
V:O – Ne foto – Autori i shkrimit
(Zëdhënës i vijës së Partisë në muzikë o i servijuem i veçantë i saj?)
(Gërmime në veprën e akademikut, Prof. Dr. Vasil S. Tole – ‘ÇESK ZADEJA NË MUZIKËN SHQIPTARE’-Jeta dhe vepra- e jo vetëm).
Pjesa e Parë
Figura e Çesk Zadejës, kishte nji vel misteri që të impononte respekt edhe pse nuk ai kurrë nuk krijonte disatancë; përkundrazi ishte edhe i përzemërt.
Përveç interesit me dijtë ma shumë për nji figurë madhore të muzikës sonë, kurreshtja tjetër asht me dijtë se si Zadeja, me atë biografi që kishte, arrijti të bahej ‘factotum’ në muzikën shqiptare – e gati-gati edhe si zadhanës i qendrimit zyrtar për problemet e muzikës. Nga ku i vinte ai autoritet? (Edhe pse vlerën ja njihnim të gjithë).
Vinte rallë në Shkodër, por për Çeskun dihej e flitej. Flitej për veprat e jo vetëm. Edhe diskutohej: ‘Çesku apo Prenka’, si dikur në Itali ‘Verdi apo Vagner’. Madje kishte zane që thonin ‘Çesku kundër Prenkës’!? E pra të gjithë e dinin se Çesku i gjendej në nevojë çdo shkodrani e jo vetëm.
Kurreshtje krijonte edhe dëshira me kuptue se si kishte arrijtë Zadeja ta ruejë krijimtarinë e tij kaq pak të politizueme. Asht fati e squetësia e tij dhe fati yni që e kemi pothuej të plotë atë. Natyrisht ndonjiherë u detyrue të paguej dhe haraçin e metodës së realizmit socialist, por për mënjanimin nga trajtimi i temave të mëdha, ai përdorte ‘mburojen’: Unë jam nip i Dom Ndre Zadejës; si me thanë se nuk i takonte atij, me atë biografi, me shkrue për këte e o atë temë politikisht të randësishme.
Faktet e mbështetuna në nji dokumentacion shumë të pasun, të habisin. Por autori Tole tue shfytëzue mendimin kritik te kohës, zgjedh kryesisht mënyrën ‘korale’ për të nxjerrë konkluzione, madje tue shfrytëzue mendimet edhe të ish nxanësve të Zadejës e kështu, edhe kur jep mendime e kokluzione personale si ‘i barabartë në mes të barabartëve’, ata vijnë natyrshëm, gja që ja shton vlerën vepres dhe shton vemendjen e lexuesit, tue e nxitë edhe atë të japë mendimin e vet. Si do të veprojmë edhe ne.
Por janë tre rreshta që autori Tole i ve në Hyrje, si për të thanë: ‘ju ndigjoj të gjithëve, por këtu nuk los’. Pra, si për të evitue çdo dyshim, autori e fillon librin me këto fjalë:
‘Ky libër i kushtohet Çesk Zadejës, kompozitorit dhe personalitetit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, pa rolin, veprimtarinë e krijimtarinë e të cilit nuk mund të kuptohet muzika profesioniste shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, e më pas.’¹⁾
Libri, si ndërtim, me digresionet e veta, tue trajtue vepra, probleme e ngjarje, -në dukje edhe ‘jo muzikore’- bahet edhe nji histori e muzikës shqiptare, sidomos për gjysën e dytë të shek. XX.
Fenomenin muzikor Zadeja e të tjerë bashkëmoshatarë të tij si Jakova, Daija, Harapi etj. mund ta lindnin vetëm kushtet e favorshme e pjellore shkodrane e shkolla françeskane, me muzikantin e konpozitorin At Martin Gjoka. Ky fakt trajtohet gjanësisht me referenca të pasuna edhe nga ana historike.
Por ajo që analizohet me të drejtë ma shumë nga autori asht përjudha afër Lidhjes së Prizrendit deri tek fillimi i Luftës së Dytë; tue vazhdue dhe pak vite mbas saj.
Natyrisht flitet ma shumë mbi përpjekjet për zhvillimin e muzikës së kultivueme, për përkursorët e shquem Palokë Kurti, Frano Ndoja e Martin Gjoka. Shumë të dhana janë marrë nga ‘Jeta kulturore e Shkodrës’,³⁾ vepër serjoze e muzikologut Tonin Zadeja – studjuesi serjoz e modest, që vëllai i tij ‘i vogël’, Çesku, pa dashtë e la pak në hije.
Por autori Tole asht edhe ‘me fat’ pse ka në dorë – e pjesërisht i citon – dy jetëshkrime të Çesk Zadejës. I pari asht nji fletë e vetme me shkrim dore, që përfundon me fjalinë “në vitin 1949/51 kam punuar pranë Ansamblit Artistik të Ushtrisë”. Të ban përshtypje që Zadeja përdor gjithnji pjesorën toske: ‘lindur, kryer, vazhduar’, ndërsa kur i shkruen R. Alisë më 1963, i shkruen gegnisht… Mos asht ky nji bocet jetëshkrimi a biografie, si ta quejmë, që ja ka kërkue ndonji dashamirës, për të ba që të pranohet me vazhdue studimet jashtë? Tole na ban me kuptue se falë dashamirësisë së Gaqo Avrazit, Çesku arriti të studjonte jashtë. Për historinë e autobiografive të Zadejës, autori Tole, na le të kuptojmë shumë. E pa dashje na shkon mendja tek vepra e rusit Solomon Volkov ‘Stalin e Shostakoviç’ – me nëntitullin ‘Marrëdhania e pazakontë mes diktatorit të egër me muzikantin e madh’.
Shkruen Zaedeja për baban e vet.’që të vogël më merrte me vehte si në provat e shfaqjeve teatrale, ashtu dhe në koncertet që jepte banda. Këto takime padyshim lanë gjurmët e veta të para mbasi aty unë u njoftova me mjaft vepra të autorëve tanë, si Palokë Kurti, Frano Ndoja, Martin Gjoka, etj. Shkollën fillore kam bërë në shkollën ‘Skenderbej’ dhe ate ‘28 Nentor’. Liceun pjesërisht në ‘Illyricum’(Shkolla e Françeskaneve) dhe Liceu i Shtetit. [Ishte koha kur françeskanëve e jo vetëm u mbylleshin shkollat, nga Zogu dhe pushtuesi RP]
Asht me interes fakti që studjuesi Tole, e quen të nevojshëm t’i kushtojë nji kapitull, atë të dytin, rolit të fançeskanëve. Tek ‘Françeskanët dhe muzika e Figura e (At) Martin Gjokës’ studiuesi spjegon si mundi të lindë nji fenomen i tillë si Zadeja dhe tek Gjoka ai sheh fillimin e muzikës profesioniste, por edhe akordin e parë atonal, që spjegon në nji farë mënyre se Gjoka njihte edhe vepra ma të avancueme se ato që shkruente ai vetë, por niveli i ndigjuesit të asaj kohe ja impononte këte thjeshtësi. Në autobiografinë me shkrim dore, Zadeja tregon praktikisht se mësuesi i tij i parë, ‘mjeshtri’, ka qenë Prenkë Jakova. Këte pohim bajnë dhe Tish Daija, Tonin Harapi etj.
Dhe ma vonë do të shkruente: “Prenkë Jakova ishte nji kompozitor që i donte dhe besonte në vlerat e kangës popullore e patriotike. Krijimtaria e tij e deshmon këte. Por ai ishte dhe nji propogandues i flaktë i kangës popullore. Jemi nji brez shokësh që kemi provuar ndikimin e tij për njohjen dhe studimin e këngës popullore. Kompozitori Tish Daija, Simon Gjoni, Tonin Harapi, Tonin Rrota etj, morëm njohuritë e para prej tij në këte drejtim.”⁴⁾
Tue vazhdue studimin e shtratit historik ku u formue Zadeja në Shkodër, studjuesi Tole na jep nji të dhanë që duket si statistikë, por që flet shumë: “Shkodra në vitin 1939 kishte 7 salla shfaqjesh muzikore e teatrore “; e i përmendë të gjitha tue tregue dhe kapacitetet me 350, deri 450 vendesh katër prej tyne.
Tue nënvizue rolin e kompozitorit At Martin Gjoka në formimin e Zadejës, autori Tole citon vetë Zadejën që e quen At Martinin: Një nga figurat më të shquara të traditës muzikore shqiptare; në punën e tij të gjithanshme krijuese, organizuese, dhe drejtuese, ndikoi fuqishëm në përgatitjen dhe edukimin e një brezi të tërë muzikantësh.f.58 Dhe ne citojmë edhe dirigjentin E. Koço (shumë herë i cituem nga Prof. Tole), i cili asht edhe egzekutuesi i parë i Sinfonisë ‘Dy lule mbi vorr të Skanderbegut’: “At Martin Gjoka, mund të thueht me plot zë, është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë që, të gjithë e dimë, kanë qenë në pararojë të artit muzikor shqiptar.”⁵⁾
Në koralitetin e mendimeve, autori Tole i jep za edhe At Zef Pellumbit:
Ai [At M. Gjoka] kishte lanë mbas vetes disa dishepuj të dejë , ndër ta edhe Prenkë Jakova e Çesk Zadeja, të cilët u mbështeten në vlerat e mëdha të muzikës së tij dhe zhvilluen në këte frymë muzikën kombëtare shqiptare, tue krijue ma vonë vepra madhore; por njifen gjithmonë si vepra të daluna nga shkolla e padër Martinit, mjeshtrit të madh të tyne.⁶⁾
(Për lexuesit e fb. Fund i pjesës së parë).
….1)Prof.dr.Tole, Vasil S.: Çesk Zadeja në muzikën shqiptare-Jeta dhe vepra-Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 2022- 724 f. ISBN 978-9951-26-053-
2)Tole V. ‘Muzika dhe letersia’ f. 52, Onufri – 1997.
3)Zadeja, Tonin. Jeta kulturore e Shkodrës( mesi i shek. XIX-mesi i shek XX), Tiranë, 2006.
4)Zadeja Çesk: Nga kanga tek opera, Gazeta Drita, 30 prill 1978. F. 12.
5)Prof.dr. Koço Eno. Shih At Martin Gjoka-24 Pjesë e artikuj mbi vepren e tij, përgatitë nga Prennushi Robert, Botime Françeskane, Shkodër, 2010, f.6
6)At Pëllumbin Zef: Françeskanët e mëdhej, Shkodër 2017, f. 94
Burimi/Facebook


Leave a Reply