
Kreu i FRD: Hidrocentralet dhe uzinat u shitën për klanet e pushtetit. Shehu: FRD do i përfaqësojë dibranët me kandidatë dinjitozë
Drejtues të lartë të Frymës së Re Demokratike ishin në Burrel për t’u shpalosur matjanëve alternativat që ofron programi i kësaj force.
Kryetari, Bamir Topi, u tha pjesëmarrësve në takim se politika qeverisëse e pamoralshme nuk mund të tolerohet më.
“FRD u krijua për t’i kthyer besimin qytetarëve dhe për t’i thënë zotërinjve të PD dhe PS që ju nuk ishit arkitektë të ndryshimeve kushtetuese, por ishit shkatërrimtarë të institucioneve,” shtoi më tej Topi.
“Populli i Matit po përballet me varfërinë që i ka sjellë shitja e pandershme e minierave, uzinave dhe hidrocentraleve për interes të klaneve të pushtetit dhe jo të matjanëve,” deklaroi kryetari i FRD-së.
Ai i kujtoi të pranishmëve premtimet e pambajtura të kryeministrit për Rrugën e Arbrit.
Nga Burreli Topi u bëri thirrje qytetarëve ta largojnë me votë pushtetin e korruptuar, duke shprehur bindjen se 23 qershori do të jetë data e rotacionit të pashmangshëm politik.
“Në 23 qershor, Burreli, Mati, Dibra kanë nevojë për një përfaqësim ndryshe në parlamentin shqiptar dhe unë ju siguroj se FRD do të ketë kandidatë dinjitozë,” tha Sali Shehu, Sekretari Organizativ i FRD-së.
Para banorëve të Burrelit, Shehu u shpreh se “në këtë zonë FRD do të ketë mbështetje dhe përkrahje popullore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
Takimin e përshëndetën edhe nënkryetarja e FRD-së, Valbona Duri, kryetari i degës së Burrelit, Qemal Cani, përfaqësuesja e gruas, Elisabeta Gjergji, dhe studentja Esuela Farruku.
Përfaqësuesit vendorë të Frymës së Re Demokratike i bënë thirrje qytetarëve të përkrahin këtë forcë që vjen si alternativë e re në politikën shqiptare.
Tema
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply