Gjak në Shkoder
Me t’vërtetë o Zot, ke kenë këtu me ne,
e na ke kërku që ta marrim mbi trupin tonë
mëkatin e vllazenve tonë.
Për me mohu fenë na kanë rrahë, na kanë torturu,
duke na vu vezë të zieme nen sjetulla
e kështu na kanë lidhë për karrike
deri sa na u digjshin edhe kocat
Na kanë lanë lakuriq me muej;
lakuriq, t’lidhun, varë ndër pemët n’oborrin e kuvendit
t’fretenve n’shkoder, lakuriq midis dimnit tonë, acar.
I kanë mbajt vajzat e burgosun, të lidhuna
për parmak të shkallave, pa lujt vendit për ditë e ditë të tana
e naten i leshin t’varuna për duersh.
Na kanë torturu me rrymë elektrike tuj na vu kapcat
me tela ndër veshë, e mandej sjellshin manovelen
e gjeneratorit për korrent,
e shumë prej nesh nuk e kanë përballu e kshtu kanë vdekë.
Na kanë goditë me sa fuqi kishin ndër vehte
me tytat e pushkëve mizore;
kanë zhveshë lakuriq n’mes t’popullit meshtarët tonë;
kanë fut n’thes lakuriq nji vajzë tonen,
postulante e motrave Stigmatine,
tuj shti mbrendë edhe nji micë të tërbume
e mandej i kanë rrahë e rrahë me shkop,
deri sa prej t’rrahnit e prej gërdhishtjes asht ba mish i gjallë.
Na kanë mbajt për sa e sa ditë të strukun
në nevojtoren e qelbun nen shkalla,
në vështirsi fizike e vujtje morale.
Për me fjetë na kanë rrasë në
nji rryp çimentoje vetem tridhetenand centimetra;
i kanë lagë vazhdimisht qelitë e izolimit,
për mos me pas mundësi me u shtri;
na e kanë vizatë me thikë mishin e koshëve
dhe na i kanë mbushë plagët me krypë;
kanë shti bijat tona në të njejtat qeli me burrat,
dhe nji prej vajzave në të njejten qeli me nji frat.
E kanë shkatrru Marien,
tuj e lanë me u kalb, me u qelb e pa ushqim
mes zheleve gjithmonë të laguna qëllimisht:
nji vajzë e pashme, vetem njizetegjasht vjeçe !
Na i kanë thy dhambët me grushta e shkelma;
na kanë fut kunja pishet nen thonj,
deri sa na janë nxi e na kanë ra me dhimje të madhe.
Kanë ba me vlu parazitët në trupat tonë:
pleshta, çimrra e morra; pah, pah, pah sa shumë !
Atëherë dezinfektoshin ambientin
tuj na mytë me insekticide për tri ditë.
Na kanë varë për kambësh si bagëti t’theruna.
O Shqipni e përgjakun !
Jena kalb ndër kanale që i kena hapë me punë të detyrume,
e shumë prej nesh kanë vdekë e varros në njatë baltë.
I kanë përçudnu ftyrat e trupat tonë:
nuk e kanë ma bukurinë e forcen që kishim.
Si kryma e jo si njerz, livrojshim
n’mes mineralit, nen tokë…
Na kanë detyru me u ba t’pabesë
na kanë shterngu me spijunu vllaznit tonë;
kanë mbjellë mbrenda familjeve mos besimin
për me e pasë kollaj me i burgosë mandej prindt;
nen tortura kanë mbrri me konfirmu t’pa verteten
e me tradhtu vllaznit…
Na kanë ba me na shterrë edhe lotët për t’afërmit tonë
kur na i kanë pushkatu ose denu me burg.
Na kanë vjedh rininë, krijimtarinë, inisiativen, kulturen;
edhe vetë priftat tonë kanë mbetë bosh,
në mnyrë t’habitshme t’vorfnumë…
Ma fatlumt ndër ne kanë mujt me thirrë
“Rrnoft Krishti Mbret !”
para togës së pushkatimit
mbas murit t’vorreve katolike të shkodres
e aty tash asht qinari (rrapi) i moçëm që dëshmon,
gropat që na kanë vorrosë nuk i kanë ba t’thella:
e qejt kanë ardh naten tuj grry ndër trupat tonë,
pesmbdhet-njizet vjet ma vonë, n’atë vend bane gropa
me shue gelqere tuj djegë e tuj zhdukë çdo gjurmë…
Shqipni e përgjakun…!
Por fenë tonë jo,
nuk kanë muj me e prekë !
E ka ndejë e shndritëshme si rreze drite
në eklipsin e arsyes, të humanizmit, të vlerave,
ku çdo gja tjeter asht shkatrru pa lanë shej.
Po t’kishin mujt, do ti kishin shkulë edhe shpirtat e fenë tonë !
Por kët, jo, nuk kanë mujt me e mbrrijt.
Na, ti kena besu Ty, o Zot,
çka ka tepru prej trupave tonë
e sejcili prej nesh, tash pret prej Teje
me u ringjall në Ty, me trup t’lumnushem.
O Zot, ban që mos t’jetë urrejtja tashti,
me e ba t’pa vlerë Fenë tonë !
Mos lejo, o Zot, që bash tashti të vdesin shpirtat tonë…
Me të vërtetë, o Zot, ke kenë ktu, me ne,
e na ke kërku me e marrë mbi tupin tonë
mëkatin e vllazenve.
Padre Giuseppe Patti S J
Scutari 6 luglio 1993
Burimi/Facebook


Leave a Reply