pas lufte sjell në skenën e “Teatrit Nacional” një shfaqje që u përgatit në malin e Priskës. Dhe do të mbetej aty përgjithmonë, si aktori më i fuqishëm dhe i papërsëritshëm i brezit të vet. Nën drejtimin e regjisorit Sokrat Mio kryen dhe “Studion e Aktrimit”. Më pas vijnë rolet kryesore në kryeveprat e kollosëve të dramaturgjisë botërore, si edhe të autorëve shqiptarë. Rradhitur me dinjitetin artistik, të një lartësie të epërme në monografin time “PASARDHËSI I MOISIUT”. Epokal me një rol personazhi (patrioti të flaktë), si peshkatari Jonuz Bruga dhe të personezhit më të ndritshëm të Kallosit Anglez!Gjithashtu, merr pjesë në “hapat e para” të kinematografisë shqiptare. Shpallet dy herë Laureat i Çmimit të Republikës, i jepen titujt “Artist i Popullit” dhe “Hero i Punës Socialiste”. Fiket në kulmin e krijimtarisë së tij.Një humbje e madhe dhe e pa zëvëndësueshme!
Inocenti Smoktunovski (1925-1994)
Lindi në fshatin rus Tatjanovka të Tomskut. Mori pjesë aktive në Luftën e Madhe Patriotike, duke i ndjekur hordhitë naziste gjer në Berlin. Pas fitores, midis dy pasioneve, artit skenik dhe atij ushtarak, zgjodhi të parin. U regjistrua në Studion e Teatrit Dramatik të Krasnojarskit dhe paskëtaj punon si aktor në disa teatro të Stalingradit e të Moskës. Më 1955 hyn në studion “Mosfilm” të Moskës,për të ndritur me gjithë shkëlqimin e vet. Skena dhe ekrani do të bashkëjetojnë me të, gjer në fund të jetës. Fryt i këtij “dualiteti” artistik janë 91 interpretime virtuoze filmike dhe, pothuajse, po kaq në skenën e teatrit. Skenat më të dashura të tij, ku la role të paharruara, janë fiksuar në “MALLIJ” e “MHAT” Teatër të Moskës dhe në Teatrin Dramatik të Leningradit. Publiku shqiptar e njeh Smoktunovskin nga rolet e tij në filmat “Vrasje në rrugën Dante” (1956), “Mysafiri i natës” (1958) dhe “Letra të padërguara” (1959). Është skenarist i filmit “Fëmijët e diellit” dhe autor i novelës së njohur “Më takon të jetoj”. Në vitin 1965 i jepet Çmimi “Lenin” për rolin e Hamletit dhe shpallet Laureat i Çmimit Shtetëror të BRSS-së për rolin e Profirit në “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit. Më 1974 shpallet “Artist i Popullit” i BS-së.
***
Naim Frashëri e njihte nga afër Inocenti Smoktunovskin. E kishte parë në ekran, por edhe “live”, në skenat e Moskës. Kishte shprehur botërisht admirimin për talentin e rusit bashkëkohës. Ndërkohë që në brendësi të qenies së tij, tek “alter ego-ja” e vet artistike, kishte nisur dualiteti i madh, beteja midis të barabartëve.Starti niste me “Hamletin”.
Hamleti naimian
Duke xhiruar filmin “Skënderbeu”, regjisori i njohur sovjetik Sergei Jutkeviç vuri re tek sytë e Palit të aktorit Naim Frashëri një shkëlqim të jashtëzakonshëm, që e mbërtheu të tërin (njëlloj sikundër krijuan shtangien e aktorit të shquar gjerman Kainc sytë e ndritshëm të Aleksandër Moisiut në një rol figuranti!) dhe i fiksoi në mendje një ide të madhe krijuese: për të realizuar në Bashkimin Sovjetik një film mbi tragjedinë e famshme të Shekspirit, “Hamletin”, ku rolin e protagonistit mund ta luante pikërisht ky aktor i pashëm dhe i begatë në ndjenja i Shqipërisë, që tashmë interpretonte rolin e luftëtarit të Skënderbeut, Palit.
Prishja e konjukturave politike në vitet 60-të do të bënte që këtë “borxh” artistik ta “paguante” regjisori i fundit sovjetik që kishte mbetur në Tiranë, Vladimir Bortko, një ish i plagosur prej gjermanëve në frontin rus, i cili fill pas nxjerjes së premierës së tragjedisë “Hamleti” përgatiti valixhet e ikjes në atdheun e vet…
Jutkeviçi fillimisht dhe Bortko në vijim nuk kishin gabuar aspak. Interpretimi i aktorit Naim Frashëri,– qysh në atë kohë “Artist i Popullit” dhe i vetmi artist i skenës shqiptare i shpallur “Hero i Punës Socialiste” – ishte një surprizë, që u prit me emocione të papërshkruara. Shekspirian gjer në fund, hero i vërtetë i Rilindjes Evropiane, njeri i lindur “për të ndrequr botën”, por që fati tragjik nuk e lë të gëzojë kurorën e triumfit, marrë me sakrificën më sublime.
