
(“Përurimin” e fjalorit shqip-suedisht, e bëri në Kalanë e Petrelës)
Nga: MURAT GECAJ
Në verandën e Hotelit 15-katësh…Nga e majta: S.Zendeli e M.Gecaj (prill, 2013)
1.
Natyrshëm, para se të shkruaj për temën, që kam zgjedhur për këtë shkrim të shkurtër, më duhet të sqaroj se kush është ky, Daja, emrin e të cilit e kam shënuar me “shkronja të mëdha”, që në titull? Cilido, që ka shkuar për vizitë në Suedi ose ka lexuar shkrime për veprimtaritë e anëtarëve të bashkësisë shqiptare, në atë vend skandinav, patjetër që është njohur sadopak edhe me emigrantin e parë atje, me emrin Sadulla Zendeli, nga Gostivari. Ky mësues e la pas vendlindjen, për një jetë më të sigurtë dhe më të mirë, këtu e afër 50 vjet më parë dhe u vendos në qytetin Feriestaden, ku jeton edhe sot, familjarisht. Ndër detyrat e para, që i caktoi vetes, ishte hapja e shkollës për vogëlushët shqiptarë, në qytetin e vogël Nibru.
Merret me mend se, në “gjurmët” e Dajës, në Suedi shkuan edhe mjaft shqiptarë të tjerë, nga trojet shqiptare të Ballkanit. Me një shpirt të ndjeshëm, të dhimbshëm e të gjendshëm për të tjerët, me cilësitë më të mira të edukatorit e mësimdhënësit, ai iu ndodh afër dhe u përpoq t’i ndihmonte secilin prej tyre. Këtë gjë e bëri, si për sigurimin e dokumenteve përkatëse, të banimit e punës etj. të bashkatdhetarëve shqiptarë. Prandaj, në shenjë nderimi e respekti të thellë, që nga ajo kohë, atë të gjithë e thërrasin “Dajë”. Por edhe ne, kolegë e miq të tij nga Shqipëria, që na takoi ta vizitojmë Suedinë, vitin e kaluar ose sivjet, arsimtarit veteran të shkollës shqipe në Suedi, shkrimtarit, poetit e studiuesit të palodhur, Sadulla Zendeli, i drejtohemi me po këtë emër të zgjedhur e të dashur, pra “Dajë”.
2.
Na kishte paralajmëruar kolegu e miku ynë, që jeton në Boras të Suedisë, Sokol Demaku, se Daja do të vinte përsëri në Tiranë, në muajin prill të këtij viti. Por ky do ta bënte këtë udhëtim jo thjeshtë si vizitor, po me një detyrë a mision të veçantë. Tashmë, është e njohur se, krahas librave të tjerë, ai ka publikuar dy fjalorë mjaft të vlefshëm, suedisht-shqip. Por, në vazhdim të kësaj pune me rëndësi dhe të dobishme, për prindërit e sidomos fëmijët shqiptarë në Suedi, punoi me ngulm, durim e aftësi profesionale, që të përgatiste një fjalor tjetër, pra atë shqip-suedisht. Meqenëse ishte në fazën përfundimtare dhe në prag të botimit të këtij fjalori, në Tiranë, këto ditë Daja erdhi përsëri këtu.

Nga e majta: Petriti, Daja, Murati e Vironi (Tiranë, 18 prill 2013)
Por, krahas kësaj detyre vetjake, ai nuk mund të mos merrte pjesë edhe në veprimtaritë e kryeqytetit, si dhe të takonte kolegë, miq e të njohur. Pasi më mori në celular, bashkë me Dajën shkuam në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ku Shtëpia Botuese “Toena” po zhvillonte disa veprimtari, me rastin e 20-vjetorit të krijimit. Ndër të tjera, u përuruan një libër i Akademikut Rexhep Qosja dhe një fotoekspozitë, me pamje nga jeta e kësaj shtëpie botuese. Lexues të shumtë, që ndodheshin aty, tërhoqën libra të ndryshëm, të cilët janë venë në qarkullim prej saj.
Një takim i veçantë ishte edhe ai i Dajës, ku isha i pranishëm dhe unë, me shkrimatrin e njohur Viron Kona dhe arsimtarin Petrit Xhaja. Të tre, ne e kishim takuar më parë atë, përzemërsisht, si në Tiranë e Durrës, por dhe në Suedi. Është e natyrshme që, pjesë e bisedave tona, ishin botimet e ndyshme të secilit nga ne, por sidomos puna e madhe e Dajës për përgatitjen dhe botimin e fjalorit voluminoz, shqip-suedisht, me 35 mijë fjalë. Siç shnova më lart,, më parë, ai ka botuar dy falorë të tjerë, suedisht-shqip, me 17.000 fjalë e 28.500 fjalë. Me kënaqësi, ne biseduam edhe për librin e albanologut të njohur suedez dhe mik të shqiptarëve, Ullmar Kvik, “Më shumë heroizma, se sa grurë”. Ai është përkhyer në shqip e botuar në Prishtinë dhe, afër 100 kopje të tij, autori i dërgoi dhuratë, për bibliotekat e njerëz të veçantë, në Shqipëri.
Daja e kishte shumë merak, prandaj do të takohej përsëri këto ditë, si me redaktorin e fjalorit të ri, prof. Xhevat Lloshin, por dhe me punonjës të SHB “Toena”. Ndër të tjera, donte ta shihte vetë edhe se si do të jenë kopertina, faqosja, cilësia e letrës etj. Sigurisht, në bisedat tona, sollëm në kujtesë vizitat tona në Suedi, vëllapritjen shqiptare e mikpritjen suedeze. Folëm edhe për disa autorë të njohur, në bashkësinë shqiptare atje, të cilët kanë botuar libra, me poezi e prozë dhe që janë tubuar në Shoqatën e Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë, “Papa Klementi XI-Albani”, e cila drejtohet nga Hysen Ibrahimi.

