Nga Auron Tare
Në këtë Nëntor si zakonisht fillojnë përplasjet televizive mbi partizanet dhe gjermanët apo këto kohët e fundit edhe mbi ballistët. Në dhjetor çdo debat harrohet për t’u filluar përsëri Nëntorin që vjen. Ky avaz për 30 vite duke shurdhuar dhe budallepsur të gjithë ata që rrinë vonë ekraneve për të parë lloj-lloj opinionistësh dhe historianësh që flasin pa asnjë lidhje me të vërtetat historike. E gjithë kjo zhurmë dhe rrëmujë është një dëshmi e dështimit të historiografisë kombëtare, e një revanshi të disa elementëve pa asnjë lidhje me nacionalistët e vërtetë të asaj kohe apo njerëz që duan të bëjnë show mediatik. Fatkeqësisht vetëm shumë pak zëra të kthjellët ka për këtë çështje e cila është kthyer tashmë në mënyrë për të argëtuar njerëzinë.
A mundet që ky debat të mbyllet një herë e mirë me studime serioze që provojnë përfundimisht se radhitja e shqiptarëve në krahun aleat ishte një prej vendimeve më të rëndësishme të shek XX?
Se nacionalistet edhe pse njerëz të arsimuar dhe që e donin këtë vendin morën një vendim politik të gabuar dhe për këtë i dënoi historia?
A mundet që opinionistë të të gjitha fushave të mbyllin gojën dhe të mos bëjnë më apologjeun e figurave të përlyera në kolaboracionizëm?
A mundet që përfundimisht ata që dhanë jetën e tyre për çlirimin (sado modest te ishte ai) te nderohen ne maksimum?
A mundet që opinionistët të kuptojnë përfundimisht që ata që luftuan dhe ranë për vendin nuk kishin asnjë faj apo përgjegjësi për instalimin e një regjimi diktatorial?
Po e mbyll me disa rreshta nga Kujtimet e Kadri bej Cakranit luftëtarit numër një kundër komunistëve dhe partizanëve i cili në muzgun e jetës hodhi shënimet personale nga ajo kohë për të kuptuar se sa të përçarë, të paorganizuar dhe kolaboracionistë ishin një pjesë e madhe e atyre që u futen nën ombrellën e Nacionalizmës. Unë e respektoj shume Kadri Beun, djalin e Firmëtarit të pavarësisë për sinqeritetin e kujtimeve të tija edhe kritikën ndaj figurave të nacionalizmës që sot mundohen t’i rehabilitojnë dhe t’i heqin petkun e bashkëpunëtoreve me nazizmin.
Më poshtë pjesa nga kapitulli IKJA
“Kur vajta në kafe, i gjeta ku po bisedonim për këtë gjë, po me të vajtur unë ndërruan bisedë më duket. U futa në bisedë për rezistencën, për Partinë dhe për ikjen, po Mit’hat Beu fliste dhe nuk më shikonte në sy. Po bisedonte me Ali Klissurën -Misioni duam s’duam i Organizatës, mori fund. Mirë keq, ajo e kreu me vështirësi detyrën e saj.
-Me këto fjalime kërkon t’a mbyllëç Mit’hat Bej, po nuk është kaq kollaj, se vetëm Shkodra do masakrohet, për arsyen se mbajti ne, lëri të tjerat!
Për cilin mision e ke llafin zotrote, për këtë që nxorët kokën dhe filluat përçarjen, që të ikni si tjetër parti dhe doemos jeni të pastër, dhe nuk ke bërë asgjë?! Pse nuk ike që në Janar nga Kryesia e Ballit, dhe bëje Parti, kur të thashë se këtë gjë do t’ja lësh në duar tani ushtarakëve? Se të dukej Organizata dhe Nasjonalisma se ishte vetëm e jotja, me që e kishje krijuar! Pranova në krye unë atëherë, po tani, kaq frikë ke zotrote nga kriminelët terroristë, se dihet që do n’a hedhin të tyret, se nga humbja s’paske qeder më duket! Ai ishte me fytyrë të rrudhosur shumë dhe me sy të kuq nga të pa gjumët. Ishte i lodhur.
Ne ikje Gjermanët nuk pranuan asnjë të merrnin me vete dhe pasi u bisedua me t’a, pranuan në fund vetëm disa krerë, të vjetër në moshë. Si këta të Komitetit Qendror që nuk ekzistonte më! I biri i Mehdi Frashërit komunikonte me t’a gjermanisht dhe ai ndërhyri për këtë. – M’u dukën qesharakë këta njerëz pa asnjë kacidhe në xhep, duke bërë sqena dashnorësh, dua, s’dua! Unë po e shikoja këtë fund me turpe të pa para, dhe kishja ditë që po kërkoja një rrugë tjetër.
