Gazetari dhe autori i “Abc Story” Ferdinand Dervishi, ngre alarmin se grupet kriminale vazhdojnë të vendosin gjoba 1 milion euro ndaj biznesmenëve në Shqipëri.
Në një intervistë për Gazetën MAPO, ai tregon se ka raste kur gjobat vendosen edhe nga qelitë e burgut. Ai thekson se situata e krimit është e rëndë dhe se politika ka rolin e saj, ku i ka përdorur grupet kriminale për të fituar vota dhe sot këto grupe marrin favore nga shteti.
“Në këtë moment ka lidhje të pushtetit me bandat. Unë nuk e di sa më përpara kanë qenë të lidhura dhe nuk e vë dorën në zjarr se sa kanë qenë të lidhura, sepse edhe mund të kenë qenë, por kjo është një lidhje e 2016-ës, sepse nga 2016-ta e këtej ne kemi këto problemet që ne si gazetar edhe i kemi thënë që, kjo sasi e madhe që do të çohet andej matanë do të ketë problemet e veta dhe do të ketë viktimat e veta, sepse në momentin që thyhet linja e trafikut dhe që luhen këto një ton, e dy ton, e tre ton që do të bëhen një milion dollarë e dy milionë dollarë, duhet një kokë përgjegjëse, dhe kokat, vlonjatët e kanë marrë e kanë kaluar krimin që gjithmonë është një hap përpara fuqisë së strukturave të shtetit për ta paralizuar atë, është gjithmonë një hap përpara, ka gjetur si metodë zhdukjen e personave, që është metodë edhe më e mirë sesa vrasja me pagesë, sepse s’ka vendngjarje. Nëse dy të parat kanë vendngjarje, kjo s’ka vendngjarje fare, s’ke si ta vërtetosh, do të presësh pesë vite derisa të dalë gjykata me një njoftim që ky person rezulton i zhdukur”, shprehet Dervishi.
Por a vendosen gjoba sot nga grupet kriminale ndaj bizneseve?
“Ky fenomen nuk është zhdukur asnjëherë. Thjesht mund të themi gjobat tani janë më të mëdha. Tani nuk del njeri që të rrezikojë për një gjobë të vogël, por ka patur një evoluim krimi, që futet te krimet cilësore. Në Tiranë kanë qenë dy grupe kriminale që kanë vendosur gjoba. Në 2015 më kanë raportuar që nuk janë më dy grupe kriminale që vendosin gjoba në kryeqytet. Kjo e dhënë më është raportuar nga shumë personazhe në Tiranë, nga avokatë etj. Janë më shumë se dy grupe që vendosin gjoba mbi 1 milion euro në Tiranë. Ekziston si fenomen, jo vetëm në Tiranë. Në kryeqytet vendosja e gjobave është zhvilluar për shkak edhe të ekonomisë, por edhe në rrethe vendosen gjoba. Mund të them se gjoba nga grupet kriminale vendosen edhe nga burgu. Në Shqipëri bëhet biznes i trafikut të drogës edhe nga burgu dhe rezultatin e dimë. Personazhe që kanë qenë të dënuar me burgim të përjetshëm, sot nuk janë më”, deklaron gazetari Ferdinand Dervishi.
.
© SYRI.net


Leave a Reply