Si përherë: Daja, pranë librave të dashur…(Foto: M.Gecaj)
3.
Pas punëve e veprimtarive të ditës, si të Dajës dhe tonave, në mbrëmjen e të premtes bëmë një vizitë e darkuam bashkë, në Kalanë e Petrelës, pra pak larg nga zhurmat e kryeqytetit. Drejtues i mjetit ishte Petriti, ndërsa ne të tre vazhdonim të bisedonim për tema të ndryshme, nga të cilat më e pëlqyera ishte puna për përgatitjen dhe botimin e librave të tjerë. Ndërsa Daja ishte kureshtar të mësonte sa më shumë edhe për historikun e kësaj kalaje të lashtë, ashtu si edhe të kalave tona të shumta, në Shkodër, Lezhë, Krujë, Berat, Tepelenë, Gjirokastër e tjerë.
Tani, kur po e rikujtoj udhëtimin tone, deri në pikën më të lartë të Kalasë së Petrelës, e përfytyroj Dajën që na printe, duke ecur si djalosh, me nxitim. Vështronte me kureshtje në horizont dhe shprehte kënaqësinë për bukuritë e natyrës sonë të lulëzuar pranverore dhe për ajrin e pastër, që sikur na i zgjeronte mushkëritë tona. Ai ngjitej disa hapa, nëpër udhën gjarpëruese dhe ndalej të bënte ndonjë fofografi me ne, që ta kishte kujtim, nga ajo pasdite e këndshme.

Në pikën më të lartë të Kalasë së Petrelës…Nga e djathta: Vironi, Daja, Petriti e Murati (19 prill 2013)
Pasi pimë kafe e lëngje të freskëta në një lokal, nga shihnim deri larg në horizont, nisëm zbritjen, që sigurisht ishte më e lehtë për ne. Qendrimi për një kohë së bashku, në një lokal tjetër të bukur dhe plot gjelbërim, bëri që ne të çlodhëshim. Aty kujtuam kolegë e miq tanë dhe çuam dolli për ta. Daja i nisi mesazh nga ne, bashkë një fotografi tonën, Sokol Demakut, në Boras të Suedisë. Por dhe morëm falëmeshendete për Dajën, nga bashkëshortet tona, me të cilat u lidhëm në celular, gjatë asaj kohe.
Mbrëmja e vonë na gjeti në kryeqytet dhe hymë kështu në jetën e zhurmëshme të tij, pasi së bashku kishim kaluar disa orë të paharruara, në Kalanë e Petrelës dhe në afërsi të saj.
4.
Nesër në mëngjes, si përherë, Daja do të shkojë, nga Tirana, për në vendlindje, në Sërmovë të Gostivarit. Ai e ndjen veten mjaft të kënaqur, pasi Fjalori i tij mori udhën e shtypit dhe i ngjan se “përurimin” e bëri në Kalanës shekullore të Petrelës. “Dua të rishoh çdo gjë atje e të çmallem me të gjithë,-thotë ai me ngazëllim, kur na flet për udhëtimin e tij.-Do të takoj familjarë e të afërm dhe pastaj do të vazhdoj për në Prishtinë e në Suedi”.
Daja ka me vete edhe një çantë me libra, të cilat i ka marrë në Tiranë. Se bota e pasur dhe magjike e librit e ka rrëmbyer e bërë për vete, që në moshë të re dhe nuk i ndahet asnjëherë, gjatë tërë jetës. Ai na foli këto ditë për plane të reja botimesh, ndër të tjera edhe për një album, me ngjyra dhe me shumë fotografi. “Ato janë jeta e gjallë e njeriut, prandaj të gjitha i kam sistemuar dhe i ruaj me shumë kujdes”-shprehet Daja.
Për Sadulla Zendelin-Dajën janë botuar mjaft shkrime, në gazeta e revista dhe në faqe të ndryshme Interneti. Atij i ka kushtuar një poemë të veçantë, bashkatdhetari Nehat Jahiu. Ndërsa kolegu e miku, Sokol Demaku botoi kohët e fundit një libër të tërë, kushtuar jetës e veprimtarisë së këtij atdhetari, krijuesi e studiuesi të njohur. Por, padyshim, ai meriton përsëri e përsëri të shkruhet për të.
Ndërsa ne, kolegë, miq e të njohur të shumtë të Dajës, urojmë nga zemra që, si deri tani, të ketë shëndet të plotë, gjallëri e frytshmëri në krijimtari dhe gëzime e lumturi, në familjen e tij të nderuar! Sigurisht, së shpejti, ai do të rikthehet në kryeqytetin tonë, me të cilin është i lidhur shumë ngusht dhe e quan, me nostalgji, “dheu-amë”.
Tiranë, 20 prill 2013
Nga revista “Dituria” Suedi
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply