Nga Christian Filips
REPORTAZH
1.
Prill, 2017 Jam ulur me Nertilën në një bodrum në Beusselstrasse të Berlinit. Këtu në këtë “Kegelbahn1” të dalë jashtë pune prej kohësh, i cili qe ndërtuar më shumë se pesëdhjetë vjet më parë nga shoqatat e punëtorëve të ish-Lagjes së Kuqe, sot, të sapoardhurit, të mërguarit, refugjatët nga e gjithë bota takojnë banorë të zonës të vendosur këtu prej kohësh.
Lagja e re “Moabit” është një vend i mahnitshëm që nuk përshtatet në imazhin e metropolit të zhvilluar. Kudo në Berlin, hendeku midis klasave shoqërore po thellohet, shtresat po bëhen më të padepërtueshme. Por në këtë bodrum, i cili duket si një stacion metroje ku nuk ndalon asnjë tren, ndryshimet mund të harrohen për disa orë më lehtë sesa kudo tjetër.
Në këto ambiente të rrënuara fshihet një projekt social, por edhe një lokal, një studio arti, por edhe një shkollë për gjuhë. Kur hapa derën për herë të parë, pas disa minutash anëtarët e opozitës siriane më përshkruan dinamikën e brendshme të Pranverës arabe të dështuar. Me birrën e dytë u bëra me fqinj të rinj, me të dhjetën kisha bërë tashmë miq të rinj. Nertila ka ardhur këtu nga Alpet Lindore shqiptare.
Ajo më tregon për jetën e saj të kaluar. Për mësuesin e fshatit me syrin e një dhie që qan. Për gurin, hija e të cilit i shërbente si orë kur kulloste delet në male. Për martesën e saj të detyruar në moshën 15-vjeçare. Për burrin që e rrihte dhe për dëshirën për të qenë një re ose një zog. Ndërkohë, vizitat e shumta tek autoritetet në Berlin i zgjojnë mallin për vendlindjen. Në smartphone-in tim, i tregoj Nertilës një poezi shqipe nga Luljeta Lleshanaku, të cilën e mbaj me vete prej disa vitesh.
Mbi të gjitha, vargjet hapëse më mbetën në mendje. Teksti quhet “Realitete vertikale” dhe fillon me një imperativ të ngjashëm me atë që gjendet këtu në Berlin mbi gurin e varrit të filozofit Herbert Marcuse:
“Të vazhduarit, në rastin tim,
nuk është zgjedhje por detyrim
që kur tri breza
zgjohen njëherazi brenda meje.”
Kur e lexoj përsëri poezinë, vërej se aty nga fundi mbetet e hapur se kush duhet të vazhdojë në të vërtetë: Të gjallët apo të vdekurit. A është vërtet uni që i vë vetes detyrë për të vazhduar më tej? Apo mos janë më tepër paraardhësit e vdekur ata që vazhdojnë dhe i përdorin të gjallët si një palë doreza plastike në mënyrë që të mos lënë gjurmë në skenën e krimit? Po vërtet! Uni është skena e krimit në këtë poezi. Në të ka gjurmë që mund të jenë vendosur tashmë por nuk janë lexuar ende. Ajo që u la si gjurmë në të kaluarën mund të rezultojë vërtet si gjurmë në të ardhmen në të cilën do të lexohet.
Mos më bëri kaq shumë përshtypje poema ngaqë paraardhësit e mi vijnë gjithashtu nga Ballkani? Bački Jarak, Vojvodina, Shvabët e Danubit, Dora e Zezë. Kujtesa ka boshllëqe. Mirëpo ky moment i tronditjes së përditshme më kishte mbetur në kujtesë: qysh në mëngjes, me të pulitur sytë, të gjithë paraardhësit qenë mbledhur buzë shtratit. Çfarë ceremonie incestuale varrimi për mëngjes! Megjithatë, Nertila u entuziazmua nga poezia dhe e kopjoi atë për të mësuar fjalorin. Kështu lindi plani për ta ftuar poeteshën e panjohur për ne që të bënte një lexim për komunitetin shqiptarokosovar në lagjen e re.