Hamleti i Naimit ishte pikërisht ashtu siç e krijoi Shekspiri: fisnik e “Jupiter” nga pamja, një shpirt i zjarrtë dhe i kulluar, trim e luftëtar i paepur, njeriu që dashuron dhe urren njëkohësisht, por që duhet të kalojë pengesa të pakapërcyeshme, intriga e “gracka”, gjersa vdes i helmuar nga kama e po atij njeriu që i kishte farmakosur të atin, për t’i grabitur kësisoj kurorën mbretërore dhe bashkëshorten. Në netët e errëta të një shoqërie njerëzore me tiranë dhe vrasës…
Mënyra si e shihte Naimi-Hamlet figurën e të atit, me ca sy që shkrepnin rrufe qiellore, drithma e shpirtit të tij përpara nënës së pabesë, maska e natyrshme e marrëzisë që vendos përpara ungjit vrasës dhe të brishtës Ofeli, që e do me shpirt, rrëfejnë një bagazh fort të pasur në artin e aktrimit, si veçanti të papërsëritshme në skenën shqiptare.
Mandej, ajo shkrirje e plotë e mendimit filozofik të Hamletit në ngjeshjen emocionale të labirinthit shpirtëror, që arrin në skenën finale në një kulmim psiko-fizik tepër tronditës, shpreh më së fundi atë gjendje tragjike,e cila, në vetëdijen e çdo spektatori, që pati fatin ta ndiqte në skenë, mbeti si një mrekulli, si një magji e pabesueshme. Jo më kot, regjisorët shqiptarë, të diplomuar në atë kohë jashtë shtetit, pohonin se interpretimi i Naim Frashërit e shprehte ca më mirë Hamletin shekspirian se sa britaniku Pol Stodfild, apo se rusi Samaillov.
Mirëpo fati nuk do linte të vetëm Naim Frashërin në këtë kulm shekspirian. Do të dilte në skenën botërore një rival tjetër, gati i të njëjtit nivel. Ky do të ishte rusi tjetër, aktori Inocenti Smoktunovski
Heroi tragjik i një rusi
Shkëlqimi i Smoktunovskit do të vinte nga një vend i ftohtë, ku ditët me diell janë të pakta dhe lulet nuk arrijnë dot as të bulëzojnë. Por në Teatrin e Leningradit (Sant Petërburg), regjisorja Kuznecova, e zaptuar nga pasioni shekspirian dhe nga ai përkthim fort i denjë i “Hamletit” prej shkrimtarit “të mallkuar” të periudhës staliniste, Boris Pasternak (përkthim thuajse i nivelit nolian), mundi të krijojë një spektakël, ku “rrezatimin diellor” do ta lëshonte një aktor shtatmesatar, me një bardhësi të pazakontë, thuajse teknike, në fytyrën e tij enigmatike dhe me një energji të brendshme prej një anglezi tipik të përmbajtur. Quhej Inocenti Smoktunovski.
Kino-regjisoria Shopira, duke qenë gjithaq e pasionuar pas Shekspirit, e hodhi krejt spektaklin në ekranin bardhë dhe zi, ku impresionizmi do të ishte i gjithanshëm, brenda një kornize tronditëse, me po ato përmasa që ka tragjedia. Dhe atë që nuk e bëri dot Jutkeviçi me Naim Frashërin, që në atë kohë nuk shihte rival tjetër për Hamletin, e bëri Shopira me Smoktunovskin. Suksesi qe i garantuar…
Smoktunovski – Hamlet është plotësisht një figurë tragjike, me kontraste të thella, me një cfilitje të brendshme që sa vjen e rritet, gjer në marrjen e hakut të atit të vrarë në pabesi, me një ndjenjë të lartë vetëmohimi. Sapo mëson që i ungji ishte pikërisht ai që përgjaku duart me gjakun e të vëllait, Smoktunovski – Hamlet lëshon që nga thellësia e shpirtit një klithmë të thekshme dhe rend me të dyja duart të shtrira drejt qiellit, si të donte ta çante atë mespërmes. Edhe monologun e famshëm “Të rrosh a të mos rrosh”, ai e thotë në ecje e sipër, mbi shkëmbinjtë e thepisur të bregdetit, ku dallgët ngrihen të tërbuara, ca më keq se në shpirtin e tij, për të rënë sërisht në thellësi, të thërrmuara në mijëra grimca të bardha, ashtu siç është thërmuar edhe bota shpirtërore e heroit. Sa keq, që regjisores Shopira, këtu i intereson më tepër ekspresioni i figurës në shpinë të Hamletit në sfondin hijerëndë të kështjellës dhe jo zbrasja e kupës së helmit në këtë sentencë filozofike.
