(Bisedë vëllazërore)
Vëlla, sa shumë prite ti nga unë,
Të bëhesha i madh e me poezitë,
Që kur të zbrisja fshatit përmbi lumë,
Të ngjallja kërshëri, habi e zhurmë;
Të bëhesha i madh e me poezitë,
Të thoshin: vjen filani nga Tirana!
Të prisnin nëpër arat dhe shtëpitë,
Të dilnin nga oborret dhe avllitë;
Të thoshin: vjen filani nga Tirana!
Të zgjatnin kokat gjyshet me ngadalë,
T’i linin moshatarët shata e brana,
Të zbrisnin çunat shpejt e shpejt nga mana!
Të zgjatnin gjyshet kokat me ngadalë,
Ta përqafonin birin e përmalluar:
Të kemi mbajtur prehrit, more djalë,
Hallall të qoftë djepi nga ke dalë!
Ta përqafonin birin përmalluar
Në rrugët ku me shokët shumë brodhi
Me mall në gji e këngë e gaz ngaherë!
Po jo, vëlla, ashtu siç deshe s’ndodhi.
Me mall në gji e këngë e gaz ngaherë!
I tillë eci duke derdhur djersën,
U bë për vendin një poet i ndjerë
Dhe vjershën e lëroi si plot të tjerë.
I tillë eci duke derdhur djersën,
Në poezinë e tij nderimin gjeti,
Këndoi me mall për njerëzit e ndershëm
Dhe s’i braktisi miqtë e tij të hershëm…
Kështu, vëlla, vëllai poet të mbeti.
1977
Burimi/Facebook/Ilir Çumani


Leave a Reply