Është mbledhur sërish këtë të mërkurë (12 korrik) Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të vendosur nëse do t’i hapet rrugë arrestimit të ish-ministrit Arben Ahmetaj, pas kërkesës së SPAK.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, tha se çështja do të shqyrtohet në seancën javën e ardhshme në Parlament, ditën e hënë në orën 17:00.
Ahmetaj përfaqësohet nga avokatët e tij, ndërsa vetë ish-zëvendëskryeministri ndodhet jashtë vendit, siç u konfirmua në mbledhjen e djeshme. Sipas avokatëve të Ahmetajt, ai është larguar jashtë Shqipërisë për arsye familjare.
Në mbledhje nuk kanë munguar debatet, ku deputeti demokrat, Gazment Bardhi i është drejtuar avokatëve të Ahmetajt duke akuzuar se ish-zëvendëskryeministri ka gënjyer në lidhje me raportin Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.
“Nëse do kishte qenë prezent dhe bashkëpunues, mund të ishim treguar më mirëkuptues për më shumë kohë për mbrojtje. Ka ikur jashtë vendit ditën që është kërkuar arrestimi. Akuzat ndaj tij nuk kanë natyre politike, por për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Pse ka gënjyer për raportin me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton?”, ka thënë Bardhi.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar të martën, avokatë e tij konfirmuan se Ahmetaj ndodhej jashtë territorit të Shqipërisë, por duke mohuar se qëllimi i largimit të Ahmetajt ishte arratisja. Megjithatë ata nuk bënë me dije vendin se ku është larguar ish-zëvendëskryeministri.
Deri më tani ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.
Hetimi për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj ka përfshirë edhe bisedat telefonike të tij të para 11 viteve. Nga këqyrja e tyre rezultoi se nga data 21 korrik 2012 deri në 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj, të ketë patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazhe mes Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit. Më pas SPAK thotë se janë faktuar edhe lidhjet mes Ahmetajt dhe Klodian Zotos, biznesmenit të inceneratorëve.
Sipas hetimeve rezulton që ai të ketë përfituar rreth 500 mijë euro përfitime të nisura që nga viti 2016 deri më 2020. Madje SPAK ka arritur të zbulojë edhe shkëmbime e-mailesh kur Zoto informohej mbi procedurat për inceneratorët. Në një nga këto e-maile del edhe emri i Alda Klosit, ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave.
Burimi/Facebook/RTSH Shkodra


Leave a Reply