Edhe më pas, ky Hamlet, që mërmërit pareshtur, duket sikur bluan në brendësi kockat e eshtrat e veta. Pamja e tij e vrenjtur është pasqyra e një tragjizmi të thellë. Shpërthimet patetike s’janë gjë tjetër veçse shkrepje të urrejtjes, të hakmarrjes që do të derdhet më së fundi mbi të pabesët, mbi uzurpatorin e fronit e lajkatarët mbretëror, por edhe për një grua, që për fat të keq, është e ëma. Çastet e kthjellimit përpara saj dhe ai përqafim momental, janë të vetmet sentenca të mjerimit njerëzor, që do të hedhin një rreze drite mbi të mirën ende të pashuar. Do të vinte hija e vdekjes, për t’i përmendur që të dy (nënë e bir) prej mashtrimit të madh, pas atij dueli–kurth, që do t’u marrë jetën. Pikërisht në këto çaste dramatike, sytë e Smoktunovskit – Hamlet do të reflektojnë një përdëllim rrëqethës. Tragjedia, me fundin e saj, tingëllon e plotë, jo më si tragjedia e një individi, por e një bote të tërë, që ashtu e kalbur siç qe, u hodh në det prej “hamletëve” të Rilindjes së Njerëzimit.
Anatomia e një dueli
Naimi dhe Smoktunovski u matën me Shekspirin thuajse në të njëjtat vite të errëta diktatoriale, duke qenë afërsisht në të njëjtën moshë dhe, siç po e shoh tani, në të njëjtën pjekuri aktoreske. Një duel artistësh të mëdhenj. Që të dy kishin shëmbëlltyra të përkryera shekspiriane, nga ku mund të merrnin nismën e frymëzimit, për të thënë mandej diçka të tyren: Smoktunovi kishte pararendës Maçallovin , që pati mahnitur dikur Bjelinskin e mençur, ndërsa Naimi kishte Aleksandër Moisiun, që nga ana e vet kishte mrekulluar Rejnhardin e famshëm.
Nëpër interpretimet e mëdha është vështirë të gjesh dallime të veçanta, ndonëse ato janë kaq të dukshme, saqë njeriu mund të thotë: “Oh, kjo verë është pakëz më e fortë se kjo tjetra, ndonëse “kjo tjetra” po më pëlqeka paksa më shumë!”
E pra, që të dy janë zotër të skenës, ndaj dhe bëhen zotër të Elsinorit, në atë kështjellë – rrëpirë mbi detin e trazuar, ku gatuhet krimi dhe pabesia merr rrugë…Që të dy janë figura që sugjestionojnë, që mbartin mbi supe diçka të kobshme, që kërkojnë të realizojnë zbardhjen e së vërtetës dhe zhdukjen e së keqes, që sa vjen e bëhet më zotëruese. Por, ju lutem, shikojini mirë që të dy Hamletët:
Hamleti-Naim është tepër njerëzor, ma ata sy të butë, që do të shkrepin më vonë shkëndija të papërballueshme, sidomos përpara fantazmës së të atit, karshi nënës së padenjë apo kur vrasësit i hiqet maska dhe pelerina e turpit. Është pikërisht njeriu i pastër i Rilindjes Angleze, përcjellës i së mirës së tejdukshme, që arrin të triumfojë mbi të keqen, por që befasisht na lë brenda një pikëllimi botëror. Përbrenda kthetrave të tragjedisë që përjeton është ravijëzuar edhe revolta e tij, e cila në shpirtin tonë transformohet në një revoltë të pashmangshme.
Hamleti i Smoktunovskit është më tepër një filozof i plagosur rëndë, që rrëmih në kujtesën e tij, gjersa lodhet e cfilitet e që do të arrijë më pas të hapet krejt, duke na sjellë enfazën e hakmarrjes, shpagimin e egër, si një dehje delirante dhe force njëherësh, si të ishte vetë mbi kraterin e një vullkani që pritet të shpërthejë.
Që të dy janë kaq tronditës, tragjikë gjer në palcë, fatkeqë në mirësinë e tyre të pafund, si të ishin kreatura perëndish.
