Rritet ndjeshëm numri i pacientëve në gjendje të rëndë
16 qytetarë të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin në vendin tonë përgjatë 24 orëve të fundit. 6 prej viktimave ishin nga Tirana, 3 nga Fieri, 2 nga Berati, ndërsa të tjerët ishin nga Shkodra, Lezha, Gjirokastra, Kuçova dhe Përmeti, më i riu mes tyre ishte 49 vjeç dhe më i moshuari 86 vjeç.
Shqetësuese mbetet situata në të 3 spitalet Covid, pasi numri i të shtruarve dhe pacientëve në gjendje të rëndë është në rritje. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 471 pacientë po trajtohen aktualisht në këto struktura, 27 prej tyre në terapi intensive dhe 9 në intubim.
Edhe pse 100 infektime më pak se një ditë më pare, numri ipersonave pozitiv me Covid vijon të jetë i lartë. Nga 2.026 testime të kryera në 24 orë, rezultuan të prekur me koronavirus 545 persona. Numrin më të lartë të të infektuarve ditor vazhdon ta mbajë Tirana, me 159 persona, e ndjekur nga Vlora me 40 dhe Kavaja me 37.
Aktualisht 17.851 persona janë të infektuar aktivë, ndërsa numrin më të lartë e mban kryeqyteti me mbi 9 mijë të tillë. Ndërsa të shëruarit në 24 orët e fundit janë 397 persona.
Burimi/Tv Klan


Leave a Reply