Lajmet e rrejshme në kryefaqet e mediave (portaleve) online
Publiku të mos informohet nga mediat anonime
Toni Ujkaj
Lajmet e rreme ose siç njihen me termin ndërkombëtar “Fake news” janë ato lloj informacionesh që i raportohen masës jo për t’i informuar me objektivitet, atribuim burimesh dhe provash faktike por si objektiv parësor të tyre e kanë sensacionalizmin te publiku, me qëllim për të arritur një përfitim të caktuar.
Në jetën e përditshme, jo rrallëherë jemi të ekspozuar ndaj lajmeve të ndryshme të cilat përmbajnë tituj dhe përmbajtje sensacionale, por në thelb janë të pandershme, duke mos respektuar parimet dhe etiken profesionale të profesionit, shpeshherë lajme të fabrikuara të cilat nuk mbështeten në fakte.
Lajme të tilla më së shumti hasim tek mediat online (portalet) dhe jo te mediat serioze të cilat si mision të tyre primar e kanë informimin e publikut në mënyrë të denjë, me një qasje të ndershme dhe profesionale ndaj pasqyrimit dhe raportimit të ngjarjeve, me objektivitet dhe qasje të balancuar, të cilat zbatojnë standardet dhe parimet profesionale sipas ligjeve të vendit përkatës dhe të medias, por edhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të informimit.
Në epokën e sotme të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dixhitale, për fat të keq çdokush është bërë “ gazetar – reporter“ të cilët kanë krijuar një mori të pafund të mediave online (portaleve) të cilave u mbetet anonime edhe adresa edhe drejtuesi i rrjetit dhe si të tillë ata janë të predestinuar dhe e kanë praktikë të përditshme pune fabrikimin e lloj – lloj lajmi për ndodhi të ndryshme jetësore, kryesisht të karakterit negative, duke cënuar kështu çdo kriter etik dhe profesional dhe duke e zbehur dhe njollosur edhe statusin e gazetarëve të ndershëm dhe profesionistë që punojnë aq me dinjitet dhe përkushtim ndaj publikut dhe pozicionit që mbulojnë.
Këto lloj mediash përhapin propaganda të ndryshme, shpifje, shantazhe, akuza të paverifikueshme. Këto në shumicën e rasteve krijohen për interesa të individëve dhe grupimeve të ndryshme të interesit, më së shumti nga politikanë të suksesshëm apo të dështuar, të cilët duke mos gjetur hapësirë në media serioze për të promovuar demagogjinë e tyre të pandryshuar politike, i përdorin portalet si “armë” të tyre për të komprometuar rivalët e tyre politikë e në favor të vetes.
Lajmet e rreme ose “Fake news” i raportojnë ato “media” të cilat nuk njihen si kredibile dhe me reputacion, të cilat nuk preokupohen dhe impenjohen për verifikimin e burimit të lajmit, për objektivitetin e saktësinë dhe ato shpeshherë janë lajme tendencioze për të diskredituar, denigruar dhe për të dëmtuar skajshmërisht imazhin e një individi të caktuar ose të një grupi individësh që veprojnë në shoqëri.
Portalet ose siç disa analistë i kanë etiketuar së fundi si “porthale” të cilat nuk kanë si synim informimin e mirëfilltë, janë lehtësisht të identifikueshme pothuajse edhe nga një lexues i rëndomtë, sepse brenda lajmit që ato plasojnë në tregun mediatik ka elementë që potencojnë favorizimin dhe mbështetjen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi të një individi ose një grupi interesi të caktuar të fushës së politikës, ekonomisë, etj.
Një raportim i tillë menjëherë bën të mendosh dhe logjikisht të besosh se këto lloj mediash online i kanë themeluar dhe i financojnë pikërisht këto grupe interesi për qëllime dhe përfitime të tyre të shumëfishta.
Lajmet e rreme hidhen në treg për të arritur profite të ndryshme politike, ekonomike, për qëllime të sigurisë dhe për interesa të tjera, mirëpo është e rëndësishme që masa të përzgjedhë dhe të gjykojë se cilat makineri të shpërndarjes së informacionit kanë krijuar besueshmëri dhe reputacion në pasqyrimin dhe raportimin e ngjarjeve të përditshme, të informohen pikërisht nga këto media dhe të shmangen nga portalet dhe adresat e rrejshme të rrjeteve të ndryshme sociale të cilat i kanë venë vetes si mision “informimin e masës“ për ngjarjet e ditës.
Këto lloj adresash “informative” jo vetëm që ndodhen vite dritë larg informimit të mirëfilltë, etik dhe profesional por si rrjedhojë sjellin dëme kolosale në një sërë sferash shoqërore dhe kjo vjen si pasojë e dezinformimit që disa media e manipulojnë dhe e tjetërsojnë një ngjarje (histori) e cila botërisht njihet si e vërtetë.
Analistët e medias kanë potencuar se mediat të cilat prodhojnë dhe publikojnë lajme të rreme do të duhej të mbajnë përgjegjësi dhe të ndëshkohen, veçanërisht kur ato transmetojnë lajme të cilat nxisin urrejtje, diskriminim apo çfarëdolloj dukurie negative dhe ato të cilat merren me jetën private të individit me përjashtim të atyre që mbajnë statusin (VIP).
Nga viti 2016 e këndej, termi “Fake News” apo (lajme të rreme) është në fokus të mediave serioze dhe të gazetarëve të cilët i konsiderojë lajmet e rreme një kërcënim serioz për gazetarinë e mirëfilltë duke arritur në konkluzionin se ato më shumë shkaktojnë dëme dhe prodhojnë antivlera sesa sjellin dobi për masën e gjerë.
Prodhimi dhe publikimi i lajmeve të rreme duke mos iu përmbajtur asnjë kriteri profesional, nuk është produkt i gazetarëve profesionistë dhe të përgjegjshëm por, përkundazi është “produkt” i gazetarëve të papërgjegjshëm e të pakualifikuar të cilët duke qenë të tillë janë të prirë të shkelin çdo normë të kodit etik profesional e të profesionit që ushtrojnë.
Shikuar në këtë prizëm publiku i cili është i ekspozuar më shumë se kurrë përballë një lumi të pashtershëm të informacioneve, duhet të di të gjykojë në përzgjedhjen e mediave nga të cilat e thithin informacion, të shikohet se cili portal e ka dhënë, a është mjaft i besueshëm për publikun, kush e ka shkruar lajmin që raportohet, etj dhe në këtë mënyrë ata do të shmangin atë huti dhe dilemë të të informuarit saktë, ndershmërisht dhe me objektivitet.
Lajmet e rrejshme në kryefaqet e mediave (portaleve) online
Leave a Reply