E ndërsa Kosova ka qenë dhe vazhdon te jete ne qendër të lajmeve javët e fundit, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, kryeministri Rama ka dhënë qëndrimin e tij ne një interviste për BBC News. Për Ramën tensionet në veri të Kosovës u provokuan fillimisht nga serbët dhe më pas nga autoritetet kosovare.
“ Tabloja e gjerë është shumë më optimiste, pasi Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike. Besoj po ashtu se fakti që marrëveshja është kaq pranë, mbështetur në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, me rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë, i ka dëshpëruar njëfarësoj të dy Mendoj se nuk ka asnjë shans në botë, siç do thoshte dikush… apo siç do thoshte ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, që kjo marrëveshje të mos bëhet. Pyetja e vetme është “kur”. Dje ishim të gjithë udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi, dhe të gjithë kishin bindje të patundur, sidomos Presidenti francez dhe Kancelari gjerman, se të dyja palët dhe Aleksandar Vuçiçi dhe Albin Kurti duhet të ulen njëherë e mirë dhe të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë” tha Rama.
Sipas tij, SHBA dhe BE nuk po i bëjnë presion Kosovës, siç mendon Kurti, por po ndihmon ta çojë atë në tjetër nivel.
“Më vjen keq ta them, por kam saktësisht të njëjtin mendim dhe jo për shkak të ndonjë pozite servilizmi, por sepse kam bindjen se ShBA-ja dhe BE-ja kanë tërësisht të drejtë dhe Albini e ka gabim këtu, sepse nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel, që do të thotë, në një shtet që njihet nga të gjithë, një shtet që mund të zërë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në shumë institucione të tjera, ku mungon” theksoi kryeministri në intervistë.
Rama i tha BBC News se beson që tani është koha për paqe, për normalizim, për të pranuar për t’i dhënë Serbisë atë që i takon me marrëveshje, pra asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe të drejtën që Kisha Ortodokse Serbe të ketë aktivitetin e saj në Kosovë dhe që Serbia të pranojë se Kosovën nuk e ka më, dhe të pranojë njohjen reciproke.
Burimi/Facebook/RTSH Shkodra


Leave a Reply