Nga: Rezart Prifti
Para 7 vjetësh kur fillova punë në Universitetin e Tiranës si rishtar, idealist, zelltar dhe me një frymë inovative u ngërdhesha mes asaj si është dhe të paktën se si mendoja unë se si duhet të ishte. Rrugës nuk humba as të qenit rishtar, idealist, zelltar, apo frymën inovative, por mësova disa gjëra.
E para! Nisa por nuk bitisa një artikull shkencor që trajtonte dilemën se e bën institucioni indivitin apo e kundërta. Gjatë kërkimit lexova diku një koment që më bëri shumë përshtypje. Autori donte të ilustronte idenë e rezistencës ndaj ndryshimit dhe thosh se “… ndryshimi në raste të tilla është si ndryshimi i kishës ose ndryshimi në fe. I tillë ndryshim kërkon dekada në mos shekuj…” Kjo më ka ngel në mendje edhe sot e kësaj dite.
E dyta! Në mbledhjen e parë që bëra në departament si rishtar që isha u ankova se pse në banjo nuk kishte sapun dhe ujë për të larë duart. Nuk harroj shikimet dhe reagimet… Por më e vlefshmja ishte një këshillë e një kolegu që e vlerësoj shumë. Ky kishte ardhur pak vite para meje, gjithashtu i studiuar në Evropë. Më merr për krahu kur mbaron mbledhja dhe më thotë, shiko të paktën disa javë sa herë të kemi mbledhje shiko, dëgjo dhe veç mendo… mos u ndie për gjë… Këshilla më e vlefshme që mund ti jepet një miku sipas kontekstit. Ashtu bëra, po jo një muaj por plotë katër vjet. Me një durim të paparë që e kalita gjatë kohës së shkollës.
E treta, sa më shumë kalonte koha kuptova principin më të madh të teorisë së ndryshimit. Ndryshimi i një sistemi apo i një institucioni nuk vjen asnjëherë nga jashtë. Për dy arsye. E para se je jashtë kontekstit dhe kur përpiqesh të ndryshosh këput mufka. Dhe e dyta, këput mufka se nuk ke gjë në dorë… Në një shoqëri si kjo e jona ku mediokriteti dhe “shitja e menve” është në modë prej një kohe çuditërisht të gjatë të gjithë të japin mend nga jashtë. Në tregun e madh tonin bursa e aksioneve të shit-blerjes së menve është e tej ngarkuar, ndërsa bursa e shit-blerjeve të veprimit është me zero aktivitet. Për ta thjeshtuar më shumë. Cilido familjar e ka parasysh rastin kur rrit një fëmijë të vogël, dhe ngarkesa që ka gjithë ditën e ëma ose i ati dhe stërmundim pa pushim gjatë 24 orëve për tu kujdesur për fëmijën. Cilido familjar gjithashtu e ka parasysh kur dikush i vjen në shtëpi 30 min dhe i jep mendim sesi të kujdeset më mirë për fëmijën… E njëjta gjë ndodh dhe kur je në biznes. Cilido që e di se çfarë është biznesi dhe sipërmarrja e ka parasysh rastin kur dikush që nuk ka ngritur njëherë qepen në jetën e vet të sygjeron se çfarë duhet të bësh më mirë apo sesi duhet të bësh ndryshe. Dhe e fundit cilido që bën një punë mirë e ka parasysh kur një kanar i shpjegon se çfarë po bën gabim… E raste të tilla pa fund.
E katërta! Shoqëria jonë ka mangësi të mëdha kulturore, qytetarie, menaxheriale, intelektuale, meritokracie, etj. Thënë këtë, duhet të vë në kontekst protestën e fundit studentore e cila me gjithë dashurinë që pata për të, tregoi se metabolizmi i kësaj shoqërie nuk e përtypte dot atë kafshatë ndryshimi që kërkojë, ose ndryshe nuk e mbajtën dot këmbët peshën e përgjegjësisë që duhej në ato raste. Në momentet që ne flasim ka zero unione studentore dhe organizime studentesh që të dinë se çfarë kërkojnë. Pjesa më e madhe e tyre orientohen nga anonime të rrjeteve sociale. Anonimati bashkuar me gjullurdinë e diarresë sociale gjykon, jep verdikte, stigmatizon dhe kulmi është kur jep mend për lloje e soj procesi në kulmin e injorancës mbi fushën. Në universitetin ku unë studioja ishin vetëm organizime studentore si grupe influence, të quajtura Rrethe Shkencore, rreth 43. Të tilla ishin nga Rrethi Shkencor i Menaxhimit e deri te Rrethi Shkencor i Anijeve me Vela, që unë si shqiptar i paditur që isha qeshja kur e dëgjoja. Të njëjtin proces që studentet nuk pranuan gjatë protestes, pra identifikimin dhe zgjdhjen e problemit me hapa… Ndërsa sot injorantë dhe anonimë kërkojnë mbështetjen për anëtarë në senat për të cilët mendojnë se vlejnë, por në të njëjtën kohë dhe anulimin e zgjedhjeve…
E pesta! Për ta bëre më të prekshëm këtë shkrim, institucionet tona universitare si çdo institucion në botë janë sipas kritereve dhe dinamikave zhvillimore rrjedhojë e teorive normale organizacionale, të lidershipit, dhe të dinamikës së pushtetit. E them këtë sepse në historikun tonë shoqëror vetëm në komunizëm janë pranuar zgjedhjet. Zgjedhjet e çdo forme! Si standard është vendosur mosnjohja, mos-pjesëmarrja, apo delegjitimimi. Për të gjithë ata që nuk duan procesin ti hedhin një sy historisë tonë 30 vjeçare në pluralizëm dhe të shikojnë se deri ku na ka çuar kjo.
