
Kurrsesi. Në momentin që pranojmë se veriu i vendit është një problem i cili duhet negociuar me Serbinë, ky është hapi i parë i heqjes dorë nga sovraniteti i plotë. Kosova në vend se të hyjë në negociata me Serbinë për veriun, do të duhej të ndërmerrte hapa të njëpasnjëshëm, në kuadër të një strategjie gjithëpërfshirëse, për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.Cila është strategjia e Vetëvendosjes për kundërshtimin e këtij dialogu?
Ne do ta kundërshtojmë këtë dialog dhe do të bëjmë të pamundurën për ta ndaluar krejtësisht. Për një gjë të tillë do të përdorim mjete e metoda të ndryshme, nga kundërshtimi i dialogut në Kuvend, aksionet e ndryshme politike, protestat me qytetarët gjithnjë e më të pakënaqur, e deri te mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Thaçi. Një gjë është e sigurt: për t’i ndaluar këto procese të dëmshme që mund të sjellin pasoja historike për vendin, duhet ndalur qeverisja aktuale.
Si e mendoni unifikimin e opozitës?
Në funksion të ndalimit të shpronësimit masiv që po i bëhet Kosovës, qoftë në aspektin territorial, qoftë në aspektin e resurseve dhe ndërmarrjeve me rëndësi strategjike që po shiten lirë e shpejt, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë e të koordinohemi me të gjithë njerëzit që kanë vullnet të mirë, qoftë nga opozita, shoqëria civile, por edhe me qytetarët drejtpërdrejt. Ne tashmë kemi filluar diçka të tillë. U kemi dërguar letra udhëheqësve të partive politike që janë në opozitë dhe kemi kërkuar nga ta që të kemi një takim të përbashkët ku do të bisedonim lirë e hapur se si mund t’i koordinojmë veprimet për të mbrojtur interesin e përgjithshëm.
A ka krizë politike në Kosovë?
Kriza politike në Kosovë ka qenë dhe mbetet konstante. Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij janë emri dhe shkaktari i kësaj krize. Aq shumë dëme i ka shkaktuar vendit ky njeri, sa tashmë e ka të pamundur të mos bëj dëme prapë. Problemi është bërë gjendje problematike. Ky njeri i korruptuar e i shantazhuar ka hyrë në rrugë të gabuar ku e ka futur mandej edhe Kosovën.
A pritet në vjeshtë votëbesimi ndaj qeverisë Thaçi dhe a do të jetë Vetëvendosje pjesë e ndonjë riformatimi të qeverisë?
Ne do të insistojmë vazhdimisht në votëbesimin e kësaj Qeverie. Siç e dini, një gjë të tillë e patëm filluar në kohën e marrëveshjeve që bëheshin me Serbinë, gjegjësisht kur u lidh marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, me ç’rast Qeveria u pajtua që kufijtë e Kosovës të quhen kufij administrativ. Prej asaj kohe e deri sot vetëm sa janë shtuar arsyet për ta bërë një gjë të tillë. Ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie që program politik ka negociatat me Serbinë dhe shitjen e pasurive tona nacionale.
Ju gjithnjë deklaroheni për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, por në zyre nuk keni simbolet e shtetit të Kosovës?
Ne duam që shteti i Kosovës të jetë shtet që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës e jo paragjykimet e të tjerëve ndaj nesh. Multietniciteti është paragjykues dhe ndarës qysh nga përmbajtja e këtij nocioni. Ai na sheh neve të gjithëve që jetojmë në Kosovë si bashkësi etnike e jo si kombe. Duke na parë si etni ndërkombëtarët e vendosin veten e tyre në pozicionin superior prej nga edhe e legjitimojnë sundimin e tyre këtu. Duke na parë kështu, pra si etni që s’e durojnë dot njëra-tjetrën, edhe problemi i Kosovës definohet si problem i mungesës së tolerancës e jo si problem i aspiratave hegjemoniste të shtetit serb kundër një populli të shtypur. Ne nuk e duam Kosovën aktuale, pikërisht se e duam shumë Kosovën e të ardhmes. Flamuri i Kosovës përveçse mohon historinë tonë dhe synimet tona, ai është edhe jodemokratik: nuk pati referendum për të dhe as debat në Kuvend meqë deputetët e panë flamurin vetëm në momentin kur e votuan atë me aklamacion. Seanca kur u shpall pavarësia u shfrytëzua për ta kontrabanduar shpejt e shpejt këtë flamur.
