Në Shqipëri kanë hyrë në fuqi disa masa të tjera lehtësuese, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes ndaj variantit Delta të Koronavirusit. Nga sot ndalimi qarkullimi do të reduktohet me 60 minuta të tjera duke nisur kështu në mesnatë, ndërsa pas më shumë se një viti do të jetë e mundur që aktivitetet sportive, sociale, kulturore apo konferencat të shvillohen me pjesmarrjen, ndonëse të kufizuar, të tifozëve, spektatorëve dhe publikut.
Që prej 15 javësh, situata e pandemisë ka vijuar me një përmirësim të vazhdueshëm. Incidenca e dy javëve të fundit ka qenë me 2 raste për 100 mijë banorë. Në të gjithë vendin numërohen vetëm 53 raste ende aktive. Në spital rezultojnë vetëm dy pacientë të shtruar ndërsa rastet e vdekjeve janë sporadike.
Megjithatë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu paralajmëroi sot në parlament rrezikun e mundshëm nga varianti Delta i Koronavirusit i cili ka një përhapje në shkallë të lartë. Ajo bëri thirrje për kujdes, duke shtuar se strukturat shëndetësore janë në një monitorim të përforcuar.
Deri më tani në Shqipëri nuk është verifikuar asnjë rast. Por vendi mbetet tejet i ekspozuar për sa kohë, hyrja në territorin e tij bëhet pa asnjë lloj kufizimi apo kontrolli, ndërsa raste të variantit Delta, janë verifikuar në disa prej shteteve të rajonit të Ballkanit nga ku është dhe fluksi më i madh i vizitorëve.
Shqipëria po vijon ndërkohë, me vaksinimin e popullatës. Deri më tani afro 35 përqind kanë marrë një dozë të vaksinës, ndërsa 14.5 përqind të dyja dozat.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply