Nga Beti Njuma
Mbulimi i djeshëm mediatik i mbledhjes më të rëndësishme të Këshillit Bashkiak ku diskutohej projektbuxheti afatmesëm 2024-2026 ishte qesharak. Gjatë gjithë fjalës hapëse të Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj funksionoi gjithçka në rregull, me audio dhe video. Me të mbaruar fjalën kryetari pas rreth 40 minutash, gjithçka u bë black! Në praktikën më të mirë të territ informativ, bunkerizimit të informacionit dhe mungesës së transparencës me publikun dhe mediet që duhej ta ndiqnin mbledhjen dhe seancën e rëndësishme të debatit online, funksiononte vetëm një kamera e “harruar” hapur që fokusonte vetëm kryetaren dhe nënkryetarin e këshillit bashkiak ndërsa audio nuk kishte. Nuk shihej e nuk dëgjohej asgjë pikërisht kur ishte më e nevojshme.
Kur këshilltarët e opozitës drejtonin pyetje dhe bënin debat për buxhetin e bashkisë ku çështja më e rëndësishme kishte të bënte me një pyetje së cilës zoti Veliaj nuk iu përgjigj: Sqarimin publikisht për qytetarët që paguajnë taksa se sa para derdhen për inceneratorin e Tiranës nga ky buxhet?
Kjo ndodh në institucionin më pararojë në Shqipëri për video, spote filmime, koncerte e estrada me një armatë punonjësish në zyrën e shtypit. Bashkia që sipas Open Data’ ka shpenzuar më shumë se 200 mijë euro vetëm për aparate fotografikë, lente e dronë, Bashkia më e madhe në vend që ka punësuar rreth 50 persona në zyrën e shtypit dhe propagandës, me kamera dhe kompjutera të teknologjisë së fundit la 2 orë transmetim pa zë dhe figurë duke harruar ta fikë. Bashkia e bunkerit dhe e territ informativ duhet ta dijë se transparenca është dhe duhet të jetë standard, mbi të gjitha në respekt të ligjit dhe qytetarëve!
Burimi/Facebook/Elona Caslli


Leave a Reply