Robert Martiko
MESAZHE PAQE NE ZEMER TE ERRESIRES SE LUFTES SE DYTE BOTERORE – TË KUJDESESH PËR JETËN NJERËZORE
KY SHKRIM KA VLERE TE LEXOHET PER NJE SHOQERI SHQIPTARE PA RRUGEDALJE, PER TE KUPTUAR POLITIKANET MAFIOZE TE KRAHASUAR ME DRITEN E NDERSHMERISE DHE BURRERISE SE VERTETE. VLEN TE VIHET NE DUKJE SE PA MODELE MORALE ASNJE SHOQERI NE BOTE NUK MUND TE BEJE KEMBE PERPARA. SIDOMOS INTELEKTUALET ME PREJARDHJE NGA NJERIU I RI SOCIALIST DUHET TA LEXOJNE PER TE HAPUR SYTE E VERBUAR.
Dorëzimi i Sarandës pa gjakderdhje ndryshe nga sa ndodhi në Gjirokastër me ndërmjetës Bedri Spahiun. Mehmet Shehu vrau roberit e luftes italiane, ndonese nje gje e tille ndalohet me konventa nderkombetare. vrau madje edhe komandantin e tyre qe e kishte mik te tij, ngaqe mori urdher nga larte. -(Fragment nga libri “DINO MARTIKO DHE VJESHTA E VITIT 1943”, që do të botohet në të ardhmen.)
Kur dy personat e deleguar të batalionit partizan u futën në zyrën ku do të zhvilloheshin bisedimet për dorëzimin e qytetit, e para gjë që bëri Dinua, ishte që, nëpërmjet gradës ushtarake, të shquante midis ushtarakëve, Elio Betinin, komandantin italian të garnizonit të Sarandës. I bënë përshtypje rrathët e nxirë të syve të tij. Duhej të ishin pasojë e një nate të shqetësuar pa gjumë. Nuk e njihte më parë kundërshtarin për të nxjerrë qoftë edhe një konkluzion të vogël rreth natyrës së tij, diçka që mund ti hynte në punë gjatë bisedimeve.
Koloneli iu dha dorën dy të porsaardhurve me mirësjellje duke iu treguar dy karrige pranë tavolinës së gjatë, të vendosur në formën e germës ‘‘T’’, nëntëdhjetë gradë me tavolinën kryesore, ku gjendeshin të ulur anëtarët e shtabit të garnizonit.
Ishin gjithsej tetë ushtarakë. Midis tyre Dinua dalloi nënkolonel Manxonin që ndonëse kishte gradën më të lartë nga të tjerët, nuk qëndronte përbri Elio Betinit. Dinos i bëri përshtypje. Ashtu i prirë për tu kapur rreth gjithçkaje që do të mund ti gjendej e nevojshme në bisedime, që do të fillonin pas disa çastesh, mendoi se ndoshta komandanti i garnizonit nuk ishte aq fanatik sa Manxoni.
Përbri kolonelit qëndronte një burrë rreth të dyzetave me një pamje të gjallë, me gradën toger, që siç do të merrte vesh më vonë Dinua, kishte mbiemër të njëjtë me këngëtorin e famshëm italian, Enriko Karuzo. Dinua dalloi gjithashtu komandantin e karabinierisë, edhe ai me gradën toger. Në një rast bombardimi aeroplanësh aleatë, kishte dashur ta fuste në burg. Ky nuk e njohu. Ushtarakët e tjerë të pranishëm duhet të ishin përgjegjës të sektorëve të Xhenios, Rojeve të Financës, Aparateve Foto-elektrike, Furnizimit, Marinës e ndoshta të SIM-it, forcave të sigurimit të ushtrisë italiane.
Kolonel Manxoni nuk dha asnjë shenjë që e njihte Dinon. Të njëjtën gjë bëri edhe ky i fundit. Ndërkohë i pari pëlqeu të merrte në fytyrë një pamje snobuese. Veproi kështu sikur ta dinte qysh më parë se nuk bëhej fare fjalë, ti drejtohej për ti folur i pari një karakter i fortë si i deleguari i partizanëve.
Pamja e Manxonit sikur donte tu thoshte dy komunistëve të deleguar: Ç’më çani kokën! Hiqeni si engjëj, ndërkohë që unë e njoh edhe në gjumë farën tuaj të keqe…
-Përse keni ardhur zotërinj? -Iu drejtua Dinos komandanti.
-Dje ju dërguam një kërkesë me shkrim. Duam të dorëzoni qytetin e Sarandës pa luftë. Me gjithë armatimet, pajisjet e materialet që keni në depot tuaja.
-Këta të gjorë nuk kanë idenë se çfarë kërkojnë. -Iu drejtua Manxoni komandantit të regjimentit.
-Një moment. -Tha Elio Betini, për t’iu drejtuar përsëri bashkëfolësit të tij:
-Për çfarë armatimi e keni fjalën? –
Manxoni foli përsëri, pa pritur përgjigjen e Dinos:
-Në se komunistët kanë nevojë për dhjetë-pesëmbëdhjetë pistoleta mund t’ua japim falas, për mundimin që bënë duke ardhur deri këtu. Po të duan, mund tu japim edhe dy-tre arka plumbash teatri, për ti shkrepur lart në ajër, në rrugët e Porto Edës. Të festojnë gjoja dorëzimin tonë imagjinar para Hotel Pallas. Nuk besoj të kenë paturpësinë të na kërkojnë armatimin e rëndë të ushtrisë italiane. Nuk bëhet fare fjalë tua dorëzojmë. Kuptohet. Shqipëria nuk ka rrugët kryesore për së mbari, pa le rrugë fshati që të çojnë në mal. Kanë vetëm monopate dhish. Nuk kanë se çfarë t’iu hyjnë në punë komunistëve topat dhe obuset tanë! Gurë e baltë i kanë qytetet. Bitumin nuk e njohin, edhe pse kanë një minierë në Vlorë. Ne ua ndërtuam Tiranën, Vlorën, Porto Edën, ngaqë ata vetë janë duartharë. Vetëm malet i kanë njësoj si Alpet tona: shkëmb, gur, sorkadhe, ujqër, derra, cjape e dhi të egra. Jam kureshtar të dija se ç’do të bënin, sikur të na merrte Perëndia mendjen, t’u jepnim artilerinë e rëndë, për ta ngritur në majën e maleve. Projektorët e dritës në majë të Nemërckës, do ti bënin copë-copë me brirë stanbekët. E kam fjalën për atë cjapin tonë malor me brirë shumë të mëdhenj, që gjendet në Alpe. E di që këtu nuk ka stanbekë. Asgjë me vlerë nuk ka në Shqipëri.
-Ky është ose shumë i zgjuar ose shumë idiot. Një i çmendur i denjë për ta lidhur me çarçafë çmendine. E kuptoj që e bën për të më provokuar. -Mendoi Dinua duke u përpjekur në atë mënyrë të ruante gjakftohtësinë.
Manxoni iu drejtua fare papritur, ndërkohë që i pari nuk priste ti drejtonte fjalën.
-Nemërcka. Mirë e prononcova emrin e malit tuaj, apo jo!..
Tjetri nuk i dha kurrfarë rëndësie fjalëve të nënkolonelit. Nuk bëhej fare fjalë të korrigjonte germën e shqiptuar gabim. Manxoni dukej të mos ekzistonte fare në sallë për Dinon në ato çaste.
Pëlqeu ti drejtohej më mirë komandantit të regjimentit:
-Zoti Elio Betini, ju duhet të dini se kemi rrethuar ushtrinë tuaj në mënyrë aq të përkryer saqë jo vetëm ju, por as miza nuk del dot gjallë nga Saranda. Për ju ka vetëm dy mundësi. Dy dhe vetëm dy. Të dorëzoheni menjëherë dhe t’ju lejojmë të ktheheni në paqe në familjet tuaja ose ju, të parët, që jeni mbledhur këtu për të marrë në dorë fatin tuaj, të jepni shpirt porsa të guxoni të shkrepni pushkën e parë kundër nesh. Mos harroni që keni ardhur të paftuar. Dhe nuk duhet të vijoni të qëndroni kundër vullnetit tonë në Shqipëri! Nuk kërkojmë asgjë më shumë nga logjika heroike e Xhuzepe Garibaldit kundër austriakëve, që dikur iu mbanin të pushtuar padrejtësisht.
Dinua hodhi një vështrim të shpejtë në drejtim të Manxonit, si për ti krijuar iluzionin se ndoshta mund të zinte në gojë emrin e tij. Mirëpo vijoi ti drejtohej komandantit të garnizonit italian, si e vetmja shpresë se mund të realizonte dorëzimin e Sarandës pa gjakderdhje.
-Nuk kuptoj se për çfarë Porto Eda bëhet akoma fjalë. Eda Musolini është çupa e Duçes që sot mbahet në gjendje arresti me urdhër të Pjetro Badolios dhe mbretit Vitorio Emanueli. Emri i qytetit tonë është Sarandë, jo Porto Eda. Nëse ende mbizotërojnë të tilla mendime në shtabin tuaj, më mirë na njoftoni të largohemi. Të mos harxhojmë kohën me bisedime të kota. Dy herë mund të vë në dukje gjendjen e pa shpresë, për të shpëtuar jetën tuaj. Herë të tretë mos prisni të dëgjoni nga ne, si shtab partizan. Bëjmë thirrje për dorëzimin e armatimit. Mund të hapni një dritare me pamje nga mali për të parë. Partizanët mund ti dalloni me sy të zhveshur. Pa dylbi. E keqja është se sa më shumë kalon koha, aq më shumë rrezikoni. Ngaqë aq më shumë do të shumëfishohen partizanët nga forcat territoriale, që do të vijnë në ndihmë. Është një realitet që duhet ta merrni parasysh. Jeni krejtësisht të shkëputur nga divizionet e tjera italiane. Askush nuk do t’ju vijë në ndihmë, për t’ju shpëtuar në këto çaste. Përveç kësaj, vetë gjermanët, aleatët e tuaj të djeshëm, mund t’ju sulmojnë nga çasti në çast
-Çfarë mendoni? -Iu drejtua Elio Betini oficerëve të pranishëm në marrëveshje.
-Këtu të vdesim e të mos dorëzohemi. -U dëgjua përsëri nënkolonel Manxoni.
Një tjetër ushtarak i pranishëm, me gradën kapiten shtoi:
-Nuk thotë më kot proverbi: Fidarsi e bene, non fidarsi e meglio. (Të besosh është mirë, të mos besosh është akoma më mirë.)
Papritur Manxoni vendosi të tregonte se e njihte Dinon:
-E njoh personin e autorizuar nga Shtabi Partizan, që në këto çaste ndodhet këtu para nesh duke na kërcënuar. Para tre ditësh ka ardhur në banesën time për vizitë me Piredën, drejtorin e Bankës së Napolit. Rastisi të dëgjonim në radio lajmërimin e futjes në fuqi të Armëpushimit të Kasibiles. -Në fytyrat e italianëve u shfaq një farë habie e lehtë.
Nënkolonel Manxoni vijoi më tej:
-Dino Martiko ka qenë dy herë i burgosur nga ne. Shefi i Sigurimit të Ushtrisë Italiane, mund t’ju informojë më mirë për të. Është nga ata të burgosurit e rrallë që nuk zbërthehet lehtë në hetuesi. Një tip i rrezikshëm, kokëfortë, sa nuk bëhet. Është gjithmonë ekonomik në fjalët e tij. Kundër tij hetuesit përdorën metodën e pyetjes së pandërprerë. Gjatë dymbëdhjetë orësh e kaluan në pyetje gjashtë hetues. Përgjigjet e tij ishin të njëjta, gjithmonë të menduara me kujdes. Nuk lanë asnjë shteg për dyshim, aq sa hetuesi i fundit, në vend të lodhej kot më kot me të, i zgjati një cingare. E bëri këtë edhe pse dyshonte që i burgosuri gënjente. Këto mi tha vetë hetuesi të nesërmen e Armëpushimit. Siç e shikoni, ne e kemi trajtuar shumë mirë Dinon. Shkëlqyeshëm mund të thuhet. Ndryshe do të ishte të binte në një hetuesi Es-Es-ësh apo në Gestapo, që do ta kishin bërë copë-copë nga torturat. Akoma më keq po të binte në duart e inkuizitorëve të Jezhovit apo Beries në Rusi.
-Nuk i interesojnë fare shtabit tonë këto lloj hollësirash pa esencë. -Foli në mënyrë të prerë koloneli Elio Betini.
Manxoni vijoi më tej:
-Italia, edhe nën komandën e Pjetro Badolios është e pathyeshme. Ne nuk i dorëzojmë lehtë armët tona Jam i bindur që Aleatët do ti hedhim përsëri në det. Hitleri është i pathyeshëm. Benito Musolini i ka thënë mbretit tonë se shkencëtarët e fyhrerit janë në fazën e fundit të shpikjes së një arme të tmerrshme, që do të na bëjë zotë të gjithë Botës. Hitleri do ta çlirojë patjetër Duçen nga burgu. E pres me padurim këtë ditë. Pastaj do të shohim se me çfarë kuraje do të flasë Zoti Martiko dhe partizanët e tij. Nuk duhet të dorëzojmë armët, por të luftojmë deri në vdekje.
Dinos i bëri përshtypje që Manxoni fliste aq prerë e me aq shumë siguri. Ditën që në banesën e tij radioja komunikoi kapitullimin e Italisë, ai ishte bërë baltë në fytyrë. Më tej nuk kishte mundur të nxirrte asnjë gjysmë fjale nga goja. Gjithë kuraja e tij e mëparshme qe avulluar si me magji.
Pas tij u dëgjua të flasë oficeri që zuri në gojë proverbin rreth besimit e mosbesimit:
-Nuk mund të dorëzojmë armët. Do të ishte vetëvrasje për ne. Si mund të kemi besim se partizanët se do të mbajnë fjalën e nderit!
Dinua mendoi se duhej të ndërhynte patjetër në këtë pikë. Pati për një çast përshtypjen se fati ishte duke e ndihmuar. U ndie akoma më i gjallëruar shpirtërisht kur dëgjoi: fjalën e nderit. Ishin fjalë që kishin një kumbim të thellë për të.
Përbënin gjithë thelbin e qenies së tij njerëzore.
-Partizanët nuk kanë për t’ju prekur asnjë qime floku. Të jeni të bindur për këtë. Me një kusht. Vetëm nëse vendosni të dorëzoheni pa vonesë. Keni fjalën time të nderit për këtë. Veç, ta keni të qartë, unë nuk mund të garantoj jetën tuaj, nëse vonoheni. Nesër-pasnesër mund të vinë edhe ballistët. Edhe ata do t’ju kërkojnë të njëjtën gjë. Të dorëzoni armatimet. Jo më kot thoshte dikur një filozof i dëgjuar në Romën e Lashtë se mundësia për të vjedhur lind vjedhësin. Vijimi i mbajtjes së armëve nga ana tuaj është mjaft i rrezikshëm. Bëhen si brirët e sorkadhes në pyll kur pleksen me degët e pemëve. Vrapimi i saj merr fund. Iu krijon mundësinë ndjekësve t’i vërviten në grykë, për ta shqyer e bërë copë-copë. Duhet të vendosni menjëherë për dorëzimin e armëve. Sa më parë që të jetë e mundur. Nga çasti në çast, mund të zbresin reparte të tjera partizane, të cilat mund të mos varen fare nga unë dhe nga personi këtu, përbri meje, Avdul Hakiu. Gjithashtu mund të mos varet fare edhe nga një tjetër person i rëndësishëm, i cili më ka autorizuar për të hyrë me ju në bisedime.
Dinua nënkuptonte Jaho Gjolikun, komandantin e batalionit që kishte rrethuar Sarandën,
-Çfarë je ti përpara Partisë tënde!… Çfarë jeni ju të tre para Partisë tuaj!… Siete tutti voi una grande nullità. (Të gjithë ju nuk vleni asgjë.)
Ishte Manxoni që fliste përsëri.
-Ju nuk jeni asgjë përpara Partisë tuaj. Po të dojë, ajo ju zhduk si mizat nga faqja e dheut. Noi non abbiamo il prosciutto sugli occhi. (Nuk i kemi sytë të mbyllura). Ju mburreni në Partinë tuaj Komuniste se jeni të barabartë me njëri tjetrin. Se gjoja do të sillni në botë barazinë midis njerëzve. Këto nuk janë veç përralla me princa e princesha të bukura. Të flasim hapur midis nesh, Dino. Me dorë në zemër. Si burra të vërtetë. Duhet ta pranosh se ne dhe ju jemi kriminelë të lindur. Jemi gjakësorët më të mëdhenj që njohu Historia e Njerëzimit deri në ditët e sotshme. Atila, Xhenghis Khani, Timur Lengu, Konti Drakula janë lepuj të vërtetë para Hitlerit e Stalinit. Kjo ndodh sepse ne kemi thirrur në ndihmë ideologjinë. Të mëparshmit nuk e njihnin fare këtë lloj hileje fitimtare. Jemi tipa shumë të ngatërruar ne dhe ju. Jemi vampirë. Nuk ngopemi me gjak njeriu. Tjetër është propaganda që veçanërisht juve, ju paraqet si engjëj me krahë të praruara, të rënë nga qielli. Sikur gjoja do të sillni paqen e Krishtit apo Mbretërinë Qiellore në Tokë. Sikur gjoja do të shpëtoni njerëzimin njëherë e mirë nga të gjitha të këqijat. Roba da pazzi! (Idiotësira!) Një ditë, kur komunizmi do të bjerë në Rusi, apo kudo ku do të mund të vendoset në Botë, nuk do të lërë nga pas veç miliona kufoma e gërmadha. Ju, kur merrni pushtetin në dorë, jeni njëmijë herë më shumë kriminelë nga ne, fashistët e nazistët. Ndryshimi është se, ndërkohë që ne jemi të sinqertë në egërsinë tonë, ju jeni gjakpirës të fshehur. Paraqiteni kokulur, gjoja të ndershëm, deri sa arrini të merrni pushtetin në dorë. Hiqeni sikur jeni drita e botës. Në të vërtetë, nuk jeni asgjë tjetër veç ca farisenj e skribë hipokritë! Prisni kohën e duhur për të nxjerrë në pah dhëmbët e fshehur të tigrit të Bengalës. Të komunizmit të egër aziatik. Ne e dimë shumë mirë se ç’ndodh në Rusi, matanë Perdes së Hekurt. Prandaj i kërkoj shtabit të mos besojë asnjë fjalë nga sa thotë përfaqësuesi i partizanëve, sado të përbetohet për fjalën e tij të nderit.
-Ndryshe nga sa do të më këshillonte natyra ime gjaknxehtë në kushte të tjera, më duhet të të përballoj me durim o qenie e provokuese. Veçanërisht tani që je duke vënë në dyshim gjënë më të shenjtë për mua: fjalën time. -Mendoi Dinua për kolonelin, pa dhënë as shenjën më të vogël në fytyrë se fjalët e fashistit fanatik e kishin ngacmuar. Rrathët e nxirë të syve të komandantit të garnizonit, Elio Betinit, ndoshta nga ankthi i tij i ndershëm, për fatin e ushtarëve të tij, sikur i dha ushqim të mëtejshëm mendimit të tij. Të njëjtën përgjegjësi ndiente edhe ai vetë për fatin e partizanëve të batalionit, që mbanin të rrethuar qytetin. Nuk duhej të vritej asnjë. Të mos qante asnjë nënë për ta. Prandaj e linte të fliste Manzonin, pa reaguar ndaj tij. Një zë i brendshëm vijonte ti fliste Dinos me mençuri se nuk duhej ta kthente në asnjë mënyrë atë përpjekje me karakter njerëzor në një problem vetjak.
U ndie akoma më i sigurt, kur vendosi të konsideronte nënkolonelin thjesht, një njeri të çmendur. Në të vërtetë, Manxoni, me fanatizmin e tij skajor, e ndihmoi Dinon për të bërë krahasimin me komandantin e garnizonit. Iu duk se ata të dy, si karakter, kishin ndryshim si nata me ditën me njëri tjetrin. Edhe pse pushtues të vendit të vet, çuditërisht Dinua e konsideroi Elio Betinin një ushtarak të ndërgjegjshëm, në mënyrë skajore të përgjegjshëm për trupat që kishte nën komandën e tij.
-Zoti Betini, kam përshtypjen se në rastin tuaj kam të bëj me një ushtarak serioz. Le të lemë mënjanë se çfarë dëgjohet këtu në sallë, për oficerët Es-Es, të Gestapos apo të NKVD-së ruse. Të paktën për mua, e vërteta është se oficerët italianë, sigurisht me përjashtime të rralla, janë shumë herë më tepër dinjitozë nga oficerët gjermanë. Këtu nuk kemi ardhur për të zhvilluar bisedime teorike rreth Historisë së Botës, por për të ndërmarrë veprime konkrete. Me karakter praktik. Në qoftë se nënkolonel Manxoni ndien kënaqësi të thellë në shpirt, të më krahasojë mua me veten e vet: si kriminel, dhe unë, sipas tij, një ballkanas me instinkte të egra, duhet të ndjehem i kënaqur në shpirt nga kjo, duhet të dijë se bën gabim. Sot bota është duke arritur modele shumë herë më të admirueshme nga ky lloj shkatërrimi tragjik që shkaktoi Benito Musolini në Itali. Jo më kot thonë në vendin tuaj: Chi semina vento raccoglie tempesta. (Kush mbjell erën korr stuhinë.) Mua nuk më bie për pjesë të flasë në emrin tuaj si italianë, por Italia e të ardhmes do të ndërtohet sipas modelit amerikan, francez, anglez, australian, kanadez. Do të jetë një Itali e organizuar, njerëzore, me shtet juridik, demokraci, pa luftë, armë e tragjedi nga ato që rezervojnë demagogë e tipa si të përngjashmit e nënkolonelit tuaj.
-Më duket se Zoti Martiko është duke na marrë për budallenj. Dhe e bën një gjë të tillë hapur. Në mes të ditës. Si është e mundur të marrë si shembull modelin perëndimor dhe jo modelin sovjetik! Ai është komunist. Nga asgjëja nuk mund të lind asgjë. Ja një arsye më shumë për të mos e besuar. Amerikën mund ta lavdërojë e djathta shqiptare, ballistët bie fjala, zogistët, organizata e Legalitetit… Si është e mundur e majta ekstreme të ngrejë në qiell Amerikën apo Çurçillin!
-Mos u tregoni kaq absolut në fjalët tuaja, zoti Manxoni. Ju e dini shumë mirë që misionarët anglezë tregojnë më shumë interes për komunistët se sa për ballistët këtu në Shqipëri. -Tha komandanti i garnizonit, Elio Betini.
-Atëherë, ju takon juve të vendosni përfundimisht zoti Betini. Koha është e çmuar për të gjithë. -Përfundoi në mënyrë të prerë Dino Martikua, duke bërë një gjest sikur do të ngrihej nga tavolina e bisedimeve.
Sytë e kolonelit u ndriçuan për një çast prej një drite të brendshme.
Më tej zëri i tij u duk të dridhej nga emocioni.
-Ndonëse është një gjë mjaft e vështirë për mua si ushtarak, do të vendos të dorëzoj Sarandën, zoti Martiko. Do t’ju dorëzoj edhe armatimin e rëndë. Sa për ushtarët tanë, ata do të vijojnë të mbajnë armatimin e tyre personal deri sa të futemi në anije, për tu larguar.
-Vetëm armatim të lehtë do të mbajnë ushtarakët italianë. -Shtoi Dinua. -Asnjë mitraloz të lehtë apo të rëndë.
-Jam dakord. -Shtoi Elio Betini
-Mund të caktoni dikë për të na shoqëruar drejt depove tuaja.
-Do të vi t’ju shoqëroj vetë.
-E shumta brenda një çerek ore, batalioni partizan do të jetë në qytet. Pastaj, në mënyrë të organizuar, do të fillojë të marrë në dorëzim materialin ushtarak.
Paskëtaj dy të deleguarit e shtabit partizan, Dinua e Abdul Hakiu, iu drejtuan derës. Më parë ata u kujdesën ti jepnin dorën kolonelit.
-Udhëtim të mbarë për në Itali, me anijen e ankoruar në liman. -Uroi Dinua Elio Betinin.
-Nuk do të udhëtoj për në Itali.
I pari për një çast pëlqeu të mos fliste. Përqendroi vështrimin në sytë e bashkëfolësit. Me habi të pikturuar në sy, priti përgjigjen. Sipas natyrës së tij të ndershme, mendoi se nuk duhej të pyeste. Mund të bëhej fjalë për një sekret me karakter ushtarak. I nxitur nga ideja e një figure vetiake pa njollë, mendoi se nuk duhej të krijonte përshtypjen e gabuar te Elio Betini se mund të vihej në rolin e një informatori. Nuk mund ta tradhtonte, nëse bëhej fjalë për mirëbesim nga ana e kolonelit.
Vendosi të mos pyeste.
-Zoti Martiko, vendosa të dorëzoj Sarandën ngaqë u befasova nga karakteri tuaj i veçantë. E para, kur dallova se si shkëlqyen sytë tuaj, kur u dëgjua e ashtuquajtura fjalë e nderit. Janë fare të paktë njerëzit në ditët e sotshme që i preokupon fjala e dhënë. E dyta, në përpjekjen tuaj të ndershme, për të arritur një marrëveshje pa gjakderdhje, dallova që, edhe pse jetojmë në kohë të vështira, jemi dy qenie që kujdesemi për jetët njerëzore: unë për ushtarët e mi dhe ju për partizanët tuaj. Siete un Uomo di valore, senza dubbio. (Jeni një njeri me vlerë, pa dyshim.) Dorëzova Sarandën, veç jo nga frika. Nesër, së bashku me rreth 4.000 burra do të udhëtojmë drejt Korfuzit, për të ndihmuar garnizonin italian. Nuk dyshoj se me gjermanët do të ketë luftë të egër. Nuk mund të lë në mëshirën e fatit Luixhi Luzinjanin, komandantin e ishullit grek. Qoftë edhe sikur të më duhet ta paguaj me jetën time. Do ta paguajë edhe një vajzë e vogël që kam në Itali, të cilën mund të mos e shikoj më kurrë. Povera Graziella… -Koloneli u drodh për një çast.
Në sytë e tij të mëdhenj u shfaqën shenja loti.
Edhe Dinua u prek. Ndjenjës së shkaktuar nga suksesi i dorëzimit të Sarandës pa gjakderdhje, i shtohej edhe gëzimi se porsa kishte zbuluar edhe ai një individ të rrallë si Elio Betini, me të njëjtat parime ndershmërie e ndjenja njerëzore.
-Atëherë ju uroj një fat të mbarë zoti Elio Betini. Edhe unë dallova te ju një njeri me vlera tepër të larta njerëzore.
-Ndoshta rastis të takohemi ndonjëherë pas luftës. Ju uroj gjithashtu një fat të mbarë, zoti Martiko.
Dy burrat pasi shtrënguan duart, u përkulën lehtë me respekt në drejtim të njëri tjetrit.
I pari do të vritej në Korfuz nga gjermanët pas disa ditësh përpjekje heroike. Tjetri do të shuhej i moshuar në burgun e tij të fundit, në ferrin komunist që gabimisht pat ëndërruar, si për të vënë në vend fjalët profetike të ish drejtorit të Bankës së Napolit: “Me ndershmërinë tënde të rrallë, viktima e parë e pushtetit për të cilin përpiqe me mish e me shpirt, do të jesh ti.”
Burimi/Facebook


Leave a Reply