Apoteoza e këtyre pesë parantezave që bëra është e thjeshtë. Po si fillim këtë ua shpjegoj studentëve në vit të I në Fakultetin e Ekonomisë në teorinë e vendim-marrjes. Në kulturën tonë gjëja më e kollajshme është të thuash JO! Sepse me të tilla frustrime është rritur individi. Prindi kur je i vogël mjafton të thotë jo për diçka dhe nuk ka nevojë për sqarime. Shefi mjafton të thotë jo për diçka dhe me kaq mbyllet se e di shefi (siç më tha mua mbledhjen e fundit). Punëdhënësi mjafton të thotë jo se e di ai/ajo. E kështu me radhë! Unë marr një shembull me një opinionist të famshëm në mediat shqiptare. Dhe u them studentëve që zotëria ka gjithë jetën që thotë jo për çdo gjë, por nuk thotë gjë tjetër. Në Amerikë mesova se gjëja më e vështirë është të thuash Jo, por… Pra të japësh një shpjegim apo një alternativë nga mbrapa. Nëse je kundra procesit, zgjidhja nuk është mos bërja por alternativa se si do bëhet. E deri më sot asnjë që thotë nuk duhet të bëhen nuk thotë sesi duhen bërë.
Në institucionet tona universitare ka burra dhe gra me shumë eksperience, me autoritet, me grada shkencore (pavarësisht si i kanë marrë), por po deshe ti dhe me shumë para të cilët nuk luajnë gishtin për të qenë pjesë e ndryshimit apo qoftë dhe e alternativës. Në fund të ditës njëri pas 30 viteve karrierë bën një lëvizje guximtare dhe hyn në lojën e udhëheqjes dhe të kryqëzimit të shpatës me ide.
I vetmi togfjalësh që qarkullon nga “korifejtë” tanë akademik është që nuk duhet bëre procesi. Por asnjë argument se pse ose si duhet bere…
Në shoqërinë tonë gjithmonë është i pragjykuar ai që guxon dhe është krejt normale xhanëm, por dhe ai që guxon veç gjykohet dhe asnjëherë nuk sfidohet. Është e vërtetë që ka shumë luftra me një kandidat, por sa më shumë e njeh dinamikën dhe institucionin kjo tregon më shumë për ata që nuk guxojnë sesa për atë që ka guxuar. Të gjithë emrat që diskutojnë në mejdanin publik rreth kësaj çështjeje nuk e kanë marrë guximin e as kanë marrë mundimin të përveshin mëngët edhe pse nuk kanë çfarë humbin sepse janë murosur në sigurinë e përjetësisë dhe askush nuk ka mundësinë ti pengojë të ndërmarrin një hap të tillë.
Me modestinë më të madhe mendoj se procesi është i nevojshëm dhe e vetmja mënyrë drejt ndryshimit. Është mënyra që në çdo shoqëri isntitucionet duhet të zhvillohen dhe e reja të futet në proces. Është mundësia e madhe që breza të rinj të bëhen pjesë e procesit ne çfarëdo lloj forme sepse në mos ketë betejë në të ardhmen do kenë të tjera. Në shkencat e menaxhimit është një shprehje që thotë: “Më mirë një vendim i gabuar, sesa pa vendim fare”, edhe pse ky nuk është rasti, kjo vlen për të ilustruar se ndalesa dhe precedenti nuk është zgjidhja, por zgjedhjet janë zgjidhja.
Burimi/shekulli.com.al


Leave a Reply