Kush ishte Muhamet Liko, parodisti i Vlorës, futur në aktrim nga klasa punëtore
Gazetari vlonjat Çlirim Hoxha ka bërë një profil të Muhamet Likos, aktorit të grupt të parodistëve të Vlorës, i cili ndërroi jetë pas një arresti kardiak në Itali.
Ja ç’shkruan gazetari Hoxha për të, njohës i imtësishëm i artit vlonjat dhe figurave të tij:
Muhamet Liko lindi në qytetin e Vlorës në vitin 1956. Që në moshë të vogël u dallua për talentin e tij të humorin. Ishte diçka e brendshme dhe të gjithë sa ndodheshin pranë tij do të gajaseshin nga mënyra e interpretimit.
Muhamet Liko u dallua veçanërisht gjatë olimpiadave amatore të qendrave të punës të qytetit të Vlorës, ku si pjesëtar i ndërmarrjes së përpunim drurit do të rrëmbente disa çmime, duke u evidentuar mes të tjerëve.
Ky talent tërhoqi vëmendjen e drejtuesve dhe regjisorëve të Estradës Profesioniste të qytetit të Vlorës, të cilët do ta thërrisnin në gjirin e tyre krahas gjigantëve të tjerë të humorit si Leka Kruta, Myqerem Ferra, Qirjako Sava, të cilët e inkuadruan Metin në kompleksin simpatik të parodistëve së bashku me tre të mëdhenjtë e tjerë të këtij skuadroni brilant si Agron Hamo, Afrim Agalliu dhe Mane Lumani.
Dhjetëra role me estradën profesioniste të Vlorës, dhjetëra parodi njëra më e bukur se tjetra, dhjetëra turne nëpër Shqipëri dhe dhjetëra ture nëpër botë do ta ngrinin në piedestal talentin e lindur Muhamet Liko.
Meti kishte disa kulme gjatë viteve të interpretimit të tij në skenën e Teatrit “Petro Marko” dhe në skenat e tjera brenda dhe jashtë vendit, por njëri nga rolet dhe interpretimet e papërsëritshëm të tij do të mbetet i stampuar kudo në çdo memorie spektatori, në çdo celuloid televizioni dhe në çdo faqe internet dhe ky është interpretimi i tij i monologut famoz “Agai dhe qypi me mjaltë”. Shkalla e vështirësisë së këtij interpretimi arrinte kulmin e talentit që një aktor mund të arrijë gjatë karrierës së tij artistike.
Muhamet Liko mbante disa urdhra e medalje të akorduara nga Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Bashkisë Vlorë. Ai mban Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të I-rë dhe titullin “Mjeshtër i Madh” Akorduar nga Presidenti i Republikës si dhe është “Qytetar Nderi i Vlorës” akorduar nga Këshilli i Bashkisë Vlorë. /tesheshi
—————————————————————————–
CLIRIM HOXHA
·Ai lindi bashkë me talentin.
Kushtuar parodistit të Vlorës Muhamet Liko në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta.
Si iku një vit kaq shpejtë pa ty i dashur mik. Ndoshta e ke marrë vesh, kanë ndodhur shumë gjëra që atëherë. Një tërmet i fuqishëm nga shkundi këmbë e kokë dhe bëri shumë shkatërrime në fund të vitit që shkoi. Por e keqja s’kishte mbaruar ende, kur plasi flama e virusit me kurorë që ka pushtuar gjithë botën. Njerëzia u mbyll e tërë në shtëpi. Miqtë e tu parodistët e Vlorës, që ti i doje aq shumë, janë munduar të bëjnë diçka nga ekranet, por së fundi mora vesh se kanë filluar të lëvizin për një premierë të re. Ku rrinë dot pa magjinë e skenës ata.
E kështu miku im, pas këtij izolimi të paparë, tani kemi filluar të lëvizim si bletët nga kosherja në lëndina e anasjelltas. Meqë ra fjala e bletëve, nuk e harrojë dot atë qypin me mjaltë që ia fute agait. Pordhët vrushkull i vajtën të varfrit, por jo vetëm atij, po edhe gruas, madje edhe vajzës, asaj të voglës që pirdhte si mizë. Eh, ç’të të them, na mungon shumë. Ike kur nuk duhet të ikje. Kishe shumë për të dhënë dhe ne kishim shumë për të qeshur me humorin tënd brilant.
A e ke parë, s’ka më aktor humori. Numërohen me gishtat e dorës. Aktor ka plotë, se kjo botë është sa tragjike aq edhe dramatike, por aktor humori jo miku im. Ndaj Vlora u ka si ujët e pakët dhe duhet tu ruaj e trajtoi me kujdes. Kështu ishte dhe ti Met, si ujët e pakët, por jeta është me kthesa të forta dhe nuk i dihet se si të vjen e kurrë të vjen.
Shkëlqimi yt kish filluar që në vogëli. Mprehtësia jote për të kapur gjërat i kish habitur të gjithë. Më tregonte një shoku im i punës për ty, Xhemali nga Pusi i Mezinit. Kishe qenë ushtar me të atje në Korçë, në Qafën e Qarit ishte reparti. Eh, ç’të të them. Jo vetëm çiftelia që ligjëronte, por reparti gajasej me humorin tënd. Sa herë kishim menduar se prapa repartit nëpër pemë cicëronin bilbilat, tregonte ai, por në të vërtetë ishte Meti që imitonte zogjtë. E pastaj, pas ushtrisë shkove të ndërmarrjen e Përpunim Drurit. Estrada e saj la nam, se të themi të drejtën, konkurrimi ishte mjaftë i fortë atëherë mes estradave amatore. Aty zbuloheshin talentet. A nuk kishte ndodhur kështu me estradat e Peshkimit ku doli Afrimi, të Sodës kaustike ku doli Agroni, të Komunales ku doli Mania etj. Me që ra fjala te ndërmarrja e Përpunim Drurit, humori jot i kishte lenë pa punë sa herë, aq sa u tha atëherë, more, po do punojmë apo do bëjmë gallatë. Talente të tillë nuk mbahen në ndërmarrje. Kështu e përzunë edhe të Madhin Leka Kruta, profesorin e humorit vlonjat nga Ekstratanini. Boll bëre gallatë pa para në ndërmarrje, i kishte thënë legjendari Kristo Papajani. Do shkosh në estradën e qytetit të na bësh gallatë me para tani.
Se desh harrova. Kur ishe në Përpunim Druri u njohe me Zhanin, shoqen e jetës. Më ka treguar Bejreja. Unë i kam martuar, më tha. I gjeta prapa dollapit duke çuçuritur me njëri-tjetrin dhe s’kishnin nga lëviznin. Le të thotë jo Zhani po të dojë. Kam shahit Bejren. Ku nuk ngjiti humori jot Met, në çdo skenë të Shqipërisë, në fshat dhe qytet dhe jo vetëm, madje edhe nëpër botë ku jetojnë shqiptarët, por së bashku me moskëtjerët e tjerë ju keni bërë EPOKË, miku im. A e di çdo të thotë EPOKË. Sado të përpiqen sot t’iu zëvendësojnë, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. A e zëvendësoi njeri Çarli Çaplinin? A e zëvendësoi njeri Sten Laurenin dhe Oliver Hardin? A e zëvendësoi njeri Pitkinin? A e zëvendëson dot njeri Gaq Vishin, Leka Krutën, Myqerem Ferën, Evgjeni Shtrepin. Për ty Met, miku im dhe për të gjithë të tjerët ka vetëm PAVDEKSI.
Ajo që do më pëlqente dhe që e kam menduar gjithmonë, është mos harrimi i atyre që kanë nderuar Vlorën në vite. Ka filluar të ndihet diçka dhe mirë po bëhet. Kujtesa njerëzore harron shpejtë, ndaj duhen njerëz të përgjegjshëm për ta mbajtur atë gjallë, sepse nuk bëjnë gjë tjetër, veçse mbajnë gjallë identitetin historik të një qyteti. E keqja tjetër është se, në asnjë shkollë, qoftë kjo Akademia e Arteve apo Universiteti i Arteve, siç quhet ndryshe dhe që mua nuk më ngjit fare ky emërtim i ri, duhet tu mësohen studentëve historia e talenteve, historia e parodistëve të Vlorës, jeta dhe aktiviteti artistik i Gaq Vishit, Leka Krutës e me radhë, të regjizorëve Nazmi Bonjaku e Piro e Qirjako Sava, Myqerem Ferra etj.
Kështu janë këto punë, i dashur miku im i pa harruar Met Liko. Një vit pa ty dhe ne rrimë e vështrojmë qiellin e natës për të të gjetur se ku ke zënë vend mes yjeve të tjerë të artit shqiptar. Me siguri që je në qiellin e Vlorës tënde dhe na vështron duke shkëlqyer.
Kështu do të mbetesh në jetë të jetëve, si margaritar i shndritshëm i kohëve që vijnë.
Qofsh i pa harruar miku im Muhamet Liko.
Lavdi jetës dhe veprës tënde artistike!
Çim Hoxha nuk të harron!


Leave a Reply