Shemben punimet e para për vendosjen e shtatores së Skënderbeut në Lezhë. Specialisti i trashëgimisë Paulin Zefi thekson se një akt i tillë është i turpshëm dhe politik, pasi mund të ishin mjaftuar me pezullimin deri në pritje të një vendimi. Edhe banorët të indinjuar
Anila Dedaj
Në 2 mars të 575-vjetorit e Besëlidhjes, ishte menduar që Lezhës t’i kthehej e derdhur në bronz figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Shtatorja që do të vendosej në sheshin kryesor të qytetit, karshi Memorialit të heroit ishte përzgjedhur që në 15 dhjetor të vitit që lamë pas, falë një projekti të mbajtur në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, si iniciativë i kreut të Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj. Po në atë periudhë u bë publike edhe vendi ku memoriali do të vendosej. Mirëpo vetëm një ditë para inaugurimit të veprës fituese të skulptorit Ardian Pepa, ndërkohë që qyteti përgatitej të festonte “rikthimin” e heroit, si dhe e mbërritjen e përfaqësuesve të Diasporës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vendos që të shembë dy shkallët e para, mbi të cilat do të vendosej bazamenti. Bashkë me aktin, do të vinte edhe reagimi i Ministrisë së Kulturës. “Me datë 19.02.2019 Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër konstatoi kryerjen e punimeve pa leje nga ana e Bashkisë Lezhë në sheshin “Gjergj Fishta” dhe mori masat për pezullimin e çdo punimi deri në marrjen e miratimit pranë instancave përkatëse”. Banorët dhe artisti vetë do të mësonin kështu se Bashkia e Lezhës, kishte neglizhuar në mënyrë të paqëllimshme, një hallkë të domosdoshme, lejen përkatëse nga Instituti i Monumenteve. E domosdoshme përsa kohë vendi i menduar për shtatoren, në sheshin “Gjergj Fishta” ndodhet brenda zonifikimit arkeologjik, zona “A”. Menjëherë pas një vendimi të tillë, Paulin Zefi, specialisti i trashëgimisë kulturore dhe historian pranë Bashkisë Lezhë ka reaguar, duke përgatitur dokumentacionin përkatës, për ta dorëzuar në datë 26 shkurt pranë IMK-së personalisht. Pasi institucioni do të vërente mangësira, ai do të rikthehej përsëri vetë në Tiranë një ditë më vonë për të plotësuar procedurat. Gatishmëria e zotit Zefi nuk do ta pengonte që po në datë 27, IMK-ja të vendoste “për pezullimin e punimeve dhe marrjen e masave të menjëhershme për prishjen e punimeve të kryera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia Lezhë dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme”. Një akt, që specialisti dhe banorët e Lezhës do ta konsideronin si të turpshëm. “Mund të pezullohej puna, pa u shembur punimet”, shprehet Zefi për “Shekullin”, duke e konsideruar skandaloz veprimin. Ndërkohë që projekti për vendosjen e shtatores parashikohet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Restaurimit dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, specialisti shprehet se nuk do të ketë negociata për ndryshimin e vendit. Një vendim i tillë nuk do t’i bënte mirë as punës së artistit. “Aty është vendi ideal që shkon në harmoni me memorialin që do ketë në sfond”, tregon Pepa, duke nënvizuar se kjo ngjarje nuk duhet të përdoret për arsye politike.
Ardian Pepa: Punuam natë e ditë, që shtatorja të ishte gati në kohë!
Shtatorja e Skënderbeut, realizuar me mjeshtëri nga skulptori Ardian Pepa ndodhet ende në fonderi, kësaj here ajo që mund ta çlirojë “heroin” është vendimi i IMK-së, për ta lejuar të qëndrojë në sheshin “Gjergj Fishta”, për ku edhe është projektuar. I trishtuar nga rrjedha që mori, ajo që duhet të ishte një festë jo vetëm për lezhjanët, por për të gjithë shqiptarët, Pepa pohon për “Shekullin” se edhe pse e mira do të qe që leja të ishte bërë më përpara dhe kjo neglizhencë të mos kishte ndodhur, do të ishte pozitive që nga elementët e tjerë që patën ndikim në këtë ngjarje të kishte sadopak mirëkuptim dhe dashamirësi. “Kjo edhe sepse bëhet fjalë për një figurë kombëtare, për simbolin tonë të lirisë”. Artisti pohon se për vendosjen e bazamentit dhe shtatores nuk është bërë asnjë gërmim, ndryshe nga sa ndodhi me memorialin e një tjetër figure të madhe si Fishta (që përpos të tjerave siç specialisti i trashëgimisë Paulin Zefa pohon është bërë pa leje të IMK-së), e megjithatë përsëri me vendim të IMK-së vendosën që të shembnin dy shkallët e para të ngritura për bazamentin. Një ngjarje që ngjalli jo vetëm keqardhjen e artistit por edhe reagime të forta tek qytetarët, jo vetëm në Lezhë. Vetë Pepa i ka dedikuar mund e kohë të gjatë kësaj vepre, me dëshirën e mirë që të bënte më të mirën për 575-vjetorin e Besëlidhjes duke arritur një rezultat që është vlerësuar nga artistë dhe njerëz të thjeshtë. “Ishte një punë shumë impenjative ngaqë koha ishte e kufizuar. Kemi punuar ditë e natë për të arritur datën 2 mars. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe fonderia e bronzit dhe fabrika e gurit”. Ajo që skulptori kërkon të shmanget është edhe shfrytëzimi i kësaj ngjarje, për motive personale apo politike. Duke shpresuar në bashkëpunimin e palëve, kur Pepën e pyesim se si do të ishte për të nëse IMK-ja zgjidhte një tjetër vend për shtatoren, ai përgjigjet se: “Nuk do të më vinte mirë nëse merrej një vendim i tillë. Memoriali është realizuar për në sheshin kryesor. Aty është vendi ideal, ku qëndron në harmoni me memorialin që do të ketë në sfond”.
Specialisti i trashëgimisë: Shembja e punimeve për “Skënderbeun”, turp dhe fatkeqësi kombëtare!
http://shekulli.com.al/


Leave a Reply