Gazeta Shqip
Aktori Enver Petrovci vjen si regjisor në komedinë e shkruar nga Ruzhdi Pulaha, e cila do të ngjitet këtë fundjavë në Teatrin e Metropolit
Një histori e marrë nga e përditshmja jonë. Kjo është ajo çfarë Ruzhdi Pulaha kishte në mendje kur nisi të shkruante “Hajduten e bukur”. Duke e parë teatrin si formën më të lartë përmes së cilës mund të shohim jetën, ai shkroi një histori që orvatet brenda mureve të një shtëpie, ku një gjyshe kërkon me ngulm një nip ose mbresë që të mos i shuhet dera. Nevoja për një pasardhës është një diskutim i njohur në familjet shqiptare, të cilat martesën historikisht e kanë lidhur me këtë qëllim.
“Hajdutja e bukur”, një komedi e shkruar nga Ruzhdi Pulaha, do të ngjitet në skenën e Teatrit të Metropolit të premten më 22 mars si një tragjikomedi karakteresh, nën regjinë e Enver Petrovcit.
Në rolet kryesore interpretojnë Natasha Selaj (gjyshja), Kastriot Ramollari, Doriana Çaushi, Bruna Borova, Armela Demaj, Genti Deçka. Në një situatë të pazakontë ndodhin një sërë intrigash ku shpërfaqen qëllimet e botës së brendshme të secilit personazh. Dashuri, pasion, intriga, xhelozi dhe një gjyshe e dëshiruar dëshpërimisht për një trashëgimtar. Ngjarjet zhvillohen në kohët e sotme ku hallet që personazhet mbartin janë mjaft koherente. Situatat nga njëra skenë në tjetrën të argëtojnë pafund. “Vepra vjen natyrshëm, si një përrallë ku tregohet realiteti dhe secili merr mesazhin sipas mënyrës së tij. Personazhet janë karaktere të thjeshta, përgjithësisht njerëz të mirë. Nuk ka karaktere negative ose pozitive, siç jemi mësuar të shohim dramat por të gjithë personazhet kanë hallet e tyre, nga të cilat lind edhe konflikti”, shpjegon regjisori Petrovci. “Hajdutja e bukur”, është një vepër ku shpërfaqet një sekuencë jete reale, e tashmja, e kaluara dhe e nesërmja. “Regjia për mua është puna me aktorët, një lexim i mirë i tekstit, një lexim i saktë dhe atë lexim duhet t’ua komunikosh sa më mirë aktorëve, që edhe ata të luajnë mirë. Meqë teksti është komedi, unë si regjisor, nuk kam afeksion ndaj zhanreve të pastra sikurse janë komeditë, tragjeditë e dramat, për mua ekziston vetëm një zhanër, i cili është tragjikomedia, një zhanër që i përngjan jetës. Kjo ka qenë tendenca ime dhe shpresoj t’ia kem arritur qëllimit”, thotë Petrovci.
Nora është gjyshja e shtëpisë, e cila ka vetëm një hall; të ketë një nip që të mos i shuhet dera. Një personazh tipik shqiptar, e paralizuar, që ditën e kalon para televizorit. Ndërsa Aleksi (Kastriot Rramollari) është djali i saj. Një profesor sociologjie, i ndershëm në punën dhe jetën e vet, por nuk mund të bëjë fëmijë, gjë të cilën mundohet për vite me radhë t’ia fshehë së ëmës. Ndërsa nusja e tij, Keti, një farmaciste e zonja, e interpretuar nga Doriana Çaushi, është një personazh miqësor, i dashur nga të gjithë, e cila arrin të pranojë deri edhe akuzat e vjehrrës, se është shterpë, dhe këtë gjë e bën vetëm për të mbrojtur burrin. Bruna Borova luan rolin e Besës, komshijes së familjes, e cila është keq nga gjendja ekonomike, gjithashtu është një nga personazhet gati kryesor të shfaqjes, strumbullari i cili organizon gjithë vjedhjen e parave të Norës. Ndërsa Armela Demaj në rolin e Olës, dhe Genti Deçka në rolin e Gerit, janë thjesht ekzekutuesit e vjedhjes. Vepra ka nota realiste, të dëshmuara këto dhe në skenografi e kostumografi, të cilat janë punuar nga Nidia Toska dhe Ina Elezi. Aktori Enver Petrovci, i cili këtë herë ka zgjedhur të shfaqet si regjisor, thotë se është i kënaqur nga loja e aktorëve, e pret të sjellë parë publikut një teatër të vërtetë.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani



Leave a Reply