Plani mori udhë gjashtë muaj më vonë. Me ndihmën e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, ne arritëm të joshnim Luljeta Lleshanakun në Berlin për një lexim. Opozita siriane kishte përkthyer “Realitete Vertikale” në arabisht për mbrëmjen. Dhe kështu, në vjeshtën e vitit 2017, thirrja ambivalente e paraardhësve: “Të vazhduarit është detyrim!” tingëlloi në mëngjes në lagjen e re në shqip, arabisht dhe gjermanisht. Të gjithë dukej se u çliruan nga zgjimi i paraardhësve të tyre përkatës. Ishim ne që cikëm botën atë mbrëmje, qëndruam gjatë zgjuar dhe festuam jetën si re dhe zogj.
2.
Tetor 2019. Pak pas uljes së avionit në Tiranë, policja shqiptare që ishte ulur pranë meje në aeroplan tha se sapo ishte kthyer në shtëpi nga një seancë trajnimi policie në Alaskë. “E çfarë të solli në Shqipëri?” I shpjegoj se kam pranuar ftesën e një poeteshe dhe të Fondacionit Konrad Adenauer, të cilët duan të më dërgojnë në të ashtuquajturat “fshatra fantazmë” të Shqipërisë.
Nëpunësja e shtetit buzëqesh dhe më jep kartëvizitën e saj: “Bëni diçka të bukur për vendin tonë!” Diçka të bukur? A mos më konsideron një investitor që mund të ringjallë fshatrat e braktisura malore përmes projekteve të ujdisura ekonomike? Fus kartëvizitën dhe them: “Nëse fantazmat në male na krijojnë probleme, tani kam kontakt të drejtpërdrejtë me policinë shqiptare”.
Ajo qesh teksa zbresim së bashku nga aeroplani. Jashtë, një shofer taksie mban një tabelë me emrin tim. Përmes rrugëve hyrëse të Autostradës së Durrësit shkohet shpejt në qendër të qytetit, kalon Pallatin Amadeus, një simbol arkitektonik i postkomunizmit ballkanik.
Ky sfond pompoz në hyrje të qytetit është një përzierje hoteli dhe kazinoje, i përfunduar qysh në vitin 2016 dhe që nuk është hapur ende sot, një simbol për tregun e zi, pastrimin global të parave dhe shitjen e një vendi. Dy orë më vonë, takoj përsëri Luljetën në Institutin Goethe me studentë të rinj që duan të mësojnë gjermanisht. Të gjitha kurset e gjuhës janë plotësisht të mbipopulluara. Ashtu si Nertila, shumica e tyre dëshirojnë të largohen nga vendi, të paktën përkohësisht. Disa prej tyre vinin nga fshatrat malore në qytet. Kur flasim për imazhin që kanë për Gjermaninë, një e re thotë se gjithçka është e organizuar mirë atje. Shumë flasin për hyrjen falas në shkolla dhe universitete, për cilësinë e sistemit të sigurimeve. I pyes nëse lidhin ndonjë aspekt negativ me Gjermaninë.
Djali i një rrobaqepësi i cili ka punuar për një Callcenter gjerman tregon se gjermanët ndihen të vetmuar dhe nuk flasin me fqinjët e tyre. Ai e njeh aq mirë psikikën gjermane, sepse tashmë e ka njohur atë nga afër si punonjës në Callcenter. Ai është i vetmi që nuk ka ndërmend të emigrojë. Ai thjesht dëshiron të fitojë sa më shumë para dhe pastaj të kthehet te prindërit e tij. Kur i pyes me radhë nëse ndihen evropianë, një djalë thotë se kjo është një pyetje e modës së vjetër. Në fund të fundit, të gjithë janë qytetarë të botës tani. Dhe shton se Shqipëria natyrshëm i përket Evropës, nga ana kulturore dhe gjeografike. Me krenari thotë fjalën “Iluminizëm” dhe shton: “Shqipëria dikur ishte shteti i parë ateist në historinë botërore”. Natën më oshëtijnë veshët. Banoj fare pranë xhamisë së madhe Namazgja, e cila është në ndërtim e sipër. Ajo do të bëhet xhamia më e madhe në Ballkan, financuar nga Erdoğan dhe Fondacioni i tij fetar Diyanet Turqi. Është 28 gradë gjatë natës këtë tetor. Të nesërmen në mëngjes nisemi herët për në male, në të ashtuquajturat fshatra fantazmë. Por fillimisht shkojmë drejt jugut, përgjatë bregdetit Adriatik, ku shfaqen të parët dhe, siç del më vonë, të vërtetat “fshatra fantazmë”.
