Neritan Gjergo
Numri i të infektuarve me Covid 19 në të gjithë botën, në orën 12:13 ishte 120 944. Një orë më vonë në hartën zyrtare të OBSH-së, aty ku përditësohen në kohë reale të gjitha rastet (të infektuar, të vdekur, të shëruar) të prekurit u shtuan me 117. Ndërkohë, në kolonën ku regjistrohen personat që lënë spitalet apo shërohen në kushte shtëpie, vërehet se brenda 60 minutave janë 244 të tillë.
Ky grafik përditësohet mesatarisht çdo 15 apo 20 minua dhe ne e sjellim këtë shkrim, jo për të treguar punën e mirë që po bën OBSH me informacionin, e as për të thënë se shifrat duket të jenë optimiste nga krahu i të shëruarve. E nxjerrim për të sensibilizuar qytetarët shqiptarë në Tiranë e gjetkë të zbatojnë me rigorozitet masat e përcjella në media e në rrjetet sociale, të cilat janë lehtësisht të aksesuesshme sapo hap televizorin, kompjuterin apo celularin.
Nëse analizojmë shifrat në epiqendrën e përhapjes së infeksionit në Kinë, aty ka një përparim domethënës, por kjo nuk vjen as nga faktorë klimaterikë, as nga ndonjë cikël i mbyllur i këtij virusi që për disa mendje duket sikur udhëton për të “ngordhur përfundimisht” aty nga fundi i majit apo fillimi i qershorit. Në Kinë u zbatua një plan i përkryer falë kulturës dhe bashkëpunimit të qytetarëve me urdhrat e publikuara nga qeveria atje (dhe ta mendosh që janë më shumë se 1.4 miliardë banorë).
Italia doli jashtë kontrollit dhe u bë epiqendra e virusit në Europë. Shqipëria në shifra zyrtare ka një duzinë të prekurish, ndërsa në shifra reale numri i tyre mund të jetë disa-fish më i lartë, por ky fakt duket se nuk përbën problem. Është e vërtetë që virusi nuk zgjedh të pasurit apo të varfërit, të shkurtrit apo të gjatët, femrat apo meshkujt, por po aq e vërtetë është se virusi zgjedh budallenjtë (fjalë e përdorur në zhargonin e popullit), dhe më pas transmetohet tek të zgjuarit (sërish zhargon).
Ka lloj-lloj mesazhesh në rrjet, që nga ata të cilët, panikun e kanë kryefjalë e deri te njeriu më i fortë që e shemb virusin me raki.
Ka dhjetëra-qindra prindër, të cilët vendimin e pushimit 2-javor, kanë nisur ta shfrytëzojnë për të nxjerrë fëmijët nëpër parqe e qendra argëtimi.
Ka dhjetëra-qindra të rinj që qeshin nga kafeneja me maskën që ka vendosur tjetri.
Ka qindra të tjerë që vazhdojnë të puthen e të përqafohen siç e do zakoni.
Ka nga ata që jetojnë në qytet dhe e kanë gjetur skenarin e shpëtimit, do të shkojnë te daja në fshat (por prit edhe pak).
Ka edhe nga ata që janë prekur, e që nuk hezitojnë të tregojnë për publikun se duan kushte më të mira në spital, sikundër edhe nga ata që një Zot e di se pse, nuk ua nxë goja të thonë para miqve apo mjekëve se kanë qenë muajin e fundit në Itali.
P.S. Në hartën e OBSH-së, brenda orës së cilës i jemi referuar, janë regjistruar 3 viktima. Në fakt ishin 4, ishte edhe një e moshuar nga Durrësi, që do të mbahet mend si viktima e parë në Shqipëri, por që u përditësua një orë më vonë.
Burimi/Shekulli.com.al


Leave a Reply