Nuk lëvizja dot për të lajmëruar Mit’hat e Ali Beun. U mundova t’i gjej, po ishte e pamundur nëpër natë dhe sidomos me turma të tërë njerëzish që iknin nga njëri vend në tjetrin, pasi me sa duket e kishin marrë vesh. Në mes të turmës as të vinte njeri veshin se kush ishje, jo Mit’hat, Ali e Kadri, po asnjë, vetëm veten! Po vinte fundi i Nëntorit 944, dhe me sa duket partizanët Komunistë ishin aq afër Shkodrës, dhe Gjermanët po iknin aty me shpejtësi.-
Me t’u afruar anija me ngadalë, këta të turmës desh ranë në ujë, se po nxitonin. I bëra me dorë të hipnin Mit’hat Beut dhe të tjerëve, që sa i pashë, dhe vetë duke ngritur valixhe e plaçka, mezi i hipa në anije të tëra me njerëz e të gjitha. Anija u mbush plot dhe njerëzit po ngjesheshin, sa po afroheshin tek plaçkat dhe njerëzit e mi. U bërtita atyre që kishja afër, ndër kohë anija u nis. Shumica ishin me automatikë dhe mendoja mes atij momenti të tmerrshëm, pse këta të Veriut nuk i shkrepën një herë armët, po tani qenkan të parët në ikje. Njerëzit mundoheshin të mbaheshin tek njëri tjetri nga lëkundjet, por edhe pasi ishte edhe natë dhe nuk shikonin. Vajta të nxirrja dhe unë automatikun nga trasta, po Naxhija i dha Shpresën Fatmirës dhe nuk më la. –Do të vritemi të gjithë me këtë mëndje! Nuk dihet se sa kohë kishim ecur, kur muhabetet dhe të qeshurat e disave, po më tendosnin nervat. Dikush kishte ndezur një fener dhe u drejtova andej duke u mbajtur nëpër njerëz. Në një si fuçi të vogël dy xhandarë nga Shkodra me sa duket, kishin shtruar një gazetë me ca djathë sipër dhe po pinin raki. Fenerin e kishin mbi vozën e vogël. Një dallgë, pasi u përplas në anije, tërë ato pikat e ujit hodhi mbi gazetë, e cila ra me gjithë djathin. Ishja ngjitur me t’a dhe me fener në dorë ata më panë për një moment. U ngritën dhe ikën më tutje duke çarë nëpër njerëz si ca pijanecë rruge. Vajta te vendi, dhe Fatmirën e zuri deti. Vezireja e mbante, se Naxhija kishte Shpresën në krahë.
Nga mëngjesi u afruam ca brigjeve të gri me mjegull dhe një motoskaf i vogël u afrua për të mos u përplasur, apo të mos dilnim në ndonjë cektinë. Automatikun e hodha në det, sepse atyre që i kishin, po j’ua merrnin dy ushtarë me helmeta të bardha të policisë ushtarake Aleate. –Nuk i dua paratë, sepse nuk e dija kush ishit, tha me gjysmë zëri i Zoti i anijes, po unë ndjeva neveri për shqiptarët që kërkojnë të përfitojnë dhe në kohë të kataklizmës. Lirat e mbështjella ja hodha tek këmbët, nga që po ngrija valixhet e plaçkat. –T’i gëzoç, i thashë, dhe të gjeftë një e keqe sa kjo e jona. Jo më e madhe! Ç’dukmu sysh! Zbritëm dhe u thamë se s’kishim dokumente, pasi u nisëm befas. Dhamë emrat të pestë tek një ushtarak në një kabinë me dritë akoma, dhe u nisëm nëpër maqina. Kampi që kishin përgatitur ishte në një vend me kapanona. Më vonë na çuan tek një vend i vogël buzë detit, Santa Maria de Leuca, afër Leçes. Ai vend me ullinj më kujtoi si Cakranin e Beratin, ashtu dhe vendin ku kishja groposur baulen, që nuk duhet të ishte larg.
Nuk ishim sistemuar mirë nëpër kampe, se vinin në Itali edhe nga Greqia, kur të parën gjë Qeveria Komuniste u kërkoi Aleatëve të dorëzonin Komitetin Qendror të Ballit Kombëtar dhe një listë me Komandantë, që natyrisht aty ishin shkruar se ishin kriminelë të popullit. Se kush i therte dhe se kush i mbronte, nuk kanë më fuqi, kur fitimtari është kaluar. Kjo gjë vajti në Santa Fara, në kampin e profugëve të ngritur atje Aleatët arrestuan të parin Mit’hat Frashërin dhe pastaj Ali Klissurën, gjë kjo që bëri edhe ata që e kishin parë Mit’hat Beun si Perëndi, edhe ata që e donin për t’a përdorur për Partinë e re, t’u vinte fundi. Asnjë nuk të ndihmon kur je në vështirësi, sepse i dhimbset jeta e vet, kështu që u bë një marrë veshje”.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply