Aleksandër Moisiu, u lind më 2 prill të vitit 1879 në Trieste dhe vdiq në moshën 56 vjeçare, më 22 mars të vitit 1935 në Vjenë.
Ai e mori me vete unazën më të famshme të gjermanëve, që kishte për emblemë portretin e gdhendur të një burri me vështrim të thellë dhe mbahej e rrethuar nga diamante. Ishte unaza e Iflandit, një aktori monumental që kishte vdekur 120 vite më parë, por që unazën e tij e trashëgonin të tjerë aktorë, të cilët duhet të ishin gjermanë dhe po aq të magjishëm sa ai vetë në rolet skenike. Dhe ishte fort domethënëse që Albert Baserman, një tjetër aktor i jashtëzakonshëm, ta hiqte nga gishti i tij trofenë e madhe të jetës, dhe ta linte mbi gjoksin pa jetë të një aktori që sapo kishte vdekur dhe që nuk i përkiste botës gjermanike: … ty të përket unaza e Ifland-it…
…Mjafton të dëgjosh monologu e Faustit, shkruar nga Gëte e interpretuar prej tij – në vetëm në një apo dy minuta të regjistruara në një pllakë gramafoni, – dhe nuk duhet shumë për të kuptuar, madhështinë e aktrimit. Është një zë i thellë, timbrues, e fort rrëqethës, që duket sikur vjen nga një botë tjetër. Nuk dihet se si do të ishte në shqip e njëjta gjë, veç në gjuhën e ashpër gjermanike duket sikur gurgullon.
Është zëri i Aleksandër Moisiut.
Çfarë ishte Aleksandër Moisiu, shqiptar, italian apo gjerman?
Në Gjermani ai shkoi në moshë relativisht të madhe dhe pasaporta nuk e bënte dot gjerman. Çështtë e vërteta në Luftën e Parë Botërore ai luftoi në front për Gjermaninë, si një aviator. Dhe për merita të veçanta iu akordua dhe Kryqi i Artë. Por për shkak të ardhjes së fuqi të nazizmit, Aleksandër Moisi do ta braktiste Gjermaninë për t’u zhvendosur në Austri. E veç kësaj, gjermanët shpesh e cilësonin si hebre, për shkak të mbiemrit “Moisi”, të cilin e lidhnin me emrin e Profetit hebraik. Kur në fakt familja Moisi ishte e krishterë dhe i përkiste besimit ortodoks. Por kishte lindur në një provincë italiane. Edhe pse pas vdekjes arkivoli u mbulua me flamurin trengjyrësh të Italisë dhe në gurëvarrin e tij shkruhet “Alessandro Moissi”, nuk e bën atë aspak italian. Sepse dokumentet arkivorë tregojnë se ai është djali i #Moisi_Moisiut, apo #Konstandin_Moisiut nga Kavaja, i cili ishte martuar me arbëreshen #Amalia_De_Rada.
Dhe kaq për origjinën e një njeriu që nuk e mohoi kurrë se ishte shqiptar. E madje për këtë kërkoi pranë autoritetete të shtetit shqiptar që të paisej me një pasaportë shqiptare.
Nga kritika e kohës #Aleksandër_Moisiu cilësohej si një aktor universal, ku repertori i tij i interpretimeve përfshin një univers të tërë të dramaturgjisë evropiane nga tragjeditë antike të Greqisë deri te shkrimtarët modernë të shekullit XX.
Prej vitit 1910 e deri në vitin 1935 Aleksandër Moisi mori pjesë në 14 produksione filmash, pjesa më e madhe e të cilëve ishin filma pa zë.
Ishte në kulmin e prodhimtarisë e të gjenialitetit të tij skenik, por një e ftohur e thellë do të përshkallëzohej aq sa nga bota e të gjallëve do ta ndante.
Lajmi për vdekjen e aktorit qarkulloi në faqet e para të të gjitha gazetat prestigjioze të Evropës. Pas vdekjes së tij do të flisnin për të emra të shquar të letërsisë botërore si Franc Kafka, Luigji Pirandelo e Stefan Cvajk.
E megjithëse ka lënë pak gjëra të cilat mund të ndiqen e të shijohen edhe në ditët e sotme, emri i Aleksandër Moisiut tanimë është kthyer në një mit të skenës botërore të teatrit.
Shkrimi nga : Leonard Veizi






Burimi/Facebook/Albanian Historical Society


Leave a Reply