Papajtueshmëria, koha e papërshtatshme dhe një lule shumë e rrallë e verdhë janë kombinuar për t’ia pamundësuar komunitetit shqiptar në perëndim të Melburnit një fitim të mundshëm prej 15 milionë dollarëve
Orkidetë e vogla të arta privojnë grupin e komunitetit shqiptar nga 15 milion dollarë
Në fund të viteve 1980, periferia perëndimore e Melburnit dukej si vendi i përsosur për të blerë tokë të lirë që një ditë do të kishte pas vlerë të madhe.
Livadhet që e rrethojnë fushën që Shoqata Shqiptaro-Australiane bleu në vitin 1989, një ditë do të mbulohen me mijëra shtëpi të reja.
Por vala e biznesit të pronës që u përhapë në mijëra hektarë në perëndim të qytetit – që shumicën e kontrollojnë pronarët e pasur të patundshmërive – do ta anashkalojë grupin shqiptar.
Dhe orkideja e vogël e artë, të paktën pjesërisht, duhet fajësuar.
“Problemi me tokën tonë, është shumë tronditës”, tha Asip Demiri, një nga anëtarët themelues të Shoqatës.
Shoqata pagoi 415,000 dollarë për 21 hektarë – ose rreth 20,000 dollarë për hektar – e cila shtrihet mu në kufi të Caroline Springs, një biznes i suksesshëm i kompanisë për patundshmëri Lendlease.
Sot, me urbanizimin e kësaj zone, toka e komunitetit shqiptar do të shitej për rreth 120,000 dollarë për hektar, ose rreth 2.5 milionë dollarë – edhe pse gjetja e blerësve për të do të ishte e vështirë.
Sikur të urbanizohej në të njëjtën mënyrë si shumica e kullotave përreth, menjëherë do të arrihej çmimi për rreth 740,000 dollarë për hektar. Që do të thotë më shumë se 15 milionë dollarë për këtë pronë.
Por, ndërkohë që puna ka filluar në vargun e zhvillimeve të tjera të urbanizimit shumë më larg, në rrugën nga Melburni në Melton, kjo tokë qëndron si “zorrë qore”.
Qeveria Andrews po ofron për të blerë tokën e grupit shqiptar – por jo për miliona sa do të marrin të tjerët për tokat e urbanizuara.
Në vend të kësaj, kjo zonë është një nga 18 pronat që do të përfshihen në Parkun Rajonal Kororoit të propozuar.
Prej vitit 2005, ndërmarrësit ishin të interesuar ta marrin tokën e grupit shqiptar, me një ofertë prej 4.3 milion dollarë.
Por marrëveshja nuk mundi të arrihet brenda grupit të komunitetit për çmim të shitjes – ose edhe nëse duhet të shitet ajo fare.
Në vend të kësaj, ndërsa buldozerët u kthyen në tokat e gatshme për shtëpitë e reja, qeveritë e Viktorias dhe ajo federale u mblodhën për të shqyrtuar pronën shqiptare të brezit shumë të vlefshëm që duhet ruajtur.
Pas negociatave ku ka marrë pjesës edhe kryebashkiaku i Meltonit Justin Mammarella, qeveria e Brumbit la tokën e këtij komuniteti jashtë planifikimit masiv për banim në vitin 2010.
Në vend të kësaj ajo do të shërbejë si park për njerëzit që jetojnë në mijëra shtëpi që do të ndërtohen nga ndërmarrësit që në heshtje kanë blerë apo i kanë marrë me opsione të ndryshme tokat në zonat përreth.
Një zëdhënës i departamentit të planifikimit tha se toka e cila është në pronësi të komunitetit shqiptar kishte vlera jashtëzakonisht të larta mjedisore dhe ishte konsideruar si zonë e mbrojtur në vitin 2010.
“Prona përmban një sasi të konsiderueshme të kullotave të rralla, dhe mbështet një shumëllojshmëri të florës vendase të kërcënuar, duke përfshirë disa nga ekzemplarët e fundit të mbetur të orkideve të vogla të arta”, tha ai.
Sado të zakonshme në perëndim të Melburnit, orkidetë kanë rënë viktimë e zgjerimit të qytetit, i cili tani i ka kufizuar ato në një popullatë të egër prej rreth 400 bimëve, të gjitha të gjetura rreth tokë e cila është në pronësi të grupit shqiptar.
Një ekspert mjedisor nga RMIT tha se kjo zonë ka “vlera shumë të larta strategjike të llojllojshmërisë biologjike “, dhe tani është më e vlefshme se zonat fqinje.
Demiri ka mbajtur gjithë dokumentacionin e kësaj toke gjatë viteve.
Një email nga një zyrtar i kompanisë Lendleas – i cili më vonë themeloi firmën e vet të patundshmërisë që tani po negocion marrëveshjet për tokën që përfshin shumë prona të afërta – këshilloi grupin shqiptar për mënyrat e ndryshme që ata mund të zhvillonin tokën e tyre.
Ministri i Planifikimit Richard Wynne është gati të nënshkruajë një plan të strukturës së zonës për këtë zonë.
Fushata e vazhdueshme dhe agresive e z. Demiri për këtë çështje gjatë një dekade e ka larguar atë nga Shoqata.
Ai tha se ishte turp që toka ishte vlerësuar si tokë e çmueshme, ndërkohë që fushat e afërta janë në pronësi të individëve privatë, të cilët, me marrëveshje me ndërmarrësit, do të bëjnë fitime të mëdha dhe të papritura.
Pasi çështja u raportua në mediet lokale, shoqata shkroi një letër duke thënë se z. Demiri “nuk ka absolutisht asnjë autoritet të flasë në emër të Shoqatës”.
Sekretari Adzi Ceni tha se z. Demiri duhet të jep shumë përgjigje, dhe se pa “veprimtarinë” e tij të vazhdueshme deri tani do të ishte ndërtuar një qendër e përbashkët për grupin shqiptar.
Ai tha se Shoqata e komunitetit e dinte se kishte kufizime për tokën e tyre, por ende shpresonte të ishte në gjendje të ndërtonte diçka të vlefshme për shoqërinë e tyre në të.
Departamenti i planifikimit kohët e fundit ka ofruar blerjen e tokës nga Shoqata e komuniteti shqiptar.
Zëdhënësi i departamentit nuk pranoi të thotë se sa i ishte ofruar grupit. Ai tha se ishte një ofertë vullnetare dhe jo blerje e detyrueshme.
Zëdhënësi i planifikimit të opozitës David Davis tha se z. Mammarella duhet të shpjegojë se çfarë roli ka luajtur në marrëveshjet për toka në atë zonë kur ai ishte në këshill.
“Përse ishte një zonë e caktuar për zhvillim të banimit ndërsa toka tjetër u bllokua?” pyet z. Davis.
“Ka pyetje serioze në lidhje me proceset kur ai ishte këshilltar i zonës kah mesi i viteve 2000, dhe bashkësia meriton një kontroll të plotë financiar”, përfundon ai./Insajderi.com.
Leave a Reply