SHBA/ Një rrugë, në një prej lagjeve me përqendrimin më të madh të komunitetit shqiptaro-amerikan, Bronx, emërtohet me emrin “Fan Noli”. Një nderim i jashtëzakonshëm për Fan Nolin, një prej figurave më të larta kombëtare dhe veçanërisht të diasporës shqiptare. Një ndër personalitetet më të shquara të kombit, kontribues në të gjitha segmentet e jetës kombëtare, politike, diplomatike, krijuese e fetare. Gjithë jeta dhe vepra e tij shumëdimensionale ndikoi fort në fushën e letrave, kulturës, diplomacisë dhe historisë sonë kombëtare.
Ky aktivitet u organizua nga z. Mark Gjonaj, drejtues i komunitetit shqiptar dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Diasporës, dhe nga “VATRA”, ndërsa përshëndetën një numër drejtuesish të lartë politikë të qytetit, ndërmjet të cilëve dhe senatori Chuck Schumer. ambasadorja Floreta Luli-Faber në fjalën e saj theksoi se: “Fan Noli njihet si kontribues i themelimit të disa institucioneve të diasporës shqiptare në SHBA, themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, bashkëthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe drejtues i gazetës “Dielli”. Ai ishte një nga zërat e fuqishëm për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, kryeministër i vendit, një qytetar me shpirt të lirë, demokrat dhe patriot.
Fan Noli lindi dhe vdiq jashtë Shqipërisë, por jetën e tij Ia dedikoi vetëm atdheut të tij dhe për këtë kombi ynë është shumë mirënjohës jetës dhe veprës së tij. Fan Noli është një nga shembujt më të mirë të kontributit të diasporës shqiptare në çështjen kombëtare, në demokratizimin e jetës shqiptare dhe në ndërtimin dhe rritjen e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ceremonia për t’i dhënë një prej rrugëve emrin e tij, u organizua pikërisht në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, për të cilat ai kontribuoi kaq shumë. Rruga “Fan Noli” në Nju Jork do të jetë edhe një busull për brezat e rinj, për t’i orientuar ata në dhënien e kontributit të tyre në fuqizimin e Shqipërisë dhe të çështjes shqiptare.”
https://www.facebook.com/albanianembassyusa/posts/5354752781253103
Burimi/Qendra e Botimeve për Diasporën


Leave a Reply