Kujtime:
NJERIU QË NUK E GËZOI VEPRËN E TIJ UNIVERSALE
E kam njohur këtë njeri, sa të thjeshtë po aq edhe të jashtzakonshëm që sot nuk është më, për ta gëzuar kryeveprën që e bëri me shum mundim e me krahët “që i fali Perëndia”! Ai qe nga një fshat i ngritur mbi një shkëmb gjigand, si të ishte kështjellë mbi dhe e në afërsi të kupës qiellore, rrëzë malit të thepisur Gjivlashi e buzë rrëpirave nga ana e detit që mban emrrin “Buza e Burave”, nga ku ishte hedhur një vajzë e dashuruar për një burr që nuk pranonte t’ia jepte familja! Aty edhe kishte lindur më 1957-ën e hedhur shtat. Me erërat e furrishme të dimërit, me flladin që frynte nga deti përkarshi e posht atij “Saçi Diellor” që përvëlonte beharit të gjatë.Duke bërë çdo punë “që i zinte syri”, që nga pendari i qeve e deri llaçbërësi i ndërtimeve, që nga hidrauliku deri tek saldatori i hekurave, që nga hapësi i puseve të thella të ujit e gjer te “fabrikuesi” i punishteve primitive të vajit, me cfiridhe e presa që i sajonte po vet me mjeshtëri e zotësi të rrallë. Dhe kur i plasi buza në punët e papaguara të kooperativës bujqësore, do të merrte “udhët e botës” një ditë prej dite, edhe ai, bashkë me ikanakët që sajoi Diktatura e Egër. E andejë nga kishte vajtur, në Greqi, pasi kishte shpëtuar edhe nga plumbat rafishat të 1997-ës, në atë vënd mikpritës të turmave të mëdha të njerëzve të raskapitur , ku i kishte shkelur këmba Homerit të verbër që i ngriti këngë të pavdekshme “Ikanakut”Grek ULISE, Odiseut që lundroi Egjeut Plakë për të gjetur lumturinë, i shkeli këmba edhe personazhit tonë Qeparotas, në ishujt e pafund të saj, duke ndërtuar lloj-lloj pishinash, thujse në të githë këta ishuj Homerik. Gjersa i’u thinjën leshërat, si usta e specialist pishinash dhe stabilizohet përfundimisht në Volo, ku edhe do hap Eterin e tij, të legalizuar me liçens e të njohur me inicialet: “N.Q. Mjeshtër Pishinash. VOLO”.

Ky pra ishte NIKO QESARI nga Qeparoi i Himarës, që i’u përdrodhëm muskujt nëpër hekura e sulina uji e sytë i’u bënë gjak të kuq nga saldimet e shumta…E që do të kthehej paskëtaj si afendiko, diku në fushën me ullishte e agrume poshtë këtij shkëmbi të Gjivlashit, në afërsi të Manastirit të Shën Mitrit (në atë kodrinë të butë e të fshehur midis qiparizave e pemëve shekullore)…për të ringritur jetën e tij , nga e para dhe që ,-i ziu njeri,-nuk do ta gëzonte dot e do ta shëmbte përdhe, ai i mallëkuari e i ashtuquajturi “Covidi 19”…E qe pikërisht koha e realizimit të një mrekullie mbi dhe, të një resursi turistik, me mëndjen e duart e tij të arta. Të Niko Qesarin nga Qeparoi,-të një njeriu punëtor e zëmërbardhë, mga më fisnikët e rrallë që kam njohur!
E veja e këtij “Artisti për Gjithçka”që e përjetoi këtë mënxyrë, rrëfen:” Më iku im shoq që,- sikundër thonë , e solli detin në shtëpinë e tij…I fortë edhe ai si hekuri që merrej me të…që nuk besonte tek e keqja që përgjonte…që qeshte me ata që bënin vaksina kundra Covidit…Dhe që i donte njerëzit që e rrethonin më tepër se edhe nga veten…Edhe të tijët, edhe të panjohurit, edhe të huajt i donte po njëllojë..Sido që të ishin ata..Përpiqej gjithmonë t’i shihte e t’i ndihmonte, para se të mbaronte jeta e tyre…Ç’të thuash për Kolën tim!? Një mbrëmje më solli atje lartë, dy italian të mjeruar, që i gjeti në anë të detit, një i bardhë e një i zi…Ndize zjarrin më tha e bëju makarona të hanë se janë të urritur e pastaj vuri gjekundi për të fjetur, se janë të lodhur të gjorët…Ndize edhe një kandile me vaj e vurua pranë kokës që ta shonë edhe ata se kanë të bëjnë me njerrëz të mirë këtu tek ne… Hëngrën si të lamaksur e fjetën menjëherë, në një qoshe të konakut ku u shtrova një çëkorsë të vjetër po të pastër…Ata nuk kishin asgje me vete….Plaçkat ua kishin vjedhur kur dremisnin anës detit të lodhur… Kushedi se sa kishin ecur me këmbë më tha Kola e kushedi sa kohë pa vënë gjë në gojë…Se njerëz janë edhe këta!…Mirëpo , pas disa vjetësh, na errdhën tek dera 12 italianë të tjerë e kërkonin “Hotel Mimozën”(?!), pa patur kurfarë hoteli! E mora vesh, me mëndjen time, si qe puna ..Ata dy italianët e parë nuk na i kishin harruar mikëpritjen bujare të asaj nate! Prandaja u’a ndreqa fjetjen mbi pllakat prej guri të oborrit, pasi u vura të hanin përsëri makarona, nga ato që i pata bërë vetë e që ata i pëlqyen aq shumë, sa lëpinë edhe gishtrinjtë. Po një mëndje ndryshe, sikur më thoshte se i kishte sjellur këtu tek ne, kunati i Kolës, regjisori Fehmi Hoshafi, për ndonje film, por jo, tha Kola, i kemi miqë prej atyre të dy fukarenjëve që i kishin “rrjepur” anës detit…Se e mira nuk harrohet, edhe kur hidhet nëpër dete! Nuk kaloi edhe shumë kohë tjetër dhe Kola e solli ujët e pijshëm që nga Borshi në Qeparo me disa prej tyre, kur na qe tharë buza ndër shekuj”!
Dhe vjen një ditë kur i gjithë fshati zbret afër detit. Ishte e pabesueshme për këdo, kjo “shpërngulje”, kur errdhi edhe “prishja!”…Se, atje lartë,-në afërsi të ZEUSIT qe vendosur i gjithë fshati i hershëm në shekuj, -si i fortifikuar,-po edhe këtu poshtë, në fushë, ku kishte zbritur thuajse i gjithi, për të qënur në afërsi të Mbretit Det,-sikundër thonë. Kishin mbetur vetëm bunkerët, nga frika e atyre të “përteja detit”!Atje ku vajti Kola me Mozën, për të sajuar “çerdhen” e tyre të re, qe dikur një stallë derrash e qelbej vëndi, në lagjen “Kovaç”, nga niste rruga e vjetër për në Vlorë. Ishte një vënd pa ngjarje e pa histori që kishte mbi krye një Manastir me pesë murgjër që e ngrysnin jetën në vetmin e tyre. Mirëpo,ky njeri i zoti, i drejtë,i ndershëm e i papërtuar, i del ZOT VETVETES, po edhe bashkëfshataëve të tij që meroheshin herë atje lart,afer qiellit e here këtu pushtë, ku kishin e s’kishin pronat e tyre të shpërbëra “për djall”,kur u tha se “shteti tani është i të gjithëve” dhe kur realisht, nuk ishte i askujt! Fshatarët e Qeparoit, qysh atëhere, para se të shpërbëhej edhe i gjithë vëndi, e patën zgjedhur Niko Qesarin si Kryepakun e tyre,për të vendosur drejtësi edhe kur doli ai ligji konfuz 7501 për ndarjen e tokës. Ish Kryeplaku do të merrej me këtë punë të vështirë si brënda një “rrjeti merimangash” pesë vjet të tëra, ditën e natën, me komisjone pas komisjonesh , me “ece-jake”, mbledhje e kuvënde për rregull e drejtësi, duke trokitur edhe te Kryministri Meksi kur “litari i shtrrëngohej për fyti”, gjersa t’u jepte edhe tapiat bashkëfshaterve të tij , kur ata te Himarës, Dhërmiut , Borshit , Piqerasit e më tejë akoma, ende nuk i kanë marrë e disa syresh vrriten nëpër gardhet e njëhershme. Nikua mbeti për vete, tek stalla e derrave, poshtë manastirit , ku ngriti fillimisht një magazinë me hekurishte e ta krrente ditën e tij të punës si saldator që ishte. Sa e pati edhe jetën, fare të shkurtër, duke e transformuar këtë ultësirë, si moçalishte, në një sajesë banimi, bashkë me familjen e tij të re, që afronte me kompleksin turistik përbri ullishtes, me shtëpi për vete e për fëmijët, me hotelin dhe pishinën e bukur, bashkë me mjedisin e atmosferën magjepsëse të një mjedisi shlodhësh, pranë natyrës e Zotave, rrethuar nga qetësia e cicërima e zogjëve të malit e të fushës, ku nuk të bezdiste më as vetmia e as zhurma e bisedave boshe televizive. Veçmas pllaquritjeve e valëzimeve të ujit të pishinës e të ndonjë borie makine të rrallë që vente e vinte nga Kudhësi a Piluri,atje tejë, majëmalit, ku dergjen edhe atje pleqtë e plakat e fundit, që kanë mbetur akoma prej ikanakëve, “fluturuar” nëpër botën e gjërë, largë telasheve, zhurmave e streseve të pambaruara të këtyre anëve, -ku mbërriti më në fund edhe “KORONAVAVIRUSI” nga Kina e largët të na marri edhe njeriun më të mirë, Kryeplakun e Qeparoit NIKO QESARI…
Dikur, në këtë rrugë nën ullinjë, ai kishte parë një vajzë kudhësiote që vinte në Qeparo me shoqet e saj dhe ishte dashuruar me të..Me Mimozën e bukur. E kishte veçuar nga shoqet dhe i kishte propozar ta merrte për grua. Ajo ishte skuqur e tëra dhe nuk kishte folur, por shënja u dha që Niko Qesari, djali trim i Qeparoit të bënte me të një fejesë, si të ishte dasmë e vërtetë, atje lartë mbi shkëmbin gjigand, ku pata fatin të isha edhe unë i ftuar e i gëzuar. Fejesa u bë në shtëpinë e Qesare dhe pas katër muajve do të martohej me Mimoza Kushta Kudhesioten, me të cilën do të kishte edhe dy fëmijë të mbarë: Mihalin në Athine dhe Marien në Londër, ku edha ata, si “zogjtë shtegëtarë” kanë bërë “fletë e tyre”. Në shtëpinë e Qeparoit lartë, kishte edhe edhe një obor të madh të kësaj vëllezërie, me dyer të mbyllura aty, që,-sikundër do ta mësoja, njera prej tyre ishte e dy vëllezërve Andon e Vasil Qesari që ishin shokë të mi të “udhës së arteve”, pak më tejë edhe të Savajve, ku kishte ardhur në jetë Piro Sava, shoku im i klasës në Shkollen e Lartë të aktrimit. Dhe disa vite më pastajë , kur do t’i jepnim lamtumirën e fundit nënës së Niko Qesarit, atje në Varrezat e Lekëkonde të fshatit, unë do të kërkoja ku ishte mbulur edhe më i ndritëshmi humanist i Qeparoit Janko Pali,-mësuesi poliglot, kulturologu e patrioti më i thekur i këtyre anëve, ati i shokut të mi të fëmijërisë Lono Pali që vinte ngahera në shtëpinë e Qesare të Piqerase, te halla e tij ,Vitua e Vode, nga ku qe martuar rishtazi i ati ,me të motrën e saj, Gitën e Vode, që të dyja vajza të Detarit trim Piqerasiot Leonidha Voda…Vite të tjera më vonë, do të njihesha edhe me djalin tjetër të Jankos, Petraqin, me të cilin do më lidhte miqësia dhe e njëjta dashuri për librat..Ndërsa me Niko Qesarin do me “lidhte” përjetësisht një lloj dashurie tjetër, ca më e madhe dhe e shënjtëruar, zbulimi i shpirtit njerëzor, që hapet “katrash” për njerëzit e rallë mbi dhe e mbeten të shënjtëruar edhe nënë dhe. Se edhe kur dola nga hekurat e burgut e nuk e pata një shtëpi ku të fusja kokën, qe pikërisht po ky shok e mik i vërtetë që më thoshte:”Eja në Qeparo e bëje një shtëpi, atje në brinjën e malit, mbi buzën e detit, në hyrje të Qeparoit , nga toka ime, që të të shohë Perëndia e të jetosh i qetë , o derëbardhi im! Që edhe atje, në Koropi ku vajte, afër Athinës, desh të morri përroi (sa doli nga shtrati!), me gjithë atë barangën me rrota, ku banoje e ku errdha edhe unë me Mozën bashkë, për t’ua ndrequr atë karakatinë ku përfundove , a ditëzi!”. Si një afrim e bekim dashurie që nuk ma kishte bërë ende në fshatin tim askush, pale edhe nga ai Ligji i tmerrshëm që nuk i njihte fare ata që ishin larguar me punë a pa punë, qoftë edhe të mërguarit nga halli, si edhe të syrgjynosurit burgjeve, kur “e keqia të zë këmbët”! Këtë mund ta bënte vetëm një NIKO QESARI që nuk e la Perëndia të rrojë, as për ta gëzuar sado pak familjen e kryeveprën e tij universale!
Piqeras, më 28 gusht 2022
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply