Nga Mero Baze
Nga mënyra se si Berisha po orienton debatin politik para zgjedhjeve, duket se e bija e tij, Argita Berisha, po pranohet zyrtarisht si përfaqësuesja më zyrtare e pushtetit. Përveç skandaleve të saj, që fshihen pas çdo firme të babait për koncesione dhe privatizime, ajo po merr një peshë të madhe politike në opinion publik jo vetëm si përfaqësuese e pushtetit dhe simbol i korrupsionit, por dhe si luftëtare politike kundër opozitës. Asnjë figurë tjetër politike apo e pushtetit brenda PD-së nuk ka konsumuar kaq politikë në emër të pushtetit sa “Zonja 3 milionë euro”.
Disa ministra të Partisë Demokratike si Ridvan Bode, Sokol Olldashi, Genc Ruli, Genc Pollo, apo ndonjë tjetër që kanë tetë vjet ministra, janë lënë në hije, thua nuk kanë qenë fare ministra këto tetë vite dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur. Koncesionet e Genc Rulit i mbron Argita, rrugët e prokuruara nga Olldashi i mbron Argita, bonuset financiare për biznesmenë klientë të Familjes, që jep Bode, i mbron Argita, bile dhe fibrat optike të Pollos i mbron Argita nëse paraqitet nevoja. Tërheqja e tyre në hije për punën dhe privilegjin që kanë pasur si ministra, dhe nxjerrja në betejë e Argitës si avokate e pushtetit të tyre, biles dhe e partisë së tyre, tregon një lloj mungese të dëshirës së tyre për të mbrojtur një histori që ka pas firmën e tyre, por jo vullnetin e tyre. Dihet se ndikimi i së bijës së kryeministrit në vendimmarrjen e qeverisë ka qenë prezent në çdo shkresë dhe vendim, qoftë përmes ndërhyrjes së saj direkt, qoftë përmes rrjetit klientelist të emërimeve të saj në administratë, që kanë punuar si një SHPK e pushtetit për Familjen.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen në publik nuk është vetëm avokatia e Argitës për historitë e agjendës së saj me pushtetin, por dhe sulmet e saj sikur të ishte kryetare e PD-së. Në një mënyrë të paprecedent, ajo dërgoi kushërirat e saj, një nga nëna dhe tjetrën nga babi, si protestuese para shtëpisë ku ka lindur dhe është rritur në mes të Tiranës gruaja e kryetarit të opozitës, pa pasur drojë se në Tiranë mund të ngjallet një lloj racizmi ndaj të ardhurve që u protestojnë tek shtëpia ku kanë lindur. Ajo po ashtu është angazhuar në betejë personale kundër kryetarit të opozitës, duke u sjellë jo më si e bijë e babait, por si partnere e tij në politikë.
E kapur në flagrancë më një histori, e cila në çdo shtet normal do e kishte çuar pas hekurave në qeli, duket se ajo po përpiqet të marrë ngarkesë të madhe politike që ta ketë si imunitet në rast të ndryshimit të pushtetit. Duket se Argita Berisha, shpreson që pas 23 qershorit, kur dikush mund ta thërrasë dhe si të pandehur, të mos mbrohet si avokate e Ansarit, por si përfaqësuese e PD dhe si luftëtare e ish- liderit të opozitës, që mund të jetë kryeministër.
Berisha është një figurë e padiskutueshme në këtë PD që ka mbetur, dhe atij ajo parti ia ka pranuar dhe autoritarizmin, por nuk është e vërtetë që ia pranojnë kaq lehtë fëmijët si partnerë në politikë. Është kjo arsyeja që Argita po merr më shumë se gjithë PD-ja së bashku rol politik antiopozitar dhe si avokate e pushtetit të babait.
Ajo ka së paku një muaj që është figura e vetme politike e pushtetit në betejë me opozitën dhe enturazhi i saj është i vetmi që po tenton të përfshihet në kriminalizimin e opozitës. Segmente policore po përpiqen të krijojnë dosje për faktorë opozitarë, po tentojnë të inskenojnë histori kriminale apo afera për t’i përdorur politikisht, dhe në shënjestër janë ata opozitarë që kanë atakuar direkt Argitën.
Ky mobilizim i skajshëm i saj, dhe kjo linjë e re komanduese që ajo po ndërton brenda pushtetit, janë shenja të qarta se ajo ka hyrë tashmë në politikë zyrtarisht.
Nuk di nëse Berisha do ta vendosë apo jo në listën e deputeteve, pasi kjo është një çështje që mund të diktohet dhe nga taktika elektorale, por e sigurt është se ajo është bërë faktori më i rëndësishëm politik i pushtetit. Më 23 qershor, është apo nuk është në listën e votimit, shqiptarët do të votojnë për të, si përfaqësuese e pushtetit. Secili prej tyre kur të shkojë tek qendra e votimit, do të ketë parasysh se pushteti është përfaqësuar së paku gjashtë muajt e fundit jo nga kryeministri, por nga e bija e tij. Nga ajo kemi dëgjuar për koncesione, për privatizime, për trafik armësh, për fshatra turistik, për shitje blerje energjie, dhe po nga ajo kemi parë protesta tropojanësh para një shtëpie në kryeqytet, akuza për gruan e kryeopozitarit dhe arrogancë për të mos shpjeguar kurrë se si u bë miliardere. Është kjo arsyeja që ajo jo vetëm do të votohet më 23 qershor, por do të jetë figura më e fokusuar politike e këtyre zgjedhjeve. Çështjen e listës babai dhe ashtu e ka një formalitet dhe nuk i hyn në punë kujt. Shqiptarët do të ndahen mes të tjerash pro dhe kundër saj.
Tema
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply