Një lajm i tillë sigurisht që të trondit, të bën të mendosh, të reflektosh. Për fat të mirë, ndërmarrja ku punoj, për të dytin vit radhazi më ka dhënë mundësinë që të zgjedh vetë periudhën e lejes vjetore. Zgjodha dy javë në korrik dhe një javë në muajin gusht. Për arsye të ndryshme familjare nuk shkova në Atdhe, por mendova që të shkoja në plazh bashkë me gruan. Ashtu bëmë. Zgjodhëm Rivierën e Adriatikut, qytetin e Riminit. Prenotuam për dy javë një hotel ku i përfshinte të gjitha shërbimet; tre vakte ngrënie dhe çadrën me dy shezlongje. (ka hotele që nuk t’i sigurojnë tre vakte, por vetëm mëngjesin dhe nuk të sigurojnë çadrën me shezlong, por duhet ta paguash vetë tek pronari i plazhit në vendin që zgjedh, ose nëse nuk dëshiron çadër dhe shezlong mund të shkosh në plazhin publik. Sigurisht, në atë zonë plazhet publike janë të pakta, por janë) Pagesën duhej ta bënim në fund të qëndrimit dhe jo në paradhënie.Dje jemi kthyer. Kaluam pushime të qeta në një plazh të përkryer përsa i përket rregullit, qetësisë, pastërtisë dhe organizimit të tij në të gjitha aspektet; banjot, dushet, lodrat për fëmijë dhe për të rritur.
Nuk na pa askush “vëngër” apo të na drejtonin pyetjen e frikshme “Çfarë ke, pse shikon?”, por fqinji i çadrës të përshëndeste me një “mirmëngjes dhe mirupafshim” në italisht, polonisht, çekisht, rusisht, anglisht apo frëngjisht. Në mëngjes, merrnim me vete një çantë sportive ku brenda saj fusnim peshqirët, libra për të lexuar, letra bixhozi dhe lojën “mos u nxeh”. Gjatë kohës kur shkonim për të ngrënë drekën, çantën e lenim aty, po ashtu vepronin edhe një pjesë e mirë e pushuesve. Ashtu si e lenim çadrën, po ashtu e gjenim. Askush nuk trazoi .
Mirëpo, kur dëgjon lajme të tilla, vetvetiu thua me vete: “Bëra mirë që nuk shkova” edhe pse dëshira është e madhe. Përse duhet ta shpenzoj një sasi të madhe parash kur mund të rrezikoj deri edhe jetën për një palë pushime qejfi? Përse duhet t’ia jap mundin dhe djersën time një personi që nuk më shërben si duhet, që më nervozon me muzikën e lartë, me papastërtinë që gjej në rërë, apo me ndonjë mangësi tjetër? Përse duhet të rrezikoj një sherr banal për një vështrim të paqëllimshëm, por varet sesi e interpreton apo e merr ai apo ajo të cilit i ke hedhur vështrimin? Përse të ta jap ty kur nuk e meriton? Për patriorizëm? Kurrsesi! Tek e fundit mendoj edhe këtë; kam më shumë se një çerek shekulli në një vend të huaj i cili më ka pritur mirë, më trajton njëlloj me qytetarin e tij, më siguron të ardhme pavarësisht se cilin krah politik votoj. Përse të mos ia jap vendit të cilit i paguaj taksa e më siguron shërbimet spitalore pa futur dorën në xhep? Atëhere, përse të mos ia jap atë lek atij që e meriton? Hallall ta kesh kur e meriton!
Veç kësaj, ky pushim më dha dhe një kënaqësi tjetër, më mundësoi takimin pas shumë vitesh me Mit Hebën, shokun e shkollës së mesme. U takuam disa herë dhe bashkë me gratë darkuam në një restorant.
Të gjithëve, ju uroj të kaloni pushime të mbara, të qeta e çlodhëse!
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply