Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën për krijimin e “Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët”.
Kjo qendër do të ketë si qëllim studimin e specializuar të historisë, letërsisë dhe kulturës së komunitetit arbëresh.
Pjesë e rëndësishme e funksionit të kësaj qendre do të jetë kryerja e studimeve për komunitetit arbëresh, promovimin, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor tek ky komunitetit si dhe me organizimin e aktiviteteve, seminareve dhe konferencave shkencore të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh.
Gjithashtu botimi i studimeve të QSPA-së do të kryhet në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën.
Në kuadër të kësaj qendre do të funksionojë edhe Këshilli Koordinues, i përbërë me nëntë përfaqësues nga Akademia e Shkencave, Akademia e Studimeve Albanologjike, Ministria përgjegjëse për Politikën e Jashtme, Ministria përgjegjëse për Kulturën, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe katër përfaqësues të komunitetit Arbëresh një prej të cilëve nga komuna e Zarës në Kroaci.
Kjo qendër me seli në Tiranë do të nxisë bashkëpunimin mes studiuesve vendas dhe në Diasporë, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e studimeve të lidhura me botën shqiptare.
Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KËSHILLI I MINISTRAVE
VENDIM
Nr.601, datë 4.9.2019
PËR
KRIJIMIN E QENDRËS SË STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE
PËR ARBËRESHËT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000,
datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të
nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës
shtetërore”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.7893, datë 22.12.1994, “Për shkencën
dhe zhvillimin teknologjik”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën,
Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, në vijim
“QSPA”, si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të
ministrit përgjegjës për diasporën.
2. Misioni i QSPA-së është kryerja e studimeve të specializuara për historinë,
letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.
3. Burimet e financimit të QSPA-së janë:
a) buxheti i shtetit;
b) donacionet;
c) të ardhura të tjera, të ligjshme.
2
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS SË
STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE PËR ARBËRESHËT
4. QSPA-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe
drejton të gjithë veprimtarinë e qendrës dhe përgjigjet para ministrit
përgjegjës për diasporën. Ai emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të
ministrit përgjegjës për diasporën.
5. Marrëdhëniet e punës së titullarit, nëpunësve dhe punonjësve të QSPA-së
rregullohen sipas parashikimeve të Kodit të Punës.
6. QSPA-ja kryen detyrat dhe funksionet, si më poshtë vijon:
a) Kryen studime për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh;
b) Boton studimet në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, në
përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) Promovon ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kulturor të komunitetit
arbëresh;
ç) Organizon aktivitete, seminare dhe konferenca shkencore me fokus
komunitetin arbëresh.
7. Pranë QSPA-së funksionon Këshilli Koordinues, si organ këshillimor, për:
a) projektet e studimeve e të publikimeve të QSPA-së, në përputhje me
dokumentet strategjike për marrëdhëniet me diasporën si dhe me
programet kërkimore-shkencore;
b) përcaktimin e planit të aktiviteteve dhe çdo lloj organizimi tjetër, me
specialistë të fushës, që ofrojnë ekspertizë të specializuar në zbatim të
fushës së përgjegjësisë së QSPA-së.
8. Këshilli Koordinues i QSPA-së është organ kolegjial, i përbërë nga anëtarë,
i cili ka përfaqësues nga:
a) Akademia e Shkencave;
b) Akademia e Studimeve Albanologjike;
c) ministria përgjegjëse për politikën e jashtme;
ç) ministria përgjegjëse për kulturën;
d) Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës;
dh) Agjencia Kombëtare e Diasporës;
3
e) Tre përfaqësues të komunitetit Arbëresh, njëri prej të cilëve nga
komuna e Zarës, në Kroaci.
9. Mandati i anëtarëve të Këshillit Koordinues të Studimeve të QSPA-së është
4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
10. Anëtarët e Këshillit Koordinues të QSPA-së duhet të jenë drejtues të nivelit
të lartë të institucioneve të përfaqësuara, të cilët emërohen dhe shkarkohen
me urdhër të ministrit përgjegjës për diasporën, me propozim të titullarit të
institucionit përkatës. Përfaqësuesit e komuniteteve të arbëreshëve jashtë
vendit propozohen nga ambasadorët e akredituar në vendet që kanë
komunitete të arbëreshëve. Ministri përgjegjës për diasporën cakton njërin
nga anëtarët si kryetar të këtij këshilli.
11. Kryetari dhe anëtari i Këshillit Koordinues të QSPA-së shkarkohet para
mbarimit të mandatit 4-vjeçar:
a) kur lirohet ose shkarkohet nga funksioni drejtues, që ushtronte në
institucionin që përfaqëson;
b) me propozim të titullarit të institucionit të përfaqësuar, për shkak të
ndryshimit të misionit e të detyrave që ai kryen në atë institucion;
c) kur neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në
mbledhjet e Këshillit Koordinues.
12. Ministri përgjegjës për diasporën, 30 (tridhjetë) ditë para mbarimit të
mandatit 4-vjeçar ose menjëherë pas shkarkimit të anëtarit, i kërkon
institucionit të përfaqësuar në Këshillin e Koordinimit paraqitjen e emrit të
kandidatit për anëtar të këtij këshilli.
13. Struktura dhe organika e QSPA-së miratohen me urdhër të Kryeministrit,
sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe
funksionimin e administratës shtetërore.
14. Rregullorja e brendshme e punës e QSPA-së miratohen nga ministri
përgjegjës për diasporën, pas propozimit të drejtorit të saj.
15. QSPA-ja ka stemën dhe logon e saj zyrtare. Stema përbëhet nga stema e
Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë”, “Ministri
i Shtetit për Diasporën”, “Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për
Arbëreshët”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të
Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së
4
Shqipërisë. Logoja e QSPA-së, sipas modelit që i bashkëlidhet këtij
vendimi, vendoset në çdo publikim dhe studim të këtij institucioni.
16. Vula e QSPA-së ka formën dhe elementet sipas përcaktimit të vendimit të
Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit
dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në
përputhje me legjislacionin në fuqi.
III. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
17. Ngarkohet ministri i Shtetit për Diasporën, Akademia e Shkencave e
Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Ministria për Evropën
dhe Punët e Jashtme, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e
Diasporës dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë (Universiteti i Tiranës)
për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren Zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2020.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Burimi/diaspora.gov.al
Leave a Reply