Zakonisht Ismail Kadarenë e kritikojnë se është shkrimtari që u bë i njohur në botë nga vetë diktatori Enver Hoxha. Sigurisht, me të drejtë, pasi as që mund të konceptohej në kohën e Diktaturës të mbërrinin librat e tij pa leje të veçantë në Francë, që u bë kështu edhe vendi i parë i njohjes së zgjeruar. E kritikojnë gjithashtu dhe për poezinë admiruese që i drejtonte Stalinit, Qenit të Kufirit apo për vetë thirrjen me vargje që i drejtonte Diktatorit, për të vrarë akoma më shumë shqiptarë, te e ashtuquajtura poemë e famshme “Pashallarët e kuq”. Sigurisht shkrime të kësaj natyre perverse, të pakonceptuara në botën e Artit të Vërtetë, kur burgjet e vrasjet gjëmonin, janë të panumërta, por problemi nuk është fare këtu.
Të them të drejtën, unë tani kam filluar të lexoj librat e Kadaresë. Para njëzetë ditësh publikova te faqja ime në Fb. një shkrim të shkurtër për librin e tij për Eskilin, dhe u befasova. Thashë me vete si është e mundur të shkruajë një shkrimtar i dëgjuar në botë pa pasur idenë e gjërave! Dhe si për çudi, tani që porsa mbarova së lexuari librin: “Kush e solli Doruntinën”, kjo bindje mu thellua akoma më shumë. Së shpejti, njësoj siç veprova me Eskilin, me argumente të thjeshtuara, por me kuptim të thellë për vetë cilësinë e jetës së shoqërisë, të njëjtën gjë do të bëj edhe për Konstandinin e Doruntinën.
Mund të lindë pyetja se përse e bëj një gjë të tillë. E bëj sepse e shikoj tragjike jo vetëm gjendjen e shoqërisë pa rrugëdalje, por edhe vetë mendimin intelektual shqiptar me njohuri vetëm të materializmit dialektik, pa pasur idenë e gjërave që ndryshuan botën. Prova është fare e thjeshtë. Mjafton të shkruash në Google fjalët “Rilindje Shpirtërore”dhe rezulton një Asgjë e madhe, e bukur. TURP PËR FAQE TË ZEZË për mendimin filozofik, akademik, profesorë, doktorë, shkrimtarë, me tituj në erë, pa pik kuptimi për të ndikuar në ndryshimin e shoqërisë. Pasi vetëm në një kulturë e qytetërim jashtë Kohës e Historisë, si në Shqipëri, jashtë Kohës Universale të Qytetërimit Perëndimor, mund të shkruhen gjëra që nuk kanë si objektiv ndryshimin e njeriut. Pikërisht për këtë do të merrem edhe me Kadarenë.
Në kohën kur filluan ndryshimet humane në Evropë, individë me kuotë inteligjence më të lartë në botë, iu drejtuan vetë Zotit në qiell për ta korrigjuar. Kështu doli Evropa nga Mesjeta. Jo me dokrra shkrimtarësh e poetësh që nuk kanë idenë e gjërave, të cilët gjatë gjysmë shekulli Diktaturë kthyen Kohën e Shoqërisë shekuj të tërë pas. Pikërisht këtë vuan shoqëria sot.
Në mënyrë analoge me sa ndodhi në agimin e Rilindjes Evropiane, ku u thirr vetë Zoti të zbriste në tokë, jo vetëm për Kadarenë, por për këdo tjetër në vendin e tij, duhet të mendoj për sytë e bukur të një padituri, që nuk sjell asgjë me aromë nga bota e ndriçuar e Dantes, Shekspirit, Gëtes, Hygoit, e deri te shkrimtari më i fundit perëndimor, që ndryshuan Njeriun, apo të lë shoqërinë shqiptare në Kohën e saj tmerrësisht të mbyllur nga vëllavrasja gjysmë shekullore, e shfaqur sot me përçarje e armiqësi shekullore! Pikërisht kjo është çështja. Disa ditë më pas, kur të shkruaj për Doruntinën do të habiteni se për çfarë gjëra pa kurrfarë lidhje ka shkruar Kadareja, të mbuluara nga errësira më e thellë.
Pikërisht këtë lloj errësire mendimi, shkrimtarët e poetët seriozë në Shqipëri duhet të shpërndajnë për të mundur të mendohet për një të ardhme ndryshe nga e sotshmja. Pasi nga Asgjëja nuk lind veçse Asgjëja.
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply