Lame: Procesi do të shoqërohet me ndryshim të drejtuesve rajonale
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka arritur të plotësojë të gjithë kuadrin ligjor për të zbatuar reformën e legalizimeve dhe regjistrimeve të pronave pavarësisht problematikave që ka patur deri më sot.
Kreu i këtij institucioni Artan Lame, tha se ligjet më të rëndësishme janë miratuar dhe kanë dalë edhe 25 akte nënligjore që i bëjnë ato të zbatueshme, duke i hapur rrugë procesit masiv të regjistrimit të pronës.
“Kadastra është pajisur me një korpus legjislativ tërësisht të ri dhe të provuar edhe në territor për efektshmërinë e vet, si edhe rreth 25 akte nënligjore që e bëjnë të zbatueshme këtë korpus legjislativ, mund të themi se përmbyllet një fazë e reformës së Pronës në Shqipëri dhe fillon faza e zbatimit masiv të saj në territor.”
Bashkë me zbatimin e reformës së pronës, një tjetër rokadë në drejtimin e këtij institucioni u lajmërua nga Artan Lame. Drejtorët rajonalë të kryeqytetit, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Krujës, Lezhës, Vlorës, Sarandës dhe Korçës do të ndryshojnë.
“Ka drejtues që nuk duan të kuptojnë që vendosja e tyre në ato poste nuk është bërë se kanë çliruar Shqipërinë, por se është besuar se do të dinë të shërbejnë. Në këto kushte dëshiroj të shpall sot hapjen e thirrjes për drejtues të rinj në një pjesë të madhe të zyrave rajonale të Kadastrës.”
Një vit më parë Kadastra nisi procesin e regjistrimit të pronave në bregdet, ndërsa tashmë ka nisur edhe regjistrimin e tokave bujqësore të cilat prej 3 dekadash nuk kishin certifikatë pronësie. Ligjet e reja nuk zgjidhin çështjet e mbivendosjes së pronësisë, apo të pretendimeve të pronës nga disa palë, këto problematika sërish do të trajtohen nga gjykata.
Burimi /Tv Klan


Leave a Reply