Bill Clinton dekorohet me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”
Ish-Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, është dekoruar këtë të hënë me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”.
Medaljen, Presidentit të 42 të SHBA-së, ia dha kreu i qeverisë Edi Rama, i cili shprehu konsideratën më të lartë për Clinton.
“Tani kemi diçka të vogël për ta përfunduar me Hillary dhe Bill Clinton. Zoti President, ju, njeriu nga shpresa, keni qenë me ne gjatë gjithë kohës përmes fjalëve dhe veprave tuaja, por sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët, për të rikonfirmuar angazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë dhe edhe njëherë të na thërrasësh në shpresë. Nuk ka fjalë që mund ta shprehin mjaftueshëm përulësinë e thellë që ndjej tashmë duke ju kërkuar me përulje të pranoni “Yllin e Mirënjohjes për Arritje Publike” që është në fakt çmimi më i lartë që i jepet nga zyra e kryeministrit dikujt i cili e meriton këtë mirënjohje të jashtëzakonshme nga vendi ynë”, tha Rama.
Mesazhi i Presidentit Clinton: Më dhatë një dhuratë më të madhe se nderi, më latë të shoh çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë
Ish-Kreu i Shtëpisë së Bardhë Bill Clinton ka zhvilluar sot një vizitë historike në vendin tonë. Fjalimin e tij në ambientet e Kryeministrisë, ai e mbylli duke inkurajuar të rinjtë shqiptarë që të ushqehen me idetë e bashkimit dhe njerzillëkut.
Ai madje rrëfeu një moment që ka shenjuar në jetën e tij, kur një kamarier shqiptar në New York iu ul në gjunjë dhe e falenderoi për kontributin e tij në Kosovë.
“Miku im Nelson Mandela ka qenë një gjeni për mënyrën si përballonte sulmet ndaj tij dhe u mbajt në burg për një kohë të gjatë, por nuk kishte rëndësi, ai mendonte për mënyrën si ai do ngrihej. Në momentin që Mandela u nxor nga burgu dhe personat me ngjyrë po shihnin Mandelën, ai sheh një vajzë të bukur me sy bojëqielli, ajo i tha “Ti je Presidenti im” e ai i tha “Po jam për pak kohë, por nëse ti mëson shumë e punon shumë ti mund të jesh një presidente”. I thotë një 5-vjeçareje që ajo mund të bëhet presidente. Kjo është ajo që unë ndjeva kur pashë këta fëmijë sot, dua të vazhdoni kështu, na duhen modele.
Qysh prej kohës kur kam lënë Shtëpinë e Bardhë, kujtoj një moment kur isha në një restorant në New York, kur një kamarier erdhi për të marrë porosinë, uli tabakanë që kishte ujin dhe u ul në gjunjë, më tha “falë teje familja ime është gjallë” dhe njerëzit e tjerë me të cilët isha nuk e kishin idenë. U shpjegova se ishte një shqiptar nga Kosova, ai foli pak për jetën familjare dhe vazhdoni kështu, mos i hidhni njerëzit poshtë kur ju zhgënjejnë. Ju keni ndërtuar një gjë të lavdishme. Dikur ju ishit një derë e zymtë e mbyllur, tani jeni një derë e hapur. Faleminderit që morët gratë drejtuese dhe i larguat nga shqetësimet e tmerrshme në Afganistan, faleminderit që keni treguar se duhet ndërtuar një botë ku të jetojmë të gjithë bashkë, gjithë pjesa tjetër është muzikë në sfond”.
Clinton dha një mesazh shumë të bukur në mbyllje të fjalimit.
“Më lini t’ju them se kur vjen në moshën time pyet veten pse njerëzit shpenzojnë kaq shumë energji të shkatërrojnë të tjerët për aq pak gjë. Ndodh shumë shpejt, jeta ikën, mbaron dhe gjithçka vlen është nëse i ke lënë gjërat më mirë se i ke gjetur, nëse fëmijët kanë një të ardhme më të ndritur nëse jeni bashkuar në vend që të ndaheni. E në këto kohëra kur jemi përballur me sfidën ekzistenciale që paraqet ndryshimi i klimës për jetën tonë, ti u thua po këtyre gjërave dhe gjithë gjërat e tjera nuk kanë më vlerë. Sot më dhatë një dhuratë të madhe, më të madhe se nderi, më latë të shoh se çfarë bëhet për të ardhmen, në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu, Zoti ju bekoftë!”.
Clinton: Mos nënvlerësoni fuqinë e shembullit tuaj! Shqipëria mund të jetë në anën e duhur të historisë & njerëzimit
Në fjalën e tij, ish-presidenti amerikan Bill Clinton tha se shpreson që Shqipëria do të jetë në gjendje t’i tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithëpërfshirëse. “Nuk dua që të nënvlerësoni kurrë fuqinë e shembullit tuaj”, tha Clinton i cili po ashtu theksoi se vendi ynë mund të jetë në anën e duhur të historisë dhe në anën e duhur të njerëzimit.
“Unë shpresoj që Shqipëria, në mënyra të mëdha e të vogla, do të jetë në gjendje që së pari t’i tregojë botës sesi duket një e ardhme gjithëpërfshirëse. Do dëshiroja që e gjithë bota, të shihte një video të shkurtër të të gjithë këtyre fëmijëve. Është diçka që e marrin për të mirëqenë, duket diçka normale për ju, ka shumë vende në botë ku kjo do të ishte e çuditshme. Nuk dua që të nënvlerësoni kurrë fuqinë e shembullit tuaj. Ashtu siç dikur kur isha student pyetja veten se çfarë ishte ky mur që nuk më linte të mësoja për Shqipërinë. Mu desh të pyesja 10 njerëz sesi të shqiptoja emrin e njeriut që drejtonte vendin, ishte një mister i madh. Tani çdo njeri që përjeton vendin tuaj, ndihet pak më i madh, pak më inteligjent, më i gatshëm për të qëndruar”.
“Ne e dimë që ju ende keni probleme ekonomike, di që ju luftoni me njëri-tjetrin dhe argumentoni gjatë. Jemi absolutisht të vetëdijshëm që ka sfida për të cilat duhet të bashkohemi me ju që t’ju ndihmojmë që t’i përballoni. Me fjalë të tjera jeni njerëz. Nuk mund të jeni të përsosur. Por mund të jeni në anën e duhur të historisë, dhe në anën e duhur të njerëzimit. Për mua kjo nuk është një ditë kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeri që nuk është më i ri e nuk ka më pushtet politik një lëvdatë për atë çka shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju. Kjo është dita kur rikonfirmohet koncepti se njerëzit që bëhen bashkë përtej ndasive të tyre marrin vendime më të mira”.
Clinton për situatën në veri të Kosovës: Duhet ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje mund të avancohet duke pasur tension?
Ish-Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, viziton për herë të parë Shqipërinë. Në nder të tij u zhvillua një ceremoni pritje ku ai mbajti një fjalim. Në fjalën e tij, Clinton u ndal edhe tek situata në veri të Kosovës.
Clinton u shpreh se “duhet ta ndalim këtë marrëzi” duke shtuar se asnjë çështje e madhe politike nuk mund të avancohet duke pasur tension.
Sipas Clinton, shqiptarët në shumicë atje duhet të përpiqen të përfitojnë nga momenti dhe të paraqesin argumentet e tyre.
“Ne do të diskutojmë për gjërat. Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do doja që të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato katër qyteza në të mirë të serbëve për t’u dhënë katër kryebashkiakë më tepër. Mendoj që kanë bërë një gabim që të votojnë. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tashmë në shumicë, që të përpiqen të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin e tyre. Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë të kenë një qeverisje të denjë. Qytetarët kanë nevojë t’u thuhet që ju duhet të votoni gjithmonë. Nëse mendoni për këto 4 qyteza, shumë larg nga çdo laborator shkencor ku modelohet sjella përçarëse që po e nxit botën sot kryesisht sepse shumë vende drejtohen nga njerëz kryesohen nga dominanca në vend të bashkëpunimit, në vend të ndarjes së një të ardhmeje”, tha Clinton.