Në rast të zgjedhjeve të parakohshme, Lëvizja “Vetëvendosje” me cilën parti do të hynte në koalicion?
Ne jemi të gatshëm për zgjedhje parlamentare në çdo moment. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e hapur për bashkëpunim me subjekte e organizata të ndryshme, duke i vendosur përpara kalkulimeve të pushtetit parimet që mund të na ndajnë a bashkojnë. Këto parime përfshijnë dy gjëra kryesore: programin politik dhe besimin reciprok.
A ka gjasë që të formohet komisioni për hetimin e veprimtarisë së ShIK-ut dhe pse kërkohet një hetim parlamentar kur këtë organizatë nuk e ka formuar Kuvendi. A legjitimohet ShIK-u me hetim nga Kuvendi kur kihen parasysh numrat në kuvend?
Një hetim i tillë është i domosdoshëm dhe ne jemi këmbëngulës në këtë çështje. Deri më tash janë mbledhur 27 nënshkrime, e për të filluar nga puna një Komision i tillë duhen 40 sosh. Komisioni ad hoc për hetim parlamentar lidhur me hetimin e kësaj organizate nuk ka si ta legjitimoj ShIK-un, por ajo do të mund t’i ndihmonte jashtëzakonisht shumë drejtësisë. Për gjashtë muaj rresht do të zhvilloheshin hetime si p.sh. studimi i dokumenteve dhe materialeve të ndryshme, dëgjime dhe intervistime hetuese të njerëzve të ndryshëm para Komisionit etj.
Si e komentoni opinionin e deklaruar të LDK-së lidhur me këtë hetim parlamentar ndaj ShIK-ut?
Argumentimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me këtë çështje është formal dhe i pasaktë. Trajtimi i problemit të ShIK-ut është jashtëzakonisht me rëndësi për qytetarët. Ka aq shumë indikacione që ShIK-u është i përfshirë në korrupsion e në krime të ndryshme në Kosovën e pasluftës ndërkohë që shumë më tepër është marrë me kundërshtarët politikë të PDK-së sesa me strukturat armiqësore të Serbisë. Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë që Kuvendi ta marrë rolin që u takon gjykatave sepse e dimë që diçka e tillë nuk i takon Kuvendit. Por, Kuvendi mund t’i ndihmojë sistemit gjyqësor përmes kësaj iniciative. Florin Krasniqi që është edhe deputeti nismëtar i kësaj çështjeje ka treguar se ka shumë raste në botë, e posaçërisht në ShBA, që organet legjislative kanë bërë diçka të tillë, kur çështja në fjalë është llogaritur si interes i përgjithshëm. Komisionet hetimore në Senatin e Kongresin e ShBA-ve kanë ndihmuar shumë prokuroritë atje dhe kjo nuk është konsideruar aspak e padrejtë. Përkundrazi.
Gjykata Kushtetuese dha mendimin e vet për marrëveshjen mbi mandatin e presidentes Jahjaga. Cili është mendimi juaj për këtë si dhe për marrëveshjen që qe arritur vjet?
Së pari do të doja ta sqaroj qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! rreth marrëveshjes. Marrëveshja Thaçi – Pacolli – Mustafa ka qenë një marrëveshje e papranueshme për neve, një marrëveshje jashtëinstitucionale dhe mbikushtetuese, një marrëveshje e dëmshme për vendin, qoftë shikuar nga mënyra se si është arritur, por edhe për nga pasojat që ka prodhuar. Ajo marrëveshje është arritur nëpër zyrat e huaja në mënyrë tërësisht jotransparente, ka sjellë një presidente që as për së afërmi nuk mund t’i përmbushë detyrat që i ngarkohen me Kushtetutë, por mbi të gjitha, kjo marrëveshje ia ka zgjatur jetën koalicionit aktual qeverisës. E njëjta gjë vlen edhe sot. Nëse në momentin që ishte lidhur marrëveshja qëllimi ishte vazhdimi i kësaj qeverisjeje dhe kësaj Qeverie, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese sot, është brenda këtij funksioni, pra vazhdim i pushtetit të Hashim Thaçit i cili po e jep Kosovën në mënyrë të trefishtë: si territor që e fut në pazar me Serbinë, si pasuri publike që e fal, dhe si buxhet të shtetit që e keqpërdor.
Leave a Reply