Skelete rrokaqiejsh, skelete hotelesh të larta qarkojnë bregdetin, gjysma ende në ndërtim e sipër, gjysma rrënojë investimi. Këtu jetojnë fantazmat që ëndërronin biznes të madh me turizëm masiv që nuk do të vijë më. Natën enden qentë nëpër këto lagje të braktisura. Duket ndryshe kur mbërrijmë në një fshat të vogël peshkimi, në të cilin jetojnë kryesisht pjesëtarë të pakicave greke. Në sheshin e vogël të tregut ka shumë gjallëri. Ndryshe nga shumica e fshatrave në Brandenburg, kafeneja është hapur. Na shërbejnë, ka edhe njerëz, të cilët mund t’i pyesim se ku jetojnë shpirtrat këtu. Madje është edhe i çmenduri i mençur që bën pjesë në jetën e pacenuar të fshatit. Ai na lëshon me të bërtitur ca rrokje greke, fjalë të urta sokratike që mbase duhet të na trembin.
Na tregojnë një rrugicë të shkretë disa qindra metra larg, në fund të “rrugës së karnavalit”. Dikur këtu kishin banuar shumë familje peshkatarësh grekë. Kur munden, të rinjtë migrojnë në Greqi. Është ikja e zakonshme nga fshati, sikurse në të gjithë botën. Në njërën prej shtëpive jeton edhe një burrë i moshuar, ndoshta 90 vjeç, i cili bën vetë raki, ua shet fqinjëve dhe fiton kështu ato pak para që i duhen për të jetuar. Fëmijët janë në Selanik dhe punojnë atje. Ndonjëherë vijnë dhe sjellin para në shtëpi. Unë e admiroj krenarinë dhe pirjen e zotërisë së moshuar, i cili këtu di ta ruajë dinjitetin e tij shumë më mirë sesa në një nga shtëpitë e të moshuarve gjermanë, ku nëna ime strapacohet si kujdestare. Distiluesi për raki përbën qendrën e shtëpisë së vogël, një lloj altari shtëpie.
Meqenëse plaku ankohet për dobësimin e syve, edhe unë kam frikë se kjo pije me përqindje të lartë alkooli mund të çojë në verbëri të shpejtë dhe e derdh gotën e dytë pas shkurres si kurban për të gjithë shpirtrat e atyre që nuk jetojnë më këtu. Prej këtij fshati shkojmë në male, në një fshat malor plot gjallëri. Edhe këtu kafeneja është e hapur.
Edhe këtu ka një xhami dhe një kishë. Edhe këtu, na mirëpresin ngrohtësisht dhe u përgjigjen pyetjeve të mia në lidhje me traditat e këndimit koral polifonik. Pastaj na drejtojnë në një shteg të pjerrët deri te më e moshuara e fshatit, e cila jeton këtu prej shumë vitesh, tjerr leshin dhe na këndon një këngë të vjetër në një mënyrë që të këput shpirtin. Unë nuk njoh të moshuar të tillë të lumtur në provincat gjermane. Jam plotësisht i hutuar kur gjatë kthimit për në shtëpinë e fshatit, drejt nesh vjen një autobus nga i cili mbërrijnë ndoshta njëzet nxënës shkolle.
Ky na qenka fshat fantazmë? Nëse krahasoni strukturat rurale në Gjermaninë Lindore me ato në Shqipëri, bëhet e qartë se strukturat e vjetra të fshatrave janë shumë më të paprekura këtu. Dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për shfrytëzimin e pronës, por edhe për shëndetin mendor të banorëve. Përshtypjet e mia përsëriten edhe në ditët në vijim, edhe gjatë udhëtimeve në veri të vendit. Askund nuk ka dyshim për mysafirët e huaj, të gjithë mikpritësit të japin raki me bollëk.
Nacionalizëm nuk kam ndeshur askund. Varfëria relative dhe nevoja për të jetuar në mënyrë të pavarur nga ndikimi i arbitraritetit politik me sa duket nuk i ka përkulur këta banorë rural, por përkundrazi u ka dhënë një autonomi të caktuar. Në një qytezë të vogël që karakterizohej nga puna në miniera, na mirëpret një çift i vjetër. Kur unë, duke qëndruar para pemës së shegës prek një nga frutat e bukura, e zonja e shtëpisë nxiton dhe e pyet përkthyesen: “Ka uri? Kemi kaq shumë shegë! Mund t’i marrë të gjitha!” Të thyer duken vetëm të rinjtë në qytete dhe qyteza.