Veçse ne mendojmë që Hamleti i Naimit është diç më njerëzor, më i prekshëm, me vrulle emocionale që të rrëmbejnë e të rrëqethin. Hamleti i Naim Frashërit është njeriu i veprimit, i prirur edhe nga shpirti edhe nga mendja. Me pak fjalë, mrekullia skenike jepet me po atë natyrësi që e kërkon vetë mjeshtri i madh, Shekspiri, në prognozat e tij. Por, nga ana tjetër, nuk mund të themi që ai petk filozofik që i vesh Smoktunovski rolit të vet, nuk i shkon për shtat Hamletit të tij, ndonëse e bën atë paksa enigmatik, ku zhbirimi i mendjes njerëzore është diç më i zorshëm, e, doemos, më i thellë.
Dhe, për çudi, e meta e tyre është e përbashkët: patetizmi, i trashëguar nga arti rus i aktrimit, diç më shumë tek Smoktunovski dhe diç më i retushuar tek Naimi. Ato thirrje emfatike tek të dy Hamletët, që vuajnë e nuk përmbahen dot dhe që vijnë si rrjedhë e mbingarkesave emocionale bëjnë, doemos, ca shfytyrime të pjesshme të figurës e një farë shmangie nga ajo porosi e çmuar që jepte për aktorët e vetë Shekspiri: “për të kombinuar veprimin me fjalën e fjalën me veprimin dhe për të mos dalë jashtë natyrësisë!”. Porosi “të arta” , që shprehin esencën themelore të aktrimit.
Kështu: të dy aktorët janë bashkëkohës, ndodhen që të dy në rrethanat e një princi që i kundërvihet së keqes, që edhe vuan, edhe lufton, por që do të vdesë tragjikisht, pa i realizuar qëllimet e tij të shenjta. Në këto cfilitje, tmerrësisht tronditëse, interpretues potencialë si Frashëri e Smoktunovski, ndonëse shkëlqejnë në mjetet shprehëse të rolit, nuk janë kurrsesi të njëjtë. Ata ndjekin udhë të kundërta për t’iu ngjitur “kështjellës shekspiriane”.
Pa qenë kundërshtarë të mirëfilltë të njëri-tjetrit, ata janë antipodë në artin e aktrimit, gjithsesi në të njëjtat dimensione madhështie. Mrekulli të tilla, fatkeqësisht, ndodhin rrallë, por ama, fatmirësisht, ndodhin, si tek këta të dy Hamletë të papërsëritshëm.
Akoma: le të pranojmë, gjithsesi, se në këta dy aktorët e talentuar ka ndikuar kombësia e seicilit, që ka vënë “vulën e vet” edhe në natyrën e interpretimit, në ato veçori individuale, që kanë të bëjnë me tiparet kombëtare dhe që janë dalluese për të dy.
Se princi i Danimarkës, i luajtur nga një rus si Smoktunovski, sado i shtjellur me “thëngjijt e ndezur” të një dramaturgu të zjarrtë, prapëseprapë mbart diçka përsipër nga mjegullnajat e Petërsburgut apo nga ngricat e Balltikut.S’ka si mos të të bjerë në sy, që në portretin nganjëherë të ftohtë të Hamletit, në raste qetësie e pritjeje, nuk i lëviz qerpiku e as damari më i vogël. Por, kur princi danez “transferohet” në skenën shqiptare, do të thonim se është shumë i dukshëm “zjarri mesdhetar” në krejt qenien e Hamletit – Frashëri, sikundër qe e dukshme për Cvajgun, Hamleti i Aleksandër Moisiut si “njeri i jugut, që sjell me vete diellin e vendit të tij”.
Sidoqoftë, kënaqësitë që na japin të dy Hamletët janë të pafundme, aq sa na zgjojnë mandej edhe oreksin për të bërë vërejtje të vona, që, natyrisht, nuk ka për t’i dëgjuar as njeri,
Yjet nuk rrojnë vetëm
Përfundimisht: që të dy Hamletët e mësipërm e vunë veten në frone perëndish, ndonëse në Olimp, pikërisht në këtë kohë, shkëlqente një “ZOT” tjetër, një diell akoma më llamburitës, LORENC OLIVER, mbret i padiskutueshëm i skenës teatrore britanike, Hamleti më i përkryer gjer më sot, që çudi si nuk ka ngritur nga vëndi ku prehet, Mjeshtrin e Madh të Teatrit “Globus”, të përjetshmin SHEKSPIR.
(Botuar në librin tim:”SHPIRTI ARTISTIK”.Tiranë 2014)





Burimi/Facebook


Leave a Reply