Në mbledhjen e shoqatës “Besëlidhja”, Rovereto
Dje pasdite në sallën e bukur që ka vënë komuna e Roveretos në shërbim të shoqatës “Besëlidhja” u zhvillua mbledhja e asamblesë së kësaj shoqate. Merrnin pjesë drejtues, anëtarë e simpatizantë të kësaj shoqate. Asambleja është forumi më i rëndësishëm i shoqatës, ndaj edhe vëmendja e pjesëmarrësve ishte e madhe.
Në fillim, presidenti i shoqatës, Miltiadh Ziu paraqiti raportin mbi aktivitetin e shoqatës “Besëlidhja”. Ai theksoi se, pavarësisht kushteve të vështira e kufizimeve të mëdha të krijuara për shkak të pandemisë së Covid19, shoqata ka bërë përpjekje që të respektojë e të realizojë programin e aktiviteteve të parashikuara dhe të ndjekë rregullisht kalendarin e zhvillimit të tyre. Kështu, janë zhvilluar aktivitete për Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ai kushtuar grave e vajzave me rastin e 8 Marsit, vendosja e tufave me lule tek Campana dei Caduti (ose Këmbana e Paqes) pranë së cilës ngrihet edhe flamuri kombëtar shqiptar, aktivitete për Pavarësinë Kombëtare e Çlirimin e Atdheut, mbledhja e ndihmave për familjet shqiptare të dëmtuara nga tërmeti, gazeboja në qendër të qytetit për propagandimin e vlerave historike e kostumeve tona kombëtare e shumë të tjera. U theksua që është e nevojshme një tërheqje më e gjerë e komunitetit shqiptar në Rovereto, për t’i bërë sa më masive aktivitetet e veprimtarinë e shoqatës. U parashtrua edhe programi i aktiviteteve për vitin në vazhdim. Një vend i veçantë iu kushtua aktivitetit të pandërprerë të shkollës shqipe dhe të mësueseve të palodhura Dila Rrapi e Jonilda Dervishaj
Si nga raporti, ashtu edhe nga diskutimet e shumë pjesëmarrësve si anëtari i këshillit të komunës, Fatjon Mulliçi, anëtarit e aktivistit veteran të shoqatës Muke Xhakolli, ish-kryetari i shoqates Osman Parruca, poetes Rudina Beja Muharremi, aktivistes e këngëtares Gentjana Abazaj, anëtarit të palodhur të shoqatës Arben Gjikolaj e të tjerë u theksua që duhet hedhur vështrimi drejt objektivave të reja, që shoqata “Besëlidhja” të bëhet gjithnjë e më tepër një faktor i rëndësishëm bashkimi e ndihme për komunitetin shqiptar në Rovereto. Shoqata është një anëtare aktive e Federatës FNAI dhe ka dhënë gjithnjë kontributin e saj në gjirin e kësaj federate. I rëndësishëm është afrimi e aktivizimi i sa më shumë intelektualëve, si dhe i imprenditorëve që luajnë një rol të rëndësishëm në rrjetin shoqëror e ekonomik të komunës së Roveretës e atyre përreth. U fol edhe për realizimin e iniciativës që kemi marrë sëbashku me aktivisten e palodhur Nereida Xhakolli për të krijuar një fond me libra nga autorë shqiptarë në bibliotekën e qytetit të Roveretos, për ndihmën në favor të ngritjes së obeliskut të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu në qytetin e Trentos (iniciativë dhe projekt në realizim i shoqatës “Teuta”) etj.
Ngritja cilësore e aktiviteteve, futja e ideve të reja për veprimtari të reja e më tërheqëse do të bëjë që gjithnjë e më shumë anëtarë të komunitetit shqiptar të jenë pranë shoqatës e aktivë në jetën e saj.
Në mbledhje merrnin pjesë e folën edhe specialiste si avokatja Irisa Kulja që vinte nga Trento dhe Aida Halilaj, përgjegjëse e qendrës së asistencës fiskale dhe e agjencisë “Shqiponjat” në Rovereto. Janë specialiste që kanë mbaruar studimet e larta me rezultate shumë të mira në Itali dhe janë gati të japin ndihmën e tyre ndaj emigrantëve
Në fund u bënë edhe zgjedhjet për këshillin e ri drejtues të shoqatës. Duke patur parasysh fluksin e regjistrimeve të reja në shoqatë, asamblea vendosi që numuri i anëtarëve të Këshillit drejtues të bëhet nga 9 në 11 anëtarë.
Këshilli i ri drejtues zgjodhi kryesinë e shoqatës. President u zgjodh Dashamir Kërtusha, nënkryetare Aida Hyzoti Sena dhe sekretare Jonilda Dervishaj.
Pastaj u organizua një koktej, ku përmes bisedash të ngrohta, iu bënë urimet për një punë të frutshme këshillit drejtues për ta ngritur në nivele të reja veprimtarinë e shoqatës.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook


Leave a Reply