Peshkatarët e përhumbur nga gjuajtësit me dinamit në bregdet. Minatorët e papunë në qytetet e braktisura të minierave. Sa më urbane të jenë strukturat, aq më të mjera janë kushtet. Pra, fantazmat nuk jetojnë në fshatra. Fantazmat jetojnë në kështjellat turistike të boshatisura në bregdet. Jetojnë në banesat sociale që regjimi Hoxha i ndërtoi dikur për t’u mundësuar njerëzve një jetë më të mirë përtej fshatrave. Tani, sistemi shoqëror që krijoi këto ndërtesa është zhdukur prej kohësh. Të moshuarit dhe të sëmurët shikojnë në mure fotografitë, të cilat tregojnë shtëpitë e prindërve të tyre në fshatrat malorë ose fëmijët e tyre të emigruar që janë diku në Gjermani për të fituar para për familjen.
Një burrë në një qytezë të vjetër minierash gëzohet jashtëzakonisht nga vizita jonë. Ai nxjerr menjëherë celularin, telefonon në Skype dhe më lidh me djalin e tij, i cili jeton në një periferi të Berlinit Lindor. Ai me të drejtë më shikon me skepticizëm në distancat e hapësirës digjitale. Në ndryshim nga i ati, ai dyshon të jem një përfaqësues i pushtetit shtetëror, ndonjë mbikëqyrës apo kontrollues. Por me gotën e rakisë në dorë dhe referencën për poezitë e Luljetës, arrij ta qetësoj dhe të kemi një bisedë të shkurtër. Ai thotë se është në Gjermani vetëm për të bërë para. I riu duket të ketë me të vërtetë sukses.
Sepse djali i ka blerë për familjen të gjitha apartamentet në këtë ndërtesë të përbashkët. Si të gjithë të rinjtë që kanë punuar në Gjermani, atë e shqetëson çështja e punës ilegale dhe e së drejtës për të qëndruar. Të gjithë të rinjtë me të cilët flas kërkojnë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në mënyrë që ata të legalizojnë punën që kanë bërë për vite me radhë. Shumica e tyre hyjnë ilegalisht, punojnë dhe fitojnë para për familjet, pastaj dëbohen dhe presin në fshatrat e tyre derisa të shfaqet mundësia tjetër për të hyrë në Gjermani. Kjo nxitje e krimit duhet të ndalet.
Në interes të këtyre të rinjve, Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Për shkak të së vjetrës, dikush mund t’i trembet anëtarësimit: A do t’i shkatërrojnë tregjet e reja strukturat e fshatit që ekzistojnë ende? A do t’i ndalohet peshkatarit të vjetër grek ta bëjë vetë rakinë e tij? Por këto frikëra janë përfundimisht nostalgjike sepse errësojnë faktin se Bashkimi Evropian nuk mund të shpëtohet pa Shqipërinë. Edhe vetëm për arsye kulturore, është koha të mirëpresim një vend evropian në fshatrat e të cilit myslimanët dhe të krishterët kanë jetuar së bashku për shumë vite. Dhe kjo, jo si një utopi fantazmë, por fare konkrete.
Pse të nënshkruajmë një pakt amoral politik me diktatorin Erdoğan kur Shqipëria mund të jetë një vend në “fshatrat fantazmë” të të cilit refugjatët e luftës jo vetëm që mund të gjenin strehë por edhe pjesë të identitetit të tyre kulturor? Përse Bashkimi Evropian nuk vendos thjesht ta përfundojë vetë ndërtimin e Xhamisë Namazgja? Pallati Amadeus mund të bëhet një qendër ndërkulturore. Dhe të ashtuquajturat fshatra fantazmë të Shqipërisë shpejt do të mbusheshin me më shumë njerëz dhe shtëpitë e boshatisura do të gjallëroheshin. Fqinjë më të mirë se ata që tashmë jetojnë atje është e vështirë të imagjinohen.
3.
Nëntor, 2020. E pyes Nertilën nëse do të dëshironte të kthehej dikur në fshatin e saj në male, nëse kjo do të ishte sërish e mundur. Apo nëse tani e sheh Berlinin si shtëpinë e saj të re. “Po sigurisht, ne të gjithë dëshirojmë vazhdimisht të kthehemi në shtëpi! Por a do të duronim gjatë po të ishim përsëri atje?” “Kjo shtëpi nuk duron dot një qen”, citoj një varg nga Elke Erb. Nertila më shikon dhe më thotë: “Të vazhduarit, në rastin tim.”
Burimi/gazetamapo.al/


Leave a Reply