Me emocione, Clinton mban fjalimin e parë në Tiranë: Jam pa fjalë! Këtë moment do ta ruaj si thesar
Bill Clinton ka mbajtur fjalimin e tij të parë në Tiranë. I emocionuar, Clinton u shpreh se nuk ka fjalë për të përshkruar gjithë pritjen unike që i është bërë sot nga populli shqiptar.
Ai falenderoi në mënyrë të veçantë Kryeministrin e vendit, Edi Rama, për fjalimin hapës dhe faktin që përmendi kontributin e ish-Presidentit amerikan në çlirimin e Kosovës.
Clinton në fjalën e tij dha një mesazh të rëndësishëm për shqiptarët: Është e rëndësishme të pranojmë se dallimet tona kanë rëndësi dhe të ndihemi të lirë, e të jemi në gjendje të dëgjojmë njëri-tjetrin, por mos të harrojmë se e vetmja mënyrë me të cilën do të lejohen të gjithë të kenë zërin e tyre është nëse e themi fort se të qenit njerëz dhe humanizmi vlen më shumë.

“Faleminderit! Jam pa fjalë! Mendoj që po të kisha një gjykim shumë të shëndoshë, nuk do thosha asgjë. Jam vërtet pa fjalë! Kryeministër, ministra, të ftuar e gjithë populli shqiptar që kanë qenë pjesë e kësaj dite dua tju falenderoj për këtë moment që do ta ruaj si thesar gjithë jetën time. Ka më shumë se 10 vjet që kur bashkëshortja ime erdhi këtu dhe gjithmonë e pyesja si po ndihesh sepse gjithmonë doja të vija, dhe ndjej se edhe pse jam një qytetar privat pa asnjë pushtet publik, mund të flas në emër të popullit amerikan. Lidhur me këtë, për partitë tona politike, dallimet filozofike, ndonjëherë edhe kundërshtive tona fetare, ne jemi të angazhuar për lirinë dhe të ardhmen e Shqipëirsë. Jam shumë mirënjohës për atë që Kryeministri tha për Kosovën, ai e di e shumë prej jush e dinë që unë dhe Hillary jetojmë në New York ku ka shumë shqiptarë, nuk eci dot rrugës pa i parë. Po ecja dhe kalova pranë restoranteve shqiptare dhe njerëzit më treguan mbi axhendën këtu, pra një javë para se të largohesha. Dua po kështu, t’i them faleminderit kryeministrit për fjalët e tij për politikën e qasjen time, për mua është e rrënjosur se çfarë është rruga politike. Kur dëgjoj shumë gjëra që thuhen në Amerikë e në botë që kanë synim të na përçajnë, për të justifikuar një trajtim që është i padrejtë, kur e pashë të ndodhte në Kosovë e Bosnje gjithë ato vite më parë, e pashë të ndodhë si djalë i ri në vendlindjen time, për fëmijët që u mohohej të shkonin në shkollë për shkak të racës së tyre, sa herë e kam parë këtë gjë në jetën time shumë të gjatë, kurrë nuk ka pasur lidhje me të vërtetën, por është bërë për të fituar pushtet nga ata njerëz që shtyjnë kufijtë dhe mendojnë se Zoti ka krijuar njerëz të epërm.
Për rininë e jashtëzakonshme këtu dhe praninë e grave në këtë qeveri, për të rinjtë mbresëlënës që folën, disa prej tyre mbanin emrin tim, ju kërkoj të mos shkurajoheni përballë asaj që po ndodh, sepse këto probleme i kanë rrënjët te një impuls që është më i lashtë se edhe besimet tona fetare, ka pasur gjithnjë një frikë se në momentin që shkojmë përtej, diçka e keqe ndodh. Sërish, shihini këto fëmijë, gëzimi i madh ndodh kur ne hapemi ndaj mundësisë që çdo person i vetëm mund të marrë. Edhe njëherë,e kam të vështirë të them diçka për atë që është bërë sot, mësimet thelbësore të jetës time nuk janë ato që mësova në universitet apo në valën e zgjedhjeve, i kam mësuar kur isha djalë i vogël kur rritesha duke parë njerëzit teksa jetonin jetën e tyre dhe jam ndjerë përherë se fjala dhe nderi kishin një vlerë konstante për çdokënd. Është e rëndësishme të pranojmë se dallimet tona kanë rëndësi dhe të ndihemi të lirë, e të jemi në gjendje të dëgjojmë njëri-tjetrin, por mos të harrojmë se e vetmja mënyrë me të cilën do të lejohen të gjithë të kenë zërin e tyre është nëse e themi fort se të qenit njerëz dhe humanizmi vlen më shumë”, shtoi më tej Clinton gjatë fjalimit.
Foto: Rama ndjek fjalën e Bill Clinton i ulur në shkallët e Kryeministrisë
E teksa ish-Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton mban fjalën e tij në sheshin para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama ka vendosur ta ndjekë në një mënyrë të pazakontë.
Kreu i qeverisë, nuk u ul si zakonisht në karrige përballë foltores. Ai vendosi ta ndiqte fjalën e Clinton i ulur në shkallët e Kryeministrisë.
Kjo është hera e parë që ish-Presidenti Clinton viziton Shqipërinë. Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se Clinton përcaktoi historinë e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit.
Ai tha po ashtu se “Shqipëria është vendi më pro amerikan që mund të gjendet sot” dhe se vetë Clinton është “presidenti më shqiptar që ne mund të gjenim ndonjëherë në Amerikë”.
Rama: Clinton mbështeti Shqipërinë jo vetëm me programe, çeli epokën e re të partneritetit strategjik
Zhvillohet në Kryeministri ceremonia e pritjes në nder të ish-Presidentit të SHBA-së, Bill Clinton. Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim ku u shpreh se Clinton çeli epokën e re të partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA-në. Sipas Ramës, kontributi i Clinton për Shqipërinë ka qenë i madh.
“Kontributi i drejtpërdrejtë, personal i Presidentit Clinton për shqiponjën tonë binjake matanë bjeshkëve është i të tilla përmasave saqë eklipson natyrshëm kontributin e administratës Clinton për Shqipërinë, i cili në vetvete ishte mjaftueshëm i çmuar në atë kohë kur vendi ynë del nga një izolim i paparë askund në lindjen komuniste si një Kore Veriore në mes të Europës ku liria erdhi bashkë me një kaos dhe një çorodi të pashoqe. Në mbështetje të Shqipërisë, Presidenti Clinton firmosi krijimin e fondit amerikano-shqiptar dhe qeveria e tij e mbështeti Shqipërinë jo thjesht përmes programeve të ndryshme të ndihmës, por në radhë të parë duke çelur epokën e re të partneriteti strategjik me SHBA-në, i cili u formalizua me marrëveshjen historike të partneritetit pak kohë më parë”, tha Rama.
Sipas Ramës, Clinton na ka mësuar të besojmë se ka vetëm regjime dhe qeveri të këqija, nuk ka kurrë popuj të këqij. Ai shprehet se nëse Clinton nuk do të kishte marrë vendimin për të ndërhyrë në Kosovë, askush nuk e di si do kishte qenë e ardhmja e rajonit.
“Presidenti i 42 i SHBA na mësoi me shembullin e oratorisë së tij se të kesh shpresë do të thotë të besosh se ka vetëm regjime dhe qeveri të këqija, nuk ka kurrë popuj të këqij. Askush nuk e di si do kishte qenë e ardhmja e rajonit tonë pa zotërinë që do flasë pas pak. Mund të thuhet pa frikë se koha që ka rrjedhur pas atij vendimi historik dhe deri më sot mund të kishte qenë shumë më e zymtë sesa mund të guxojmë ta marrim me mend, jo vetëm për Kosovën dhe për pasojë të gjithë shqiptarët, por edhe për Serbinë dhe pasojë për të gjithë serbët, dy kombet më të mëdhenj të Ballkanit, popujt të cilët janë të shtrirë në më shumë sesa brenda shtetit të tyre amë dhe janë të dënuar të jetojnë përjetësisht së bashku, duke zgjedhur që ose ta kthejnë Ballkanin në hapësirën e një jete të re të triumfit të paqes mes veti, ose ta lenë peng mes mureve të frikës dhe të jetuarit me kurriz ndaj njëri tjetrit. Mund të thuhet pa frikë se gjysmë milioni refugjatët kosovarë që nën furinë e makinerisë gjakatare të Beogradit erdhën për të kërkuar shpëtim në Shqipëri mund të mos ishin kthyer më në shtëpi”, tha Rama.
Rama-Clintonit: Ju jeni presidenti më shqiptar që mund të gjenim në Amerikë
Shqipëria vendi më pro-amerikan
Në fjalën e tij në ceremoninë që po zhvillohet përpara Kryeministrisë, në nder të ish-presidentit Bill Clinton, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, mes të tjerash tha se “Shqipëria është vendi më pro amerikan që mund të gjendet sot” dhe se vetë Clinton është “Presidenti më shqiptar që ne mund të gjenim ndonjëherë në Amerikë”.
“I dashur zoti President, ne në Shqipëri nuk merremi i vesh lehtë me njëri-tjetrin. E kemi të vështirë të bëhemi bashkë nëse një armik i përbashkët nuk na detyron. Por unë nuk besoj se në ndonjë vend të tjetër të botës, ju do të gjeni dot një konsensus më të madh sesa në Shqipëri, dje sot dhe gjithmonë. E them këtë me bindje dhe provë objektive. Shqipëria, jam i lumtur t’jua them i është sot e gjithë ditës frymës së metodës Clinton. Natyrisht Shqipëria është vendi më pro amerikan që mund të gjendet sot, përfshirë e krahasuar me Texas. Por ju jeni presidenti më shqiptar që ne mund të gjenim ndonjëherë në Amerikë dhe me respektin më të madh për të gjithë presidentët e vendit tuaj të bekuar, vendi juaj në zemrën e kombit tonë është aty ku qëndron miku më i madh i nderit”.
19:33 – Rama për Bill Clinton: Orator i mahnitshëm i botës, përcaktoi historinë e Kosovës e gjithë rajonit
Kryeministri i vendit Edi Rama e ka nisur me emocion të veçantë fjalimin për ish-Presidentin amerikan Bill Clinton. Ai theksoi se Clinton është i njohur si një ndër oratorët më magjepsës të historisë së botës, e se personalisht për të ka shërbyer si një model i veçantë me fjalimet e tij.
Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur dhe kontributin e madh të Bill Clinton në çlirimin e Kosovës duke e cilësuar fjalimin e 24 Marsit të vitit 1999 si një gur përcaktues në historinë e gjithë rajonit.
“Fort i nderuari dhe shumë i dashuri Presidenti Clinton, nuk ka qenë kurrë me e vështirë për mua sesa të përgatitem të flas dhe pastaj dhe të flas, tani këtu duke e ditur se pas meje do ta marrë fjalën një njeri të cilit qysh përpara se sa të hyja në jetën politike ja kam parë, dëgjuar, lexuar fjalimet për shijen e jashtëzakonshme të udhëtimit drejt një bote më të mirë. Në kërkimin e paqes, prosperitetit e dashurisë mes njerëzve ku rruga është vetë qëllimi i të gjitha përpjekjeve e më pas jo vetëm ja kam riparë e rilexuar ato që ka thënë, por edhe studiuar se si i ka thënë, për të mësuar jo vetëm nga përmbajtja, por edhe artin e tij të pashembullt të komunikimit. Duke i admiruar atë që as nuk mësohet dot e as nuk tregohet dot, empatinë magjepsëse që e bën një ndër oratorët më të mahnitshëm që ka njohur historia. Më lejoni t’ja nis si çdo nxënës, që nga shpallja e tij si President, ai predikon fuqinë e drejtësisë te lamtumira në janarin e vitit 2001, ku na këshillon këmbënguljen deri në fund, nga fjala e memorialit në Oklahoma ku na tregon se rruga e pajtimit është e vetmja, te fjala e memorialit të Presidentit Rusvelt ku na ushqen kurajon përballë çdo pengese, te mbështetja e kandidatit kundërshtar në vitin 2008 ku na mëson zotnillëkun dhe solidaritetin e kështu vazhdimisht përmes qindra fjalimesh, njëri më i bukur se tjetri sepse ai bënte atë që thoshte, ai ia rrëmbeu zemrën Amerikës dhe frymëzoi Evropën e botën mbarë!
AI luajti një rol themelor në një botë besimhumbur te ideologjia dhe rrezatoi aq shumë edhe mbi ne këtu në Shqipërinë e vogël sepse ishte një rrugë gjenuine. Metoda Clinton e vendos fokusin te përgjegjësia qytetare sesa te partizanllëku politik. Rruga e drejtë ishte si uji në shkretëtirë dhe sedra nuk më lë mos t’ua them zoti President se sot e gjithë ditën ku një parti e rrugës së tretë vazhdon e qeveris prej vitesh përmes reformash e fitoresh spektakolare. Ai mori vendimin historik për çlirimin e Kosovës dhe çeljen e një epoke të re për këtë lagje të njohur si fuqia e barutit të botës e njohur me emrin Ballkan. Ne e kemi njohur forcën rrëqethëse të fjalës së Clinton në mbrëmjen e 24 marsit të 1999, ai fjalim përveçse një perlë në vetvete është për historinë e Kosovës dhe gjithë rajonin, një gur përcaktues”, u shpreh Rama.
19:10 – Manjola Nallbani këndon për Bill Clinton

“Është një nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që 23 vjet pas krijimit të një kënge dedikuar kontributit të jashtëzakonshëm të SHBA-së dhe personalisht zotit Bill Clinton në pavarësinë e Kosovës, kur u krijua muzika dhe u këndua me gjithë shpirt dhe mirënjohjen e zemrës nga ana ime kurrë nuk do e kishim imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo dhe do t’ia shprehim me një këngë me fjalë zemre, me duartrokitje”, tha ajo.
19:05 – Nis ceremonia për nder të Bill Clinton

Ish-Presidenti i SHBA-së Bill Clinton është pritur me ceremoni të veçantë nga Kryeministri i vendit Edi Rama. Pasi u kënduan himnet e dy shteteve, Clinton u takua me ish-Presidentët e Shqipërisë dhe kabinetin qeveritar.
Në këtë aktivitet mirënjohjeje për Clinton që njihet për kontributin e tij të madh ndaj popullit shqiptar, po marrin pjesë figura shumë të rëndësishme të politikës shqiptare.
Në bulevard është mbledhur një numër i madh qytetarësh të cilët presin me entuziazëm të dëgjojnë ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë.

Foto nga ceremonia që po mbahet në Kryeministri:
Presidenti i 42-të i SHBA-së Bill Clinton i shoqëruar nga delegacioni i tij ka mbërritur në Tiranë sot në orën 15:10 minuta, ndërsa në Rinas kishte dalë për ta pritur vetë Kryeministri.
Për të garantuar sigurinë e tij në vizitën 2-ditore në Tiranë, në terren janë angazhuar rreth 700 efektivë policie.

Burimi/tvklan.al


Leave a Reply