
BE premton se nuk do të ketë shkurtime në programin e paqes të Bashkimit
Nga Drazhen Remikoviç për Southeast European Times në Bruksel – 12/02/13
Johanes Hahn, Komisioner i BE-së për politikën rajonale, tha se mësimet e mara nga Irlanda e Veriut mund të përdoren për të sjellë paqen në Ballkan. [AFP]
Përvojat e programeve të paqes të BE-së në Irlandën e Veriut mund të përdoren për të zgjidhur problemet e zvarritura në Evropën Juglindore, tha për SETimesKomisioneri i BE-së për politikën rajonale Johanes Hahn.
“Që më 1995-së, BE ka dhënë 1.3 miliardë euro për projekte në Irlandën e Veriut dhe rajonin kufitar me qëllim çimentimin e procesit të paqes së bërë pas Marrëveshjes së Belfastit më 1998,” tha Hahni.
“Natyrisht, ka ende punë për të bërë. Ajo që dua të them është se asnjë program nuk mund të kopjohet në ndonjë zonë tjetër për shkak të strukturave të ndryshme të shoqërisë. Por ka kurdoherë disa segmente që mund t’i përdorim nga kjo përvojë në zgjidhjen e problemeve në zona të tjera të tilla si Ballkani.”
Zyra e Hahnit kohët e fundit organizoi konferencën “Sjellja së Bashku e Komuniteteve të Ndara” në Bruksel. Zyra financon gjithashtu Programin e Paqes të BE-së.
Hahni tha se mbështetja financiare e projekteve të tilla është e rëndësishme. Edhe pse BE po përballet me një krizë financiare, Hahni tha se nuk do të ketë shkurtime në këtë pjesë të buxhetit të BE-së.
“Këto projekte janë thjesht një domosdoshmëri sepse ka ende mjaft punë për t’u bërë. Kohezion ekonomik, territorial e social. Kjo është diçka që çdo program i BE-së e ka, pavarësisht nga zona. Këto gjëra janë treguar të zbatueshme kur vjen puna te zgjidhja e tensionit etnik e social,” tha Hahni.
Artikuj që kanë lidhjeGenc Goranci, koordinator i Qendrës së Dialogut Nansen të Sarajevës, një OJQ që nxit pajtimin mbarëkombëtar dhe tolerancën në BiH dhe rajon, tha se procesi i pajtimit duhet të nisë nga niveli vendor.
“Natyrisht, duhet të ketë një mbështetje nga niveli institucional. Por receta më e mirë për pajtim bazuar në atë që na thonë të dhënat nga terreni është të kesh metodën vendore,” tha Goranci për SETimes. “Kemi bërë projekte të shumta në Srebrenicë e Bratunac dhe është treguar se dy grupe të ndryshme etnike, serbët dhe boshnjakët, mund të punojnë së bashku në disa fusha, të tilla si arsimi për shembull.”
Branko Todoroviç, kreu i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Republikës Sërbska, mendon se problemet që ndesh Ballkani janë të rëndësishme. .
“Eshtë shumë e lehtë të ngresh tensionet në Ballkan. Duhet vetëm një fjalë. Për fat të keq, pas kësaj është shumë e vështirë të riparosh gjendjen. Prandaj mendoj se duhet një kohë e gjatë për një pajtim të vërtetë sepse në dhjetë vitet e fundit janë thënë shumë fjalë të padrejta,” tha Todoroviçi